Poetesha e frymëzimeve hyjnore me ndjesi të bukura

Kultura

Poetesha e frymëzimeve hyjnore me ndjesi të bukura

Nga: Baki Ymeri Më: 9 tetor 2023 Në ora: 07:11
Marina Moga

Poezia është rrëfimi më intim i zgjedhur i shpirtit. Është shpirti që prehet në prehërin e dashurisë. Poezia është dimensioni më i pastër që ka çdo qenie njerëzore. Poezia është një zonjë shumë e bukur, e drejtë, e ndershme, e denjë, e aftë, e turpshme dhe e tërhequr mes kufijve të urtësisë më të lartë. Ajo është shoqja e vetmisë, i kërkon burimet, i përkëdhel livadhet, pemët, lulet e mbulojnë dhe në fund, ajo vetë kënaqet dhe i udhëzon të gjithë ata që marrin pjesë. Poezia është makinë qepëse e fjalëve dhe barnatorja e ndjenjave letrare. Vargjet magjike janë si një erë e këndshme që e përshkojnë tokën. Ata janë uji, dielli dhe mendimi. Poeti është gjithmonë i etur për dashuri. A ka ndonjë forcë tjetër më magjike se forca e dashurisë? Vargjet e poetit kërkojnë shenjtorë dhe martirë, të parë jo vetëm si do relike për përkushtim.

Poezia nuk mund të pushtohet. Ajo kërkon të adhurohet dhe të shërbehet. Poezia është perëndeshë e madhe. A ka gjë më të bukur se të jesh zëdhënës i buzëqeshjes dhe ëndrrave të zemrave të fëmijëve? Vargjet e Zonjës Mariana Moga më kujtojnë të tjerët dhe që i krahasoj me një krijim të poetit të madh romantik Mihail Lermontov: Dallgë gjithmonë pas dallgësh,/ Kumbon deti i heshtur/ Rradha e njerëzve që pasojnë./ Vala e lirë nën diell vrapon,/ E lirë dhe e freskët përgjithmonë. (Valët. Populli). Poezitë e Marianës janë befasuese, me vlera të mirëfillta intelektuale, ndonjëherë të pigmentuara me sugjerime të mirësearrdhura. Dhe, pothuajse pa përjashtim, të artikuluar mirë, në disa nivele, poetja duke qenë e aftë për të mbajtur pezullin më delikat në sferën e kuptimit poetik.

Poeti është profeti që hap portat e parajsës dhe poezia e vërtetë fillimisht lind në frymën hyjnore, pastaj zbret në perandorinë e muzave dhe mund të pushtohet vetëm nga ata që janë të destinuar për pavdekësi. Gjithmonë e frymëzuar dhe e talentuar, Mariana Moga është bërë një zë i dalluar në bibliotekën e ndjenjave letrare. Poezia e saj lind nga gjendja e kërkimit, e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga etja për monolog në një kohë dialogu të nevojshëm. Përveç meditimeve të universit lirik, poetesha shpërndan mesazhe, detaje për jetën, në të cilat trazohet bota njerëzore. Ajo na ofron tekste të ndjeshme dhe të thella përmes autenticitetit dhe sinqeritetit të shprehjes së emocioneve në një regjistër stilistik të zgjedhur. Për të rregulluar vendin e saj në bashkëkohësi, mund ta bashkojmë atë mes poetëve që i japin një ton të ri lirizmit rumun.

Fjala e bukur poetike rumune u gjurmua edhe në këto komunitete bashkëkohore. Në themelet e panteonit të modernitetit poetik rumun, një kontribut meritor dha edhe “babai” i madh që do ta quaja poezi moderne, me në krye poetin Mihai Eminescu, i cili u pasua nga një grup poetësh si: Goga, Coşbuc, Arghezi, Blaga, Stănescu, Sorescu... Në kuptimin femëror, vazhdimisht mbi bazën e këtij moderniteti poetik, në panteonin e letërsisë rumune veçanërisht, militon një brez i ri, me në krye Ana Blandina, Gabriela Melinescu, Florica Bud, Camelia Radulian, Mariana Grigore, Beatrice Silvia Sorescu, Angela Cârcel, Mariana Moga dhe të tjerë. Ky grup poetësh bashkëkohorë e rimëkëmb ndërtesën e modernitetit me kodifikime të reja poetike, në kuptimin e risive universale të fjalës së bukur.

Mariana Moga na ofron poezi të frymëzuara dhe të shkarkuara nga zemra dhe shpirti. Ndjeshmëri, thjeshtësi dhe thellësi. Autorja shkruan një poezi reflektuese që shpaloset në disa shtresa medituese. Jehona e vargut të saj lind rezonanca të gjera, mbresëlënëse. Projektohen imazhe dhe tema përmes të cilave lirikat marrin formë ylberi. Ato janë të artikuluara në përballje fjalësh që i bëjnë përshtypje të fortë poezisë dhe krijuesit të saj. Poezitë e sajpasqyrojnë pikturën dhe kaligrafinë, dritën dhe hijen, një alkimi origjinale mes mendimit dhe tekstit, sepse poetja e mbart gjithmonë atë mister në tekst, vargjet e saj duke rrjedhur si një ngjyrë fluide në faqen e kanavacës së mrekullueshme: „Një dekor apokaliptik, me orë të ngurtësuara,/ Të shkarravitura në kohën e ndaluar nga Zoti,/ Mbizotëron kudo hijet, në një botë që po vdes,/ Duke zbritur pastaj në shkëmb mes glinës e xehes.”

Në mënyrë metaforike, autorja ndjen se poezia është pjesë e qenies së saj. Ajo dhe poezia. Çfarë dialogu i mrekullueshëm! Ajo kurrë nuk u ndje vetëm me të. Poezia nuk ka kufi. Fjalët, të njëjta. Ata shërojnë plagët, hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta shpengojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Në poezinë e Marianës zbulojmë një varg të pasur mendimesh dhe ndjenjash, në thelb një gjendje të botës në aspektin estetik, një rigjallërim të së tashmes së vazhdueshme, por edhe të kujtesës afektive.

Vizioni i saj poetik turbullohet nga pyetjet e mëdha ekzistenciale, me një shprehje lirike jokonvencionale, nga e cila shpërthen një ego e korsetuar nga të kundërtat, por gjithmonë e aftë për të gjetur përgjigje për nevojat e qytetërimit të përditshëm. Është një krijim lirik ndezës, madje dashuria është plot forcë, me shije tëpaharruar. E gjithë qenia poetike dridhet para mistereve të ekzistencës, me kujtimet e heshtjeve të lashta dhe mbivendosjet e gjeografive të brendshme antagoniste, që ngrihen magjepsëse nëpër shirat pranverore, kur liqeni e dashurisë është plot zambakë uji: „Një murmuritje nga altari i lutjeve të lashta./ Më rrethon trishtimi, në ritmet e kohës,/nuk ndjej asnjë dhimbje, nuk mundem më,/ i gjunjëzoj fjalët nën shputat e gjinjve,/ duke tundur trupin nga mjegulla e harresa./ Mes boreve të sëmura nga kaq shumë vërtetësi/ dridhem në ritmin e ziles dhe përfundoj me mall,/ kap qiellin, për të gjetur pasditet e vjedhura,/ dhe jam mbështjellë në re porsi një stuhi.”

Numrat janë specialiteti i autores, por kur shpreh mendime, ndjenja dhe ide, përdor me kujdes germat që e ndihmojnë të shprehet, duke pasur gjithmonë diçka për të thënë. Autorja e ndjen dhe e sheh bukurinë aty ku askush nuk e vë re. Fjalët e saj kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ata mund të sjellin në ekzistencë një regjistër të pafund ideshë dhe ndjenjash. Pra, imagjinoni se keni në dorë një violinë që keni marrë si dhuratë nga prindërit tuaj, pra një shpirt i ndjeshëm dhe delikat. Nëpërmjet saj, ju keni aftësinë për të transmetuar dridhjet e dashurisë deri në fund të botës. Megjithatë, varet se si e ke përvetësuar artin e transpozimit të aspiratave fisnike të shpirtit në realitetin e ndjeshëm: „Unë jam porsi një gjethe në vjeshtën e trazuar,/ Jam një histori e rrallë shekulli, ose ndoshta një mit,/ Më rrjedhin nëpër vena rradhë dhe malle guximtare,/ Dhe lart në Dealul Negru këmbanat po bien në vetmi./ Dhe në muzg të ditës, duke e lënë pas shpine shtegun.”

Mariana Moga është një poete me një shprehje artistike të pjekur, reflektuese, origjinale në fjalë dhe emocionin që i krijon dhe plason në vargje të paharrueshme. Poetesha rumune prezantohet para lexuesve me poezi dygjuhëshe (rumanisht-shqip). Ajo është një qenie me temperament, me natyrë të mirë, siç janë pak në letërsinë tonë bashkëkohore. Poezitë e saj janë të shkumëzuara si shampanjë që deprëton në shpirtin e etur për dashuri dhe puthje të ëmbla. Kalimi i kohës ngjall nostalgji në shpirtin e poetes, e cila ndjen se nuk i trembet dimrit të ekzistencës, si në shtëpinë e nënës së saj: „Pylli po më fton të qëndroj në strehim./ E paguaj borxhin tre vargjeve që mora me vete,/ Duke shkelur gjurmët e fshehura në glinën pa kuptim./ Në gjak ndjej sesi ngrihen ndjenjat nga Testamenti,/ Burimet e dritës që pëshpëritin nëpër mjegull,/ Fjalët më shtypin, me ritme mallkimtare,/ Dhe malli i tyre më djeg drejt mëngjesit.”

Fjalët e poeteshës janë flutura të metamorfozuara në mendime. Të gjitha këto kalojnë në menditimet e poetes duke përvijuar një profil lirik mbresëlënës, real dhe origjinal. Nga fryti i ëndrrave të saj, ndjejmë tingujt e psherëtimave tona. Të dëgjuara vetëm nga ne, në universin e përjetshëm. Poezia e autores është e ngarkuar me imazhe specifike, të cilat jo vetëm shprehin asociacione, por edhe tema shpesh befasuese. Zbulimet filozofike janë gjithmonë të veshura me marrëdhëniet e thjeshta të jetës së përditshme. Kaligrafe e gjendjeve dhe turbullirave shpirtërore, Mariana ka guximin të thotë të vërteta, të rikrijojë jetën nga copëza ëndrrash dhe sekretesh. Dendësia e ideve, vrulli i llogaritjes verbale, zbulon një jetë të përditshme, të butë ose të trazuar, por jo banale në thelbin e saj. E gjithë kjo është dëshmi e një poezie të thellë, e vaditur nga kaq shumë mundime shpirtërore, e hijeshisë së disponimeve të mirëfillta lirike.

Mariana Moga është poetja e përmallimit dhe një burim mrekullishë që qetëson çdo mundim të brendshëm. Ajo është arkitektja që riorganizon poetikisht botën, sipas shpirtit të saj, aq të thellë dhe misterioze. Autorja rindërton një rrugë për të dhënë një përkufizim të shkretëtirës që na pret nëse nuk gjejmë forcën të njohim përjetësinë e poezisë. Pronarja e këtyre vargjeve është një qenie e trazuar nga natyra e saj. E bukura hyjnore në poezi, zgjon shqisat e dremitura. Vargu i Marianës na mbush shpirtin me ndjenja të bukura. Ka vetëm një gjë hyjnore në zemrën e saj: Dashuria: Nostalgjia e autores është e qetë. Intensiteti i ndjenjave është i jashtëzakonshëm. Mariana Moga nuk është poetja e heshtjes apo habisë. Ajo është një dhuratë hyjnore me aromë arbërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat