Më pëlqen edhe kur ajo hesht n’qetësinë e vet
Zëri i fëmijëve t’braktisur edhe në atë botë e prek,
Buzëqeshje e përgëdhelje s’mjaftojnë as lot e vaj
Brengat nuk shterren edhe në amshimin e saj.
Kujna i përngjanë, gjithë e thërrasin Nëna Terezë
Me zemër e ngrohtë si dielli që fal botës plot rreze,
E gjethët e thara që thithin ujin e shpirtit mbi fletë
Derdhën n’krahërorin e saj të ngrohtë e marrin jetë…
Gjithë bota flet edhe n’heshtjen e saj në amshim
Shenjëtore e bamirësisë e njerëzimit pa dallim,
Ajo jeton, sikur diçka ecën me ato shputa të lehta
E ëmbël e buzëqeshur edhe në vargjet mia e gjeta.
Fytyra e saj n’rrugë e sheshe kundron në heshtje
Si pulëbardhë shkëputet nga udhëtimet e lodhura,
Por diçka nuk fashitet n’mesin tonë plot brenga
Aty ku uria e skamja akoma sundojnë përbrenda.
Sikur vala mbi valë që rrugëton pa u ndalë
Në një oqean të trazuar e një pus pikëllimesh,
Plot lule t’shkundura e t’lodhura për një pikë shi
Ajo e rrethuar si një fontanë shpresash me plot fëmijë.
Sa herë i ka duruar dhembjet e shpirtit pa masë
Sa herë pikëllimi e ka hedhur e ka përplasë,
Ku etje e uri e sundonin edhe shkëmbin e fortë
Atje ku mjerimi kërcënonte e përqeshte një botë.