Më dhemb kaq shumë për brezin tim
Që i handakatur u gjend kudo në botë...
Me syrin e shpirtin te familja e shtrenjtë
Një këmbë në atdhe ,tjetrën në Evropë!
Më dhemb kaq shumë për brezin timqë ndryshe mësoi t'i këndonte jetës...
U harruan flirtet në Universitet,
U harruan inicialet ndër bankat e shkollës!
Më dhemb kaq shumë për brezin tim
Që dikur dinte se ç'ishte gëzimi në sofrën shqiptare..
Një mik vinte nga fshati i largët
Shtrohej bakllavaja dhe kënga labe!
Në krye gjyshi me qylafin e bardhë si trung i rëndë e fjalë pak...
Më tutje gjyshja me furkën e bardhë ,ndër duar bajame ,arrë e ca fiq të thatë .. nxjerrë nga ai..sënduku plak!
Më dhemb kaq shumë për brezin tim
Që ëndrrat gjysmuar i shpërndau mbi re.
Ca fluturuan nga xhamat luksoze të avionëve për Evropë a Amerikë...
Ca u groposën kufijve rrugës për një botë të re!
Më dhemb kaq shumë për brezin tim ...
Mbi shpatulla ngriti një copë atdhe..
Kudo që shkoi e mbajti me vete ...thjesht ca pesha më të rënda e kërrusën gjer në dhe!
Ky brezi im që vuajti kaq shumë
U end mes të djeshmes e të sotshmes së re...
Mes plagëve të atdheut që me dhimbje la pas
Balsam vuri mallin për tokë e për re!
Më dhemb kaq shumë për brezin tim
Që lodhja e kurbetit e zbardhi ndër thinja
E vetmja shpresë, i vetmi gëzim
Mijëra arritje ndër djem e bija!
Ndihem kaq krenare për brezin tim...
Nuk e mposhti dot asnjë lloj emigrim!