Një libër i ri është një gëzim i ri dhe si një fëmijë i dashur. Poezia është gjuha universale e harmonisë së brendshme, pa marrë parasysh kufinjtë dhe gjuhën e gjallë në të cilën lind dhe jeton. Arti është pjellë e imagjinatës: Ah, ky shpirti im fluturak, i hap/ krahët të kap largësi. Do ta deh/ vuajtjen me dhimbje, veten me/ vetëveten, por shpirti fluturak, / nuk ndalon, as kur dehja dehet,/ as kur dehja të dehurit i deh! (Fluturime lirike)
Nëna e poezisë janë iluzionet dhe ëndrrat. Poezia e Zt. Atdhe Geci është pasqyra e shpirtit, simbol i dhimbjes dhe hijeshive të jetës ku zbulojmë ikona të gjalla. Poezia e tij është dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat: Nuk ka Shqipëri pa origjinën pellazge/ pa datë të gjuhës dhe pa adresë antike/ origjina jonë është më e hershme se/ shkronjat, dhe më e hershme se librat. / Zeus, asgjë s´është si në kohën tënde/ faltoret, olimpi, gjuha dhe gjeografia/ të tëra janë shndërruar dhe zvogëluar,/ ulliri ëndërron, janë dhe disa fije bari,/ që i japin gjak ndjenjës së sovranitetit. (Këngët e ullirit)
Poezia është testamenti i jetës, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e posedon qenja njerëzore. Vëllimi respektiv është një kontribut i veçantë që reflekton meditimet e një poeti të talentuar të mërgatës shqiptare. Atdhe Geci tashmë e ka krijuar profilin e tij të veçantë letrar. Njeriu ka nevojë permanente për poezi, siç qielli ka nevojë për yje, siç pyjet kanë nevojë për pemë, siç bimët kanë nevojë për ujë, siç trupi ka nevojë për ushqim, siç mushkëritë kanë nevojë për ajër dhe siç syri ka nevojë për dritë.
Poezia është një arti i pakufishëm. Fjalët e Atdheut nuk kanë kufij. Ato shërojnë plagët e shpirtit dhe hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta e ledhatojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Buka është fjalë, drita është fjalë, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërohen dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësohen. Nevoja për të folur është një nga nevojat më të nxehta dhe më të domosdoshme të njeriut, së bashku me nevojën për ushqim, për veshje, për dashuri, për vërtetësi dhe për drejtësi. Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Atdheu vjen para nesh me ndjenja dhe ide. Ai i përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë.
Fjalët kanë fuqinë t’i japin jetë një universi të pafund. Ato mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund të ideve dhe ndjenjave. Mendimet e Atdhe Gecit janë flutura të metamorfizuara në mendime. Të gjitha këto shndërrime që mendimet e poetit kalojnë përshkruajnë një profil lirik origjinal. Nga fryti i ëndrrave tuaja, ne ndiejmë tingujt e psherëtimave tona. Dëgjuar vetëm nga Ju e nga ne, përjetësisht-absolutisht. Poezia e autorit është e ngarkuar me një imazh specifik, i cili shpreh jo vetëm shoqata, por edhe tema shpesh befasuese. Zbulimet filozofike janë gjithmonë të veshura me marrëdhëniet e thjeshta të jetës së përditshme.
Atdhe Geci ka guximin të flasë të vërteta, të rikrijojë jetën nga fragmentet e ëndrrave dhe mistereve. Ai është poet i ashpërsisë rebele të gjendjeve të ndërgjegjes, të dinamikës së rrëfimit, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit, të cilin ai e fton në meditim dhe në rikrijim të shpirtit. Dendësia e ideve, fuqia e kontabilitetit verbal që zbulon një jetë të përditshme të butë ose të trazuar mund të jetë e parëndësishme në thelbin e saj, provojnë një poezi të thellë, të ujitur nga kaq shumë beteja shpirtërore, një shenjë e hijeshisë së gjendjeve lirike autentike. Atdhe Geci është arkitekti i që riorganizon poetikisht botën, sipas shpirtit të tij, kaq i thellë dhe misterioz. Autori rigjen një rrugë për të dhënë një përkufizim të shkretëtirës që përgjon nëse nuk gjejmë forcën për të njohur përjetësinë e poezisë. Bukuria hyjnore në poezi zgjon shqisat e fjetura. Pronari i këtyre vargjeve nuk është një poet i shqetësuar, por një vetëdije e frymëzuar. Vargu i Atdheut na i mbush shpirtrat me ndjenja të bukura.
Botimi i një vëllimi të ri me vargje të reja, përfaqëson një festë të shpirtit për lexuesit e poezisë. Lekturimi i një vëllimi të këtillë shndërrohet në një përjetim të thellë estetik që manifeston sentimentin e lindur në mënyrë të natyrshme, një ndjenjë e bekuar që bashkon trokitjet e dy zemrave të gërshetuara me fërgëllimën e zjarrit romantik, autori dhe lektori duke realizuar një binom komplementar, i pari duke ofruar, ndërsa i dyti duke receptuar intenzitetin e ndjenjave, thellësinë e përjetimeve, kuptimin e temave dhe sfondin ideatik që fshihen në zemrën e çdo poezie. Sipas librit më të ri të Atdhe Gecit, ekzistojnë disa botë: Bota e ndjenjës atdhetare dhe bota e sentimentit lirik. Lirikës së tij i mungon banaliteti dhe pornografia. Ajo është një lirikë reale që buron nga zemra. Vargjet e tij janë materializuar sipas dëshirave tona, sepse në to reflektohet bota realiste e përshkrimit poetik. Në vargjet e Atdheut shkëlqen drita e dashurisë atdhetare, magjia e saj dhe bota e e kuptimit realist.
Libri „Shija e padurimit” u lind nga një impuls fisnik, duke qenë i menduar si një befasi e re letrare dhe sentimentale. Veprat e këtilla e pasurojnë botën tonë letrare dhe e fisnikërojnë qytetërimin e një kombi, duke qenë realizime të rralla etike dhe estetike, sinteza të një koncepti për jetën, dëshmi të mendimit dhe ndjeshmërisë së një populli në kontekstin e historisë aktuale të sentimentalizmit shqiptar. Ky është misioni i krijimtarisë letrare në rradhë të parë, dhe i botës së bekuar të arteve në përgjithësi.
Atdhe Geci është kryeveteran i afirmimit të Çamërisë dhe ndërgjegja estetike që aspiron drejt objektivitetit. Ai është një poet i lindur që nuk e kopjon realitetin, sepse realiteti për të është jo vetëm një pretekst për të krijuar një botë të re, por edhe për krijimin e ligjeve të reja të ndjeshmërisë dhe harmonisë. Krijimi është një magji që të shpie në tryezën e shkrimit, që të nxit t’i ripërjetosh ngjarjet me një intenzitet të ri subjektiv, të cilat të duken më reale se sa vetë realiteti objektiv. Vepra e shkrimtari tonë që vjen nga bota gjermane e mërgatës shqiptare, përbën realitetin e një jete personale, me vargjet e një misterioziteti që gërshetohet me magjinë e bekuar të dashurisë.
Poezia e Atdhe Gecit është pjesë përbërëse e qenies së tij. Poeti krijon një dialog peramanent dhe të mrekullueshëm me vetëveten, me botën, me njerëzit. Me prezencën e poezisë në shpirtin e tij, ai kurë nuk ndjehet i vetmuar! Në veprën e tij më të re (me dy autorë), ballafaqohemi me një numër të konsideruar poemash dedikuar atdheut, meditimit, ëndërrimit, ndjeshmërisë dhe shëndetit të shpirtit. Lirika meditative e tij është e gërshetuar edhe me subjekte kushtar dashurisë, por pa elemente erotike apo pornografike në korpusin e vargjeve të tij: Pejsazheve njerëzore të dashurisë/ ka aq shumë trazira në unaza ari/ dhe aq zbrazëti dashurie në puthje/ dhe aq fshehje mëkatesh të ëmbla,/ më tha një grua bjonde në Romë. (nga Poemë pellazge). (Bukuresht 2022. Autori i këtij shkrimi është shkrimtar dhe përkthyes letrar, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë.)
BIOBIBLIOGRAFIA E ATDHE GECIT
Shkrimtari Atdhe Geci u lind në Roganë të Dardanës (6 Janar 1950). Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa Shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Atdheu u kulturua në Universitetin e Prishtinë, në Fakultetin Ekonomik. Atdhe Geci i përket familjes së arsimuar Geci, nga Rogana e Komunës së Dardanës. Libri “Çamëria, kthim në Histori”, është libri i 9-të i tij. Shkrimtari dhe publicist Atdhe Geci është nismëtar dhe Shpallës i Republikës së Çamërisë, me 30 tetor 2016 në Hagë të Holandës. Atdheu është autor i Himnit të Çamërisë, pjesëmarrës në dorëzimin e Dosjes çame, më 11 Shkurt të vitit 2016, botues dhe bashkëmiratues i Kushtetutës së Republikës së Çamërisë, si dhe i një sërë veprimtarishë dhe aktivitetesh të tjera për Çamërinë. Shkrimtari Atdhe Geci ka biografi të pasur krijuese dhe atdhetare. Është autor i rreth 30 mijë vargjeve dhe këtyrr librave e më shumë:
1 . Kanuni poetik, I dhe II
2 . Poezia, një shok udhe
3 . Dora e Atdheut
4 . Shqipëria është më madhe se Shqipëria
5 . Lulet e Humusit
6. Gacat e Prushit
7 . Çamëria, kthim në histori - mision
8 . Pasha këtë tokë
9. Flatrat
10. Trokitje çame
11. Poemën Simfonike, “Diell i zënë Çamërie”
12 . Bashkimi pellazg, dhe të tjerë!...
Poeti Atdhe Geci është i vlerësuar me dy çmime ndërkombëtare për poezi dhe është i përfaqësuar në 12 Antologji për poezi dhe publicistikë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.