U nisa...
Trupi im i përpëlitur nga dhimbja e ndarjes
Asfalti ku rrokulliseshin katër goma gjigande plot zhurmë
Dy duar të përgjakura zgjatja me tmerrin e ikjes
Të ndalja kohën doja a dhimbjen pa fund..??!
Vështrimi yt pas dritares së fundit të automjetit
Një lot diamanti si ai që priste xhamat dikur im atë.
Shigjetë që akoma thërrmon kurmin tim Aq herë sa kthej kokën në shekullin e ngratë!
UNË DHE BOTA
Sa herë që shoh vjeshtën me ngjyrë floriri
Të veshë pemët ,rrugët a timen avli,
Rrëmoj në cepin e shpirtit të nxjerr pinelin e tharë prej vitesh
T'a ngjyej me gjakun që vlon brenda meje
Në tellaron e botës të shkruaj për zogjtë që po ikin ,për gjethet e rëna a për qiellin gri.
Një gisht drejtuar syve të pangopur akoma më ndal e më ngjan se më thotë
Jo!- nuk është kurrë e ngjarë që një vajzë kaq e brishtë
Të mund të përshkruajë me ngjyra këtë botë!
Dhe eci mes shekujsh me sytë ulur në tokë
Me hapa kërcitur ndër gjethe vjeshtore
Desha kaq shumë t'a hedh botën në ngjyra
Nga ato që kanë formë diellore.
Ti nuk mundesh më thoshte gishti tregues
I tundur para meje me forcë prindërore.
As të shkruash vargje rebele si poetët heretikë.
Ti je femër ndaj uli sytë e bukur përtokë
Është e ligë kjo botë
Edhe në verë të sjell ftohtë.
Dhe i fsheha ngjyrat e botës së bukur
Dhe i fsheha vargjet që rridhnin si lumë..
I ngrita sytë dhe i fola botës sa herë desha
Tej në horizont akoma gishti tundues...drejtuar nga unë!
Je e marrë! -
më tha dikush duke qeshur ...
Ti dhe vargu yt heretik!
Jam femër,-i thashë, dhe ika duke rendur
I shkel,i tundoj ,i thyej marrëzitë!
Akoma vazhdoj të rend mes horizontesh
Me ngjyrat diellore fshehur në shpirt
Me vargun rebel gati ndër shpërthime
Me një këmbë në tokë e një ndër fluturime.
YLLI I SHPIRTIT TIM
Mbrëmë ,kur mbi liqenin e shpirtit tim u fikën dritat e fundit dhe u ndezën yjet e natës
Më mungove aq shumë sa zhyta duart në ujin e qetë dhe të kërkoja mes kilometrash...
Një yll ra mbi valë
Dhe unë, si dikur kur isha e vogël bëra një urim..
Për çudi mijëra të tjerë binin pa reshtur
Si çarçaf i zjarrtë mbështollën trupin tim.
Më kot kërkoja mes valësh -kilometra
Më kot qerpikët puthnin të lodhur kujtimet e ditës
Ti ishe mes gjakut,mes dritës mes yjeve pa mbarim.
Ti më ngrohje ëndrrat me frymën tënde
Ti ylli më i bukur i shpirtit tim!
ORË E VËSHTIRË
Një valë e furishme që erdhi papritur
Mori shpirtin tim dhe e bëri shkumë...
Vura dorën diku mes gjoksit
M'u duk kaq i thellë boshllëku si një lagunë.
I fola valës me gjuhën e femrës
E njëjta gjini jemi i thashë,pse më mundon?!
Nxori gjuhën e tallej mes së kaluarës e së bardhës
E hutuar nisa të thurja përrallën
Mbase ,mbase Sirina e detit mbante fatin tim në dorë.
Paralel udha ime e dhimbsur me hënën e gushtit
I hidhja sytë fshehur si t'i kërkoja ndihmë.
Nuk ndaja dot nga ranë ata dy lotë
Nga sytë e mi a nga hëna e plotë??!!
DITËT E MIRA
I urrej tashmë të mërkurrat
Nuk dua t'u shoh më as "sytë"
Le të mbushet java me të enjte
Që thonë se është ditë e mirë.
I urrej tashmë ditët e hidhura
Që duan të marrin prej meje të shenja dashuri.
Që vrasin e presin pa pyetur
Që muret e zemrës i bëjnë shkrumb e hi.
E mbolla filizin e shpresës në cepin e shpirtit
E ujita me lotin për nënën edhe pse me kaq kripë.
E pashë të rritej dita -ditës
I flas ,më flet me syrin plot dritë.
I dua ditët e mira sot e çdo mot
I dua për vete,i dua për ju
Pa to sinqerisht që s'jetoj dot!
FOTIT -birit tim
Një ditë dimri ti u shkëpute nga shpirti im
Për të sjellë mes nesh veç behar
Në një ditë kur uji i bekuar në degë borziloku
Lante gjithë botën mbarë.
Në duart e tua mijëra përqafime
Tridhjetë e tre vjet me radhë
Bir i nënës t'i kam shtuar qylyme
T'i shkelë këmba jote
Me lumturinë në krah.
Kam frikë nga lotët që s'më pyesin
Dhe burojnë nga sytë ashtu si të marrë
Do lus gjithë perënditë në qofshin
Lumturinë t'ju falin si shok të pandarë.
Bir i nënës!
Të thërret jeta dhe unë çuditshëm vë dorën në zemër
Çdo rrahje e saj miliona urime
Veç zemra e nënës
Di si t'i sjelli
Më kot kërkoj ndihmë nga metaforat qiellore
Krahasimet ,epitetet a ku t'a di unë...
Gëzimi kërkoka fjalë kaq të thjeshta
Që besoj se i di për ty vetëm unë!
Ti jetën e re po nis biri im.
Dhe zgjodhe një yll si dritë e shkëlqim
Sa herë të marrësh frymë
Në perëndim a agim
Zemra ime veç do të flasë
Qofshi të lumtur biri im!
MOS U TREMB
Ti mos u tremb shpirt kur unë të them të dua
As kur rrufetë lindin nga Irida e syve të mi...
Bëri ca dimër i ftohtë gjysmëshekullin e fundit
Të fshehura i kisha shkronjat thellë në gji .
Ti mos u tremb nëse në sytë verbues
Dy margaritarë tregojnë të tyren histori .
Nga oqeani i egër mes dallgësh e furtunash
Deri në çastin që i pe ti !
Ti mos u tremb i miri im
Kur kënga ndër buzë merr zjarr e të djeg të gjithin ..
Ti vazhdo në ison e shtruar të valëve
Më duaj,më thuaj,më ruaj
Më kthe në jetën time veç Prillin!
THESARI IM
Të mora me vete dje në udhëtimin drejt diellit
Ishe kaq i madh dhe kaq i lehtë tv njëkohësisht
Sa zure vend në të gjitha rruazat e kuqe të gjakut tim.
Eca me peshën tënde ngarkuar
Kaptova rrugë shtruar e pashtruar..
Pemë gjelbëruar me lule e fruta ngarkuar
Me frymën e dihatjes sime ngatërruar.
Të mbaja brenda vetes si gjënë më të çmuar
Me frikën e rënies ndër gremina kaluar
Të nxirrja me kujdesin e nënës ndër duar
Të pije ujin nga burimet gurgulluar.
Të vendosja mbi rrezen që përpiqesha të kapja
Të flisja me gjuhën e zemrës ca fjalë
Të shihja në sy me vështrimin e etur përplasur ndër sy,
ndër buzë,ndër duar e ballë.
Të mora me vete në udhëtimin drejt diellit
Të fsheha kaq thellë brenda trupit tim
Asnjë doganë qiellore nuk mund të të peshonte
Ty thesarin më të çmuar të shpirtit tim!
Do të arrijmë te dielli të thashë duke qeshur!
Më puthe muret e zemrës si të ishte një premtim!