Poeti shëmbëllen me fshirësin e pluhurit të yjeve, sidomos kur në vargjet e tij shpërthen metafora dhe fluturimi në qiell. Shpirti, ëndrrat, heshtjet, mallëngjimet, dhimbjet, meditimet mërgimtare, dashuria ndaj familjes dhe atdheut, janë disa nga subjektet që trajton Monda Hamitaj në korpusin e poezive të saj. Poetja na rekomandon t’i kultivojmë kujtimet dhe ëndrrat. Si e ndjen veten njeriu kur flet heshtja? Ka momente kur në vargjet e saj heshtja është një dhuratë hyjnore.
Thonë se kur në dashuri mbizotëron heshtja, është fundi i gjithçkaje apo është vetëm fillimi! Me paqën e shpirtit tim dhe në heshtje, thot autorja me fjalë të tjera: Kishim zemrat e mbushura me dashuri. Poetesha kërkon rrugët e zemrës, kurse heshtja është privilegj i njerëzve të matur dhe të mençur. Ka momente kur ajo flet më shumë se çdo britmë që do shkatërronte çdo gjë të bukur. Në rrugicat e heshtura heshtja të krijon mundësi për të reflektuar dhe për të zgjidhur në kohë çdo mosmarrveshje. Heshtja është arti i mendimit dhe pragu i çdo zgjidhjeje. Ka apo nuk ka heshtja edhe anën e kundërt të medaljes? Pse jo! Po ia japim fjalën: “Në pasarelën e mendimeve harruar/ Ti shfaqesh dhe gjumin ma trazon/ Vërtitesh rreth meje pa trokitur / Mos të lutem mos mu afro! / Ka vite që ajo rrugë eshte mbyllur / Tretur ndër vite, pa zjarr në gji/ Coptuar prej unit të vrazhdë prej teje / Lënë si jetime plot dhimbje në shpirt.”
Gjithmonë, në poezi, në pikturë, në muzikë, në kuptimin e njeriut, muzgu ka qenë momenti më poetik, më melankolik, apo madje, më nostalgjik i ditës. Tek-tuk, në spektrin e frymëzimeve të autores fanitet bota magjike e ëndrrave. E inspiruar nga ora simbolike e mallëngjimit, Monda Hamitaj u jep shprehje sentimenteve dhe mendimeve të mbështetura mbi botën që e rrethon, përmes bukurive të saj dhe diversitetit të saj të çuditshëm: “Në oazin e thellë të mendimeve, / Zhytem dhe dhimbjet i lexoj / Atje përhumbet filli i kujtimeve / Vrapoj t’i gjej, rrugën e ngatërroj. / Çuditërisht një rreze drite hapet / Shohë lotin që laget në shi / Pranë një peme me lule veshur / Kërcen syshkruara krahëhapur atje. / Tek i shikoja ashtu mendueshëm/ Lotin dhe vajzën atje larg/ Më pushtuan sërisht mendimet e stisura/ Që si diell e shi ngujuar më mbajnë.”
Ja loti i fjalëve dhe buzëqeshja e tyre! Pse bre aq fshehur po vjen, pyet autorja, dhe vijnë mendimet njëri pas tjetrit, Po i japim si prozë poetike: Ditët ngrysen mbi dallgët e dhimbjes. Koha përmbytet pak e nga pak. Ku vall t’ia gjej fillin ditës. Lamsh po më duket gjithëçka. Vargjet e Mondës krijojnë botën në mënyrë harmonike, duke i ndjerë dhimbjet, pa tendenca vetëmburrjeje apo egoizmi, pa i ngarkuar vargjet me rima klasike, duke na e dhuruar hijeshinë e botës dhe vlerat e atdheut, që janë krijuar ekskluzivisht për njerëz. (
GRUA
Në labirintet e shpirtit të dashuruar
Je ti që universin me puthjet e zgjon
Fshinë lotët prej dhimbjeve të shpirtit
Buzëqeshë serishtë si më i bukuri meteor.
Kush nuk u shashtisë prej hireve të tua
Dhe në dallgët e dhimbjes u zhytë me dëshirë
Kush s’u përhumbë prej syve të saj të shkruar
Dhe s’u çmend prej helmit të dashnisë?
Në kilometra zgjatuar Ajo ecë
Mes erës dhe sufferinës, në Shi
A ka rrufe që t’ia ndali hovin që i lëshon buzëqeshjen
Me rrezatimin e saj risjellë pranverën mes dimrit të ngrirë.
Ajo grua që me dhelet e saj gjynjëzoi malet
Hodhi prej fronit me qindra perandorë
Pushtoi mbretëritë me dashuritë e saja të fshehta
Tronditi universin tokësor kur zëri i saj gjëmoi.
Grua, tronditja e gjithpushtetshmja
Shpirtluaneshë e dashurive hyjnore
Pjalmimi më i shëndetshëm në universin e përjetësisë,
Rezonanca më apstrakte e shpirtit të pakompozuar
Që prej shekujsh i mban mbërthyer të gjitha dashuritë.
PUTHJET E TUA!
Si shtojzavalle u ule prej qiellit
Mbi liqenin e dashuruar u ndale
Fustanin e shëndritshëm e flake tutje
Trup zhveshur në liqen u ndodhe atë çast.
Mes valëve deheshe, trupin e freskoje
Flokët e arta i krehje me dorë
Në gjoks të liqenit zhyteshe dhe rendje
Matanë bregut mua më le të pagojë.
U shfaqe sërish mes ujërave të praruara
Pudrosje me ar’ valët e tij
Tek rizhyteshe sërisht mes tyre unë mekesha
Malli dhe dashnia më vlonte në gji.
S’në vjen turp të them së ato çaste i xhelozova
Kur valët e liqenit i puthje plot zjarr
Kur trupin e zhveshur i fale atij.
Në sytë e mi si i vetmi dëshmitar.
Prita më kot të më shikoje
Një puthje që larg të ma nisje ti
Dashnia të dyve na kishte rrëmbyer
Dhe unë sypërlotur që s’isha ai.
U largova trishtuar drejt territ të natës
Se drita jote s’ishte atje lart
Prej reve derdhej sinfonia e mbrëmjes
Që pritjet e mia i shtyu larg, shumë larg.
Tek ecja ashtu mes hapave të mpleksura
Provova që ta shoh sërisht atje
Ajo me fustanin e artë po ngjitej lart
Drejt qiellit syrin ma shkeli si për të thënë:
Po ngjitem të ndriçoj përreth!
PASARELA MENDIMESH
Në oazin e thellë të mendimeve,
Zhytem dhe dhimbjet i lexoj
Atje përhumbet filli i kujtimeve
Vrapoj t’i gjej, rrugën e ngatërroj.
Çuditërisht një rreze drite hapet
Shohë lotin që laget në shi
Pranë një peme me lule veshur
Kërcen syshkruara krahëhapur atje.
Tek i shikoja ashtu mendueshëm
Lotin dhe vajzën atje larg
Më pushtuan sërisht mendimet e stisura
Që si diell e shi ngujuar më mbajnë.
Zbres sytë në rrugicat e heshtura
Atje ku vraponte një kalë i bardhë
Krifa e tij tundej dhe shkundej
Mua më zgjoi të fshehtin mall.
Ashtu si ai, zemra ime e harlisur
Dashuroi si e çmendur në erresirë
Dridhej prej prekjeve e prangosur
E mbajti në dryn shpirtin e lirë.
Dhe thonë se prej kujtimeve shpirti meket
Dhe brenda tyre me një murgeshë ngjason
Une mendueshem u them pa frikë
Kujtimet si trëndafil shpirtit bulëzojnë.
Atje në pasarelen e mendimeve
Mbyll syte një çast, thellë frymoj
Shpirti më gufon, i dehur në gji
Shall të trëndafiltë më hodhi pranvera
Parfumuar në aromën dehëse të buzëve
Që pranverën e tundojnë.
NJË GRUA NË SYTË E TIJ
Lumë që rrjedhë pandalur në shkretëtirë
Cicërima e jetës që mëngjeset i zgjon
Oaz i pafund dashurie zhurmuese
Një kordhele e kuqe mbi flokët e ujëvares.
Buzëqeshje pranvere parfumuar nga puthjet
Kompozim i një kënge të pakënduar kurrë
Ninullë e spërkatur me qumshtin e gjirit
Ekuacion i mistershëm i pa zgjidhur kurrë.
Shpërthim i pranverës mes akullnajave polare
Muzë lirike që shpirtin e trazon
Nje lot i fshehur netëve te gjata
Një klithmë dhimbjeje që jetën e zgjon.
Dashuri engjëllore e qëndisur me ar’
Simbiozë e shpirtit në fluturim
Shi dhe furtunë ku thyhen rrufetë qiellore
E paimagjinueshme, vullkan
Nëse ia ke prekur dashurinë.
MË RRËMBEU, AH DASHNIA!
Më rrëmbeu e bekuara
Më rrëmbeu si çdo çast
Flakëroi në shpirtin tim
Më dha krahë, më bëri flakë.
Më degdisi në marrëzi ,
Atje ku shpirti dot s’duroi
Nëper borë dhe nëpër shi
Shpirti zemrën e pushtoi.
S’ndjeja ftohtë nga bora jashtë
Që mbi flokë më qëndronte
Që rreshqiste mbi gjoksin tim
Dhe të tërën më pushtonte.
S’kisha ftohtë prej prekjes së saj
Sepse zjarrin kisha në gji
Që më bënte zog me krahë
Rrebelonte shpirtin tim.
Më rrëmbeu ah, dashnia
Dhe me mua nisi të luaj,
Unë e bindur aq sa s’thuhet
Brenda saj zemra prush.
Më shndërroi në vullkan
Me llavë shpirtin ma pushtoi
Edhe pse dimri ishte nën këmbë
Zemra digjej, puthjet s'ndalonin.
TROKITJE NË SHPIRT
Në pasarelën e mendimeve harruar
Ti shfaqesh dhe gjumin ma trazon
Vërtitesh rreth meje pa trokitur
Mos të lutem mos mu afro!
Ka vite që ajo rrugë eshte mbyllur
Tretur ndër vite, pa zjarr në gji
Coptuar prej unit të vrazhdë prej teje
Lënë si jetime plot dhimbje në shpirt.
Unë e kryqëzova dhimbjen e shpirtit
E degdisa larg se shpirti s’e duroi
Si një oqean i qetë bregut flladitem
Ndaj të lutem këtu mos u ndalo!
Mos ndalo se të kam harruar
Vargut i them që mos të qajë për ty
Si rreze drite më shfaqet rruga
Ku zemra e braktisur gjen qetësi.
Atë qetësi që kurrë pranë teje s’e gjeta
Se suferinë dhe akull kishe në shpirt
Sot zemra ime ka shumë mall
Nje gotë me verë ta pijë por jo me ty!
Dhe do të thonë se u çmend prej saj
Dhe pranë asaj shpirti i kumboi
U dashurua me atë si e marrë
E piu me fund se fort e dashuroi.