Nuk kemi nevojë
për gjëra të shëmtuara
as për miq e shokë
me fytyra të maskuara
As për vëllezër e motra
me zemër të brishtë
që ecën të pasigurtë
me hapa të trishtë
As për lëvdata e dekorata
nevojë ne nuk kemi
ngase ishim e do të jemi,
vetëm këta që jemi
Nuk na nevojiten
fjalët me pompozitet
se edhe pas shpinës,
dëgjojmë plot, sa një det
Por ne, o miq të dashur,
në jetë e kemi parim
që kokën s’e kthejmë pas,
as prapa s’bëjmë kthim
Ecim bashkë me kohën,
hapat i qesim përpara
jo s’kemi komplekse,
shqetësime, as andralla
“Më munde, të munda”
Me tonin s’bëjmë gara
Si ju jemi njerëz, të tërë
të rëndomtë, të thjeshtë
Por të zezës e bardhë,
jo s’i themi dot n’jetë
Nuk i thamë as dje,
s’i themi sot, as mot
se kemi fjalë e besë,
që s’i thyejmë dot
Mbretër e gjeneralë
për punët tonat vetë jemi
jemi miq e vëllezër
me ata që pranë i kemi
Respekt dhe nderime,
të gjithë i admirojmë
e vazhdojmë traditën,
shqiptarisht jetojmë.