Penalizimi
Drejtësia në Kosovë
Është vënë në kandar,
Si do të peshohet
Ka mbet’ për t’u parë!
Disa që e mbrojnë
Të drejtën për besë,
Janë sikur litari
I futur në thes.
Sa lëndë po zverdhën
Në sirtarë palë-palë,
Janë duke u fshehur
Nga një kod penal.
Tani nga Presheva
Vjen tjetra padi,
Për dy milionëshin
Që kërkon drejtësi.
Këndej nga Lugina
Thuhet me shaka:
- E ka ngrënë ujku
Kur humbet diçka.
Për të mos humbasur
Sa për sy e faqe,
Mos lejoni miun
Të ec nëpër mustaqe.
Po e mësoi rrugën
Me nder ky gjitar,
Drejtësinë do ta keni
Me kokë në bunar.
Eh! - korrupsioni
Nuk zhduket për farë,
Me ata që rrinë...
Prej vitesh nën dardhë.