Hej

Kultura

Hej

Nga: Lulëjetë Dragidella Më: 5 nëntor 2022 Në ora: 14:51
Lulëjetë Dragidella

Hej, jam unë

Të kujtohem?

Sigurisht, që po!

Jam unë, që përpëlitem në varr

Ku për një grindje

Për një mosmarrëveshje

Për një ego të lënduar

Për pesë minuta që s’mendove

Kishin mjaftu edhe dy

Por, jo

Egoja kishte me rëndësi

E ti, ma ndalove rrahjen e zemrës

E unë, mbeta i vrari

Ndërsa ti, i vdekuri për se gjalli

Dhe, jo vetëm kaq

Ti ma ndalove edhe diellin me rrezet e tij

Qiellin me kaltërsinë e tij

Pranverën me lulet e saj

Ah, pranverën që e doja shumë

Është stina ku mbushen vitet

Hej

Sa pranvera i mbushe ti?

Se të miat mi ndalove atë ditë

Atë ditë, ku unë mbeta i vrarë

E ti u bëre një vrastar

Atë ditë nuk ma ndalove vetëm zemrën

Ma ndale edhe jetën

Ma këpute rritën

Atë dite m`i ndalove edhe ëndrrat

M`i ndalove edhe përqafimet e nënës

Ti ende i merr apo?

Gëzoju pra atyre përqafimeve

Janë me të ngrohtat që munden më të ndodhë

M`i ndalove këshillat e babës

Ti ende i merr apo?

Gëzoju pra atyre këshillava

Janë më të sinqeratat që munden me te ndodh

Për sa mund të vlejnë tash

M`i ndalove vizitat e motres

Ah jo, motra më viziton edhe të varri

Ajo që nuk me viziton, janë nusja dhe fëmija

Ah jo, nuk isha e martuar

Hej

Ti, nuk më paske vra vetëm mua

Ti paske vra edhe martesën time

Paske vra edhe fëmiun tim ende pa u ngjiz

Ëndrrat e mia

Ëndrrat e prindërve të mi

Të ju sjellja nusen në shtëpi

Të ju mbushësha shtëpinë me fëmijë

Hej

Tash që po mendoj

Më mirë qenka i vrarë se sa vrastar

Në fund të fundit

Si i vrari e si vrastari kanë të njëjtin fund

Të pres!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat