Në këtë anë Lugine
Ka valltarë të mirë,
Që dinë të kërcejnë
Në bark e në shpinë.
Tani kur muzikës
I shtohet buxheti,
Këmbët drejt kokës
Ngrihen më së lehti.
Pse t’mos hedhin valle
Këta lojtarë me nder,
Kur me pare t’popullit
Bëhen milionerë!
Sa shumë të dalldisur
Nga kjo valle dyshe,
Projektet i zhvatën
Me një stil ndryshe.
Për më shumë Kosovë
Në Luginë me halle,
Mjafton këta lojtarë
Të na heqin valle.
Në emër të etnisë
S’e menduan kurrë,
Disa që nuk kishin
Asnjë gram kulturë.
Po flitet në heshtje
Si dhelpra tinëzare,
Në masa të dhunshme
Të hyjnë për dritare.
Kjo nismë përkrahjen
Do ta ketë me nam.
Me gjitha pëlqimet
Nga dy shtetet amë.
Nuk di pse proceset
Nuk janë të kuptueshme,
Gjysma e Luginës…
Është me masa t’dhunshme.
Ndaj kjo valle dyshe
Vazhdon me “vlerë”,
Me këngën e njohur:
-Do të bëhemi milionerë!