Mbretëresha e shpirtit me vlera të veçanta letrare

Kultura

Mbretëresha e shpirtit me vlera të veçanta letrare

Nga: Baki Ymeri Më: 13 tetor 2023 Në ora: 20:47
Foto ilustrim

Poezia është barnatorja e sentimenteve letrare. Vargjet magjike shëmbëllejnë me një erë të këndshme që e përshkojnë dheun. Ato janë uji, dielli dhe mendimi. Poeti është gjithmonë i etshëm për dashuri. Ka ndonjë forcë tjetër më magjike se sa forca e dashurisë? Vargjet e poetit kërkojnë të shenjtër dhe martirë, të parë jo vetëm si do relikte për përkushtim. Poezitë e Ana Xh. Hoxhës janë befasuese, mbresëlënëse dhe me vlera të larta atdhetare dhe intelektuale. Ato janë të artikuluara mirë, në disa nivele, kurse autorja është e aftë për të mbajtur pezullin më delikat në sferën e kuptimit poetik.

Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe drita e dashurisë. Nga lëndinat e lulëzuara të diasporës shqiptare, Ana Xh. Hoxha vjen para nesh me një spektër të ri frymëzimesh lirike që mund të konsiderohen si perla poetike. Rrallë herë kam patur fatin të njoh një poete patriote me një temperament të pasionuar për letërsi, që din të deshifrojë kajmakun e vlerave, motivet dhe idetë, por sidomos ato rrugë që shpiejnë nga konkluzionet e ekzistencës së disa rrënjëve të lashta kombëtare.

Mu për këtë, dashamirët e saj që i shërbejnë shkrimit, e pranojnë me përzemërsi në kompaninë e tyre, si një vlerë të rrallë, si një misionar i ftuar për rikonstituimin e një miqësie të lashtë. Libri i mirë është ai që e kultivon shpirtin me ëndrra, mendime dhe kujtime, me shprehje të rralla dhe emocione të gjalla. Nuk është as libri i parë dhe as libri i fundit i saj, por njëri nga vëllimet më të suksesshme. Poezia është një forcë e gjallë e vitalitetit shqiptar, një album meditimesh me tingujt e gjallë të shqiptarizmit. Ana dëshmon se e ka përvetsuar teknikën e artit dhe historinë e ndjeshmërisë, duke e ndjerë gjuhën shqipe si një xeherore të florinjtë për të krijuar vlera të reja. Ajo është një shpirt i florinjtë që e kupton letërsinë si një ansambël meditimesh sociale, erotike, patriotike dhe filozofike.

Poezia është dëshmi e dashurisë, kurse femra te shqiptarët është një krijesë magjike për zbukurimin e botës. Një nga poezitë më të bukura të Anës mban titullin „Jam krenare që jam shqiptare”. Nuk ka poet që nuk e ka përjetuar dashurinë e vërtetë gjatë jetës së tij. Poeti e konsideron femrën si një zjarr të shenjtë. Dashuria është zjarri i bekuar që të jep fuqi dhe shëndet. Poezia të dhuron rininë e përjetshme, dritën e jetës dhe dritën e dashurisë. Poeti është zogu që i zgjon fjalët nga gjumi. Poeti ëndërron se si ngjitet në qiell dhe shëtit nëpër yje, nëpër shekuj dhe nëpër fjalë. Dëshira e tij është të lumturojë zemra, të përfitojë famë dhe të arrijë në botën e përjetësisë, përtej hënës, përtej diellit dhe përtej yjeve. Këtë e thot edhe autorja e kësaj vepre: „Me qumshtin e qiellit/ Me puthjet e ëmbëla/ Me rezet e diellit/ Dashuria do t’i përqafojë/ Lutjet e ngecura ndërmjet/ Fjalëve që nxitojnë/ E pafajësinë e harrojnë”

Arti poetik është një koncept me një karakter normativ, specific për estetikën që regjistron një ansambël rregullash e normash lidhur me ëndrrat dhe realitetin, lidhur me jetën dhe vdekjen, lidhur me dashurinë dhe lumturinë, lidhur me kohën dhe përjetësinë, duke respektuar teknikën e letërsisë. Poezia afron njerëz, kombe dhe kontinente. Poeti është misionar i fisnikërimit të shpirtit dhe zbukurimit të gjuhës. Vargjet e poetit të prekur nga flatrat e engjëllit kanë perfeksionim, risi, ndjesi, pavarësi, muzikalitet, tinguj dhe jetë.

Poezia lind nga lufta që shpërthen në shpirtin e poetit. Sipas Friedrich Schlegelit, ajo krijon lidhje me shpirtin e të gjithë atyre që e lexojnë dhe adhurojnë. Pa qenë të dashuruar, vargjet nuk mund të kuptohen, ndjehen apo pranohen nga shpirti. Në vargjet e Ana Xh. Hoxhës, zotëron dashuria ndaj atdheut, Zotit, familjes dhe vendlindjes: “Që të çapëlosh dalngadalë/ Me kohën tënde – përrallë/ Shijoje jetën për së mbari/ Duke e provokuar zemrën / Që t’i ndjesh mrekullitë[ E kësaj bote hyjnore...” Dhe më tej: „Hidhe pluhurin e harresës/ Përdore mendjen shumë/ Jepi përparësi shpresës/ Që të ecësh me besim/ Me ndjenjat e çiltërta/ Duke i besuar Zotit”

Poezia e mërgimtarëve tanë i hapë lexuesit një dritare të re ndaj botës. Përmes aventurës së saj nëpër oqeanin e fjalëve, përmes forcës së saj të jashtëzakonshme, poezia është një nga portat më të sigurta për dalje nga vetmia. Poeti noton ndërmjet ëndrrës dhe realitetit. Ai din të joshë vëmendjen e lexuesit duke u dhënë vargjeve të veta shpirt, mendim, kuptim dhe ndjeshmëri. Dhe jo vetëm kaq! Poeti din t’i japë lexuesit një copë nga jeta erotike dhe nga jeta patriotike. Pa një dhuratë të këtillë shpirtërore, bota zakonisht duket e mbyllur. Sipas dëshmive konkrete të poetëve tanë, jeta është një copë kohe me copëza shpirti. Koha nuk ndalet, thot poeti: “Ajo nuk na fal/ As nuk pret,/ Ecën si uji nën urë/ Nuk kthehet kurrë.”

Ana Xh Hoxha është si shqiponja që mediton e flatron. Fjalët e saj shëmbëllejnë me flutra fluturuese, që përvetësojnë zemra, dhe ulen për të pushuar, në simfoninë e heshtjes. Pastaj çohen e vallëzojnë, kur nga qielli bien të rreshura ëndrrash, si do valë të mëndafshta, që ua freskojnë shtatin, vashave të dashuruara Poezia e Anës shëmbëllen me një nuse të puthur nga engjëjt. Arti është pjellë e imagjinatës. Hija e hijeshisë që i ringjall iluzionet dhe ëndrrat. Pasqyra e shpirtit poetik është simbol i hijeshive të jetës, ku zbulojmë ikona të gjalla. Poezia është dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit. Në vargjet e kësaj vepre shungullon jehona e një ndjeshmërie të brishtë. Aty ballfaqohemi një dashuri vullkanike dhe me prodhimin më të zgjedhur të meditimit, ku lartësohen ndjenjat.

Poeti vjen nga largësia apo nga tanishmëria prezente dhe shkon në ardhmëri nëpërmjet gëzimeve e shqetsimeve dilematike të fiksuara nga historia. Që të mos mbetet i vetmuar, atë e lexojnë, e inkurajojnë, e ndjekin dhe mbështesin njerëzit që gjatë kësaj rruge t’u bëjë ballë rreziqeve, duke i dhënë impuls për të vajtur nga drita në dritë. Poeti është prezent në destinet e atdheut dhe ai ndikon që jeta të përfitojë kuptim në hipostaza të ndryshme. Për çdo ditë, duke u ngjitur, ai afrohet pranë zhurritjeve të mëdha bashkëkohore, duke mbajtur shëmbëlltyrën e botës së ëndërruar përmes kohës së tij, duke qëndruar kështu në ballë të turmave, njësoj si dëshmorët e kombit.

Pa poetë dhe pa heronj, historia duket e ftohtë. Ana jeton dhe krijon në Nju Jorkun e famshëm dhe sharmant, që na fanitet plot salltanete mëndafshi dhe kadifeje, një qendër e stolisur me ritme valsi, me biblioteka, piktura, poezi dhe dashuri. Në qendër të kësaj vepre zotëron gruaja e lëngshme, dashamire ornamentesh, ajo vetë një ornament i këtij arti të robëruar nga fama e poetëve tanë dhe të huaj. Më pëlqen ta shijoj lirikën e saj si një ilustrim të tipit human që e promovon. Ndjeshmëria që e fisnikëron është vetëm një dukje pikturale. Poeti është karrocieri i përjetësisë, që e përçon parfumin e dashurisë. Mendimet rendin pas tij palë-palë. Gjithmonë ai ngutet për në treg, për t’i mbushur tryezat me fjalë. Poeti mbetet gjithmonë i ri, sepse ky është misioni i tij: Me pak fjalë të thotë shumë, që të shtyn t’ia rilexosh librin, para se të fluturosh në gjumë.

Poezia është pasqyrë e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta „ngarkosh” vargun me dritë dhe emocion! Poezia ka në origjinë një përjetim shpirtëror, më shumë apo më pak kompleks, më shumë apo më pak të organizuar: një emocion, një ndjenjë, një pasion, një imagjinatë, një aspiratë. Poeti autentik, sipas një eseisti të huaj, për dallim nga jopoeti, e josh lexuesin me një shprehje lirike ku zotërojnë vibracionet e pastra psikologjike. Poezia e mirëfilltë është një formulë magjike. Ajo është zanë mali apo zana e ujërave, zana e zanave apo mbrojtësja e mrekullisë që mba në duart e saj krejt yjet e qiellit. Poezia e Anës është qumshti i jetës dhe drita e dashurisë, ndërsa ideatori i kësaj vepre, Eduard M. Dilo, është misionar i fisnikërimit të shpirtit me vlerat e gjuhës që shkruhet atje ku duhet. Rruga e poezisë është barabartë me rrugën e dritës, me rrugën e mendimit, me rrugën e ndriçimit të mbrendshëm.

Gjërat ndërlidhen njëra me tjetrën. Përt ta kuptuar aktualitetin duhet ti rikthehemi të shkuarës. Jo vetëm në histori por edhe në art, muzikë, pikturë dhr kulturë. Duke iu rikthyer vëllimit paraprak (Prekje të ëmbla), kuptojmë se Ana Xh. Hoxha është një vullkan frymëzimesh lirike që krijojnë një univers energjishë hyjnore. Ajo shkruan për prekje të ëmbla dhe dritën e dashurisë që i jep kuptim aktualitetit dhe përjetësisë. Ana shkruan për dashuri magjike dhe mrekullitë e jetës, për dritën e nostalgjisë dhe mashtrimet e jetës, për valët e stinëve dhe zjarrin e dashurisë, për frymën e shenjtë dhe përjetësinë e dashurisë, për shpirtin e fjalës dhe lulet e kujtimit, për dallgët e jetës me dëshmi dashurie, për befasitë e jetës dhe fatin e njeriut, për mbretërinë e heshtjes dhe lodhje të ëmbla, për vetminë e shenjtë dhe dashuritë e degdisura, për etjen për jetë dhe befasitë e jetës, për fluturime hyjnore dhe misteret e vetmisë, për vdekje të ëmbla dhe zgërbonjat e territ, për trojet e heshtjes dhe pabesitë e dashurisë, për meditime atdhetare dhe krenari kombëtare, për dasmën shqiptare dhe rizgjimin e Arbërisë.

Këto e subjekte tjera, Ana i prek edhe në librin e saj më të ri (Dashuri vullkanike). Pse? Sepse sipas saj: „Inteligjenca jonë / Është xeherore e diturisë/ Dhe kështjellë e dashurisë/ Që e freskon burimi/ Ku kultivohet dashuria/ Mirësia, lumturia e durimi/ Mençuri n’përmasa botërore/ Që na pajis me dritë hyjnore.” Në vargjet e Anës shpërthen drita e fjalëve dhe parfumi i dashurisë. Poezia është lufta e fjalëve që burojnë nga zemra, sidomos kur poetja shkruan për vlerat e atdheut ku zotëron drita dhe femra. Poezia është një ndjesi e shpirtit njerëzor, dhuratë hyjnore e një momenti të caktuar. Jo rastësisht e zgjodhëm këtë poeteshë të re për botim dhe afirmim.

Ana Xh. Hoxha është vullkan i pashuar dhe një burim i pashtershëm i energjive krijuese, një nga poeteshat më të talentuara në materie të poezisë së dashurisë dhe lirikës patriotike. Lirika e Anës nuk është as feministe dhe as pesimiste, por një vullkan dashurie dhe lokomotivë ideshë me vlera reale dhe optimiste. Pse? Sepse Ana din ta ngarkojë vargun me shpirt. Të flasish për poezinë dhe sentimentin, duket një subjekt i njohur dhe i pranuar, kurse simbioza e këtyre dy elementeve duket e kuptueshme. Në të vërtetë, nuk mund të mohohet raporti i poezisë pa prezencën e sentimentit. Poezia lirike nuk mund të krijohet pa emocione, ndërsa emocionet janë dhunti e lindur, e kultivuar dhe bekuar e poetit të mirëfilltë.

ME SHPIRTIN E NDRITUR

Mirësia e njeriut
S'ka fund në jetë,
Atje ku dhe dreqi
Nuk ka vend...
Ndaj po kërkoj ta mbroj
Vetëveten time
Me jetën e bukur
Me zemër të mirë
Me shpirtin e ndritur
Jetoj duke e ditur
Se do ta fitosh
Parajsën e përjetshme,
Bashkë me lirinë tënde
Edhe në botën tjetër
Përsëri do të quhesh Njeri!
 

FATI I NJERIUT

Mirësia i takon gjithkujt në jetë
Edhe pse gabon herë pas here,
Mos mendo kurrë pse
Njeriu lind me të meta
Edhe nga padija e jetës
Edhe nga mosha e njohu
Fatin e tij,
Ku dhe çudia nuk njeh emër
Por vetëm fakte...!

KËNGË DASHURIE

Në çdo gjë që shikoj
Në çdo gjë që mendoj
Në çdo gjë që veproj
Unë e marr frymën
E shpirtit tënd në erë.

Ty ta dhuroj lirinë
Pranë zemrës sate,
Në emër të dashurisë
Për pranverë betohem.

Për çdo gjë që shkruaj
Mëndja ime është e vërtetë,
E vetmja në ngjyrën e gjakut
Ku gjallërojnë dashuritë...

Kur të them Ty:
Të dua shumë,
Me shpirt ti mua
Më beson,
Sikur je ti vetë...

Kënga ime do të dëgjohet
Në çdo zë që më lexon,
Në fjalët e tua,
M’i kupton mua vargjet
E dashurisë sime përjetë!

Mos harro kurrë njeri
Se zemra nuk luan kurrë,
Me puthjet e dashurisë
Në emrin e paharruar.
.
Ajo mbetet legjendë
E kohërave ku
Historia e ka shkruar
Nën gurë të gdhendur
Me fjalët e shenjta:

Po digjem për ty -
Zemër të dua shumë!

NË MBRETËRINË E HESHTJES

Jeta e jonë një hërë përjetohet
Ti je e vetmja që merr frymë,
Kur era po vjen te ti e dashur
Duke u përplasur në zemrën tënde!

Ti je ajo që po i ndjen trokitjet
Që preket si dëshmi të vërtetohet,
Të thërret ty dashuria që (s)dëgjohet
Pasi lexohet ajo që thyhet mendërisht!

Aty të kujtohet prapë historia në heshtje
Si çdo dashuri dhe kohë do të mbështetet.
E dashur e madhe e fortë ajo mbijetohet,
Si bukuria që pranverojmë ajo të lumturon
Atje ku beson se jeta është zëmra që vajton!

Por gabohesh/lëndohesh si mosha që shpejt
Zuri pak vend pas mendjes kur i iku,
Sepse qejfi kuptohet pasi të ndëshkohet
Sipas dëshirës e urrejtjes dhe vuajtjes,
Që pa dashur e përkëdhël dhe e nxit ditën!

Nga rrezja si drita lëshon pamje
Ku ti e lakmon si mendja e lehtë,
Që të bëhet si hija e lëvizjes pas teje,
E ti pas i kallxohesh porsi kufomë
Në mllefet që i ndjen afër e i verbër!

Nga dashuria e parë filloi humbja
Ku bukuria e inati ju pagëzohet si nata,
Për gjithë jetën ti e kërkon po atë të vetme
E cila të përbuz ty, mënjanë si ikonë!


Ku s’e din as vetë se je manekin e saj
Si dje edhe sot ngelë i njëjtë në klasë,
Dhe s’e din më se kush ishe e kush je,
Si njeriu mëndjelehtë që gaboi kudo në kohë!|

Është kjo jetë si cigarja që po e ndez
E të bën lojë sikur të heq mërzinë,
Ku të duket bota e gjerë e nuk shuhet shpejt,
Kur ta lëndon shëndetin që ndjen vonë
Edhe pse i ke buzët e kuqe me zemër...!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat