Nëntë shpirtra i ka macja
Ali Buza shkon për dhjetë,
Në Luginën tonë martire
Besëtytnitë nuk vdesin lehtë!
Ato rrojnë në kokat boshe
Në çdo kohë e në çdo stinë,
Me legjenda e gojëdhëna
Që të ngjallin lemerinë.
Thonë Drakula nga Medvegja
Edhe sot na ngjallë dilema,
Po nga ishte dhëndri Rexha
Kur e mbyti pela shqelma?!
Në Bilaç të Bujanocit
Dikur moti, jashtë ligji,
Ku paraqitej ndonjë lugat
Bënte nam vampiroviqi!
Nuk i linte n’faqe t’dheut
Gjakpirësit pa rezervë,
Anekënd viseve tona
Nga Tërnoci në Preshevë.
Sot legjendat e baladat
Nuk i kap askush me vesh,
S’ka nevojë për t’i mësuar
Kur i kemi midis nesh…
Kanë zënë vend në parti
Që mjerisht s’i kemi pak,
Nuk është lepuri si dikur
Na ka hy dreqi në bark.
Nuk na lë dy gurë bashkë
Mbi hapësirat ilirike,
Nëse s’dimë kë kemi Babë
Rrofshin nënat baladike!