Showbizi po e zhbën kulturën!

Kultura

Showbizi po e zhbën kulturën!

Nga: Hejza Art Më: 30 dhjetor 2022 Në ora: 14:44
Foto ilustrim

Showbizi në përditshmërinë e shqiptarëve është bërë më shumë se ushqim, më shumë se nevojë, për të mos thënë një segment që ka kaluar në varshmëri, diçka e ngjashme si drogë. Dhe kjo, kuptohet, reflektohet me vrazhdësi te brezat e rinj, të cilët ëndërrojnë të bëhen si protagonistët e showbizit, që në fakt është një makineri tepër profitabile.

E keqja e gjithë kësaj është krijimi i individit pasiv, parazit dhe i zhvendosur jashtë realitetit, në një botë amorfe. Dhe tash shtrohet pyetja: si do t’ia bëjmë nesër me këta individë, të cilët nuk do të jenë aspak të dobishëm për shoqërinë?

Sot, pothuaj, pa përjashtim, të gjitha mediumet (televizive e rrjetet sociale) shqiptare hapësirën më të madhe ia kushtojnë showbiz-it, që ngërthejnë tema trivale, bizare, skandale, banale.

Sot, pothuaj, pa përjashtim, të gjitha portalet shqiptare, kulturën e trajtojnë sipërfaqësisht, mbase edhe fare nuk kanë rubrikë kulture.

Dhe kjo ka bërë që jeta jonë kulturore të jetë e varfër dhe të frymojë në një rreth të tkurrur që çon drejt zhbërjes, sa që të shumtë janë ata që mendojnë se më nuk ka dallim midis showbizi-it dhe jetës kulturore, përkatësisht se kultura jonë është showbizi.

Prapa gjithë kësaj, siç thamë, qëndron një makineri e madhe biznesi që me apo pa vetëdije bën atë që është më shumë se e rrezikshme, tërheqjen e vëmendjes nga realiteti dhe shpëlarjen e trurit me imponimin e një jetë virtuale.

Vlerë kombëtare, fatkeqësisht, po bëhen disa emisione televizive me shumë palaço që argëtojnë publikun e gozhduar përballë ekraneve televizive, edhe atë me orë të tëra. Më e keqja e kësaj është fakti se në mediumet (që konsiderohen kombëtare) ndjehet mungesa e kritikës, e emisioneve serioze, sepse pikërisht emisionet e showbiz-it i kontrollojnë të gjitha emisionet tjera, të cilat nuk gëzojnë peshë profiti. Pra, nuk mund ta kritikosh atë që të ushqen.

Shoqëria shqiptare gjithnjë e më shumë po degradohet nga ata që janë “të fuqishëm”, të cilit i imponojnë rregullat e tyre të lojës. Dhe këto rregulla thjeshtë e përjashtojnë atë që është vlerë, prodhim shpirtëror, vepër artistike, e përjashtojnë ngritjen e kulturës shqiptare. Pra, komercializmi me të dy këmbët po e shtrëngon në fyt kulturën e mirëfilltë, kurse kjo duket se është me pasoja të rënda.

Janë pikërisht emisionet e showbiz-it që na kanë larguar nga libri, nga teatri, nga koncertet, ekspozitat...Jo vetëm kaq, por jeta virtuale po bëhet më shumë se pranueshme dhe kjo padyshim se cenon edhe shëndetin e familjes...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat