Dekadat e Referendumit
Vitet shkojnë e vijnë, sikurse një lum
Referendumi ynë, po plaket si shumë.
U mbushën 31 vjet, të gjitha me rend…
Klasa politike, nuk po mbushet mend!
Dekada e parë, Referendumi në Luginë,
Populli liridashës, voton Autonominë,
Pastaj bën një luftë, me shumë ideale,
Për të përfunduar, në pushtete lokale.
Dekada e dytë, vjen me tjerë këshilltarë
Formohet Këshilli Kombëtar Shqiptar.
Si dhe ndonjë deputet, ulur në Parlament,
Që desh u bënë copa, në garë për pushtet.
Dekada e tretë, nuk ishte vetëm me një opsion:
Bashkim, Autonomi, Reciprocitet, Asociacion,
Të gjitha me radhë, pa një koncept pragmatik
Nga Lugina, Prishtina, Tirana e deri n’Amerikë.
Kur shkojnë në takime, liderët ndihen me siklet
Secili e mbron troç, opsionin e subjektit të vet.
Ngase Unitetit, që moti i ka vdekur mamaja,
E shkelësit e tij, i ka dalldisur lakmia e paraja!
Dekada e katërt, sapo ka filluar me teke e huqe,
Për disa parazitë, që janë mësuar me kolltuqe.
Të cilët nuk mërziten, për t’punuar më shumë
Veç kujtimit: “Na ishte njëherë, një Referendum!”
(Karikatura marrë nga interneti)