Ylli i mëngjesgushtit pranë nënës sime në orët e dhimbjes
Më dha emrin e tij dhe dritën e mëngjesit si bashkëudhëtarë.
Mamia e lagjes me duar gjakosur ,grisi këmishën e fatit që më kishte mbështjellë.
Pa u menduar gjatë më hodhi në prehrin e jetës
-Jetë të gjatë pastë !-tha kjo krijesë e verdhë!
Nëna më ngjan se më hodhi në krye një këmishë të bardhë dashurie që veshur e kam edhe sot.
-Vishe ,-bijë ,më tha ,në botë bën kaq ftohtë!
Dhe nisa udhëtimin drejt yllit që më fali emrin
Ti çoja dhuratë një shportë kabuni gatuar me dritë hëne...
dhe buzëqeshjen që rritej çdo çast e çdo ditë...
Herë isha foshnja me këmishën prej hëne
Herë isha vajza me trëndafila ndër duar
Herë isha femra mbushur me ëndrra
Herë isha vetë unë ajo nëna
Herë isha era e herë furtuna
Herë i ngjaja Vjosës e herë Osumit.
Herë këpusja lule e herë i mbillja vetë .
Herë e bardhë rruga e herë e nxirë nga retë.
Dhe eca ashtu veshur kaq trashë me këmishën e mallit .
Endur me fije fisnike e mëndafsh mëmësor.
Mbi flokë fjolla bore,ndër këmbë hithra zije të kohës.
Përballë errësirë e pyje përplot.
Në fund të tunelit ti shndrije si rreze shprese dritëplotë.
Eja ,më the,dashuri,
Deri në yllin tënd është ca rrugë e gjatë ,do ta bëjmë tok!
Mbështeta te ti supin e lodhur,
Sytë lava në detin e shpirtit tënd
U nisëm në rrugën e dritës pa u menduar gjatë.
Le të bëjë ftohtë në botë ,më ngjan se the...
Tani jemi bashkë