Këtu pushoj dremitjen time,
e zhvesh ëndrrën
e luaj me gjethet
e saj
Midis degëve,
si në rreshta libri,
lexoj retë si vijat
e pellëmbëve të mia,
më çojnë
në vendlindje
Hija e tij
i bën dashuri hijes time
zogu i verës, shtegtar
tani në kthim,
më thotë,
më ruaj shtëpinë, çerdhen
në zgavrën e lisit përmbi
më falë vjeshtën
e dimrin
të tymos fatin tim
Unë dhe zogu
shkojmë e vijmë,
as nuk shkojmë
e as nuk vijmë
Lisi, hije rendë
me rrenjët
në gji të tokës,
luan e tallet me mua
e me ty
o zogu i mirë.
DITA E FAMILJES
Shtatë ditët e javës
Pak janë për të varfërit
Për të pasurit,shumë.
Edhe një ditë dua të shtoj
Atë të familjes
Nga e diela
Në të shtunë
Pasuria me varfërinë
Në ekuilibër të rrinë
Dhe t`ia dallojmë
Secilës kufinë…
VARGU IM
I var germat në rreze të hënës
Në shpirtin e deteve i trazoj,
Në terr e në dritë
Në dritë e në terr,
Kur gjurmoj përditë
Riga lotësh
Të të ikurve
Nga ty atdhe…
Qielli me gushë kaltërsie
Qielli që ngjyra ylberorë ruan
I mëson zogjtë e tij
Të mos e harrojnë folenë…
Vargu im bëhet fije bari
Për çerdhe,
Vargu im bëhet mall vitesh
Si dallgë
Që rreh dhe u flet
Brigjeve të ikjeve…
Dhe shfryen gjëmimet e brengave
Ku thahet çdo lot