Kryeministrat nuk i bënë bashkë
As “Kombëtarja” jonë në sport,
E lëre më në fushën e politikës
Që sillen dhe mbështillen si rrotë.
Kush rastisi t’i shoh ashtu të ndarë
Në një ndeshje, kaq spektakulare,
Madje, për të mos thënë më keq
Pa plis n’kokë e shenja kombëtare.
Ky skandal, mos t’përsëritet kurrë
Thanë mes tjerash, tifozët kuq e zi,
Që kishin ardhur nga të gjitha anët
Për ta mbështetur nënën Shqipëri.
Një adhurues i futbollit pas ndeshjes
Iku nga kish ardhur prej viseve etnike,
Të paktën tha: në sport, art e kulturë
T’mos ketë sikur tani dallime politike.
Për shkak inateve, përçarjeve, ndasive
Interesat partiake shpesh bien në gjunj,
Ashtu si thotë bukur, urtia popullore:
- Dy atllarë nuk lidhen me një kunj!