Në Mokër ku rrugën mora
Në rini kur jeta ndriti,
Tungjatjeta, or Maliq Torra
Stinë pas stine e vit pas viti…
Gjashtëdhjetë e tre behare jete
Të rrinë ballit si kurorë
Çelin lule, blerojnë gjethe
Vijnë në vargun tim jehonë…
Si Mësues e ndoqe ëndrrën
Derë më derë e prag më prag
Mokrarëve ua fale zëmrën
Fjalë e dije tue përflak…
Ku valojnë të fjalës fllade
Poezinë situr në sitë
Si zambak fletët ia hape
Vargun deshe porsi sytë…
Koha rrjedh e stinët ikin
Gjurmët mbeten mbi eter
Se në udhë jete ndritin
Dashuria frymë merr…