Kur isha fëmij - si sot e mbaj n’mend,
sahatin e gjyshit në mur t’dhomës
ndër sende tjera, varur n’rend:
ishte katërkëndsh, me kulm si piramidë,
me elegancë stolisur ata trupa gjeometrik
prej druri ngjyrëgështenjë e metali ngjyrë t’argjend,
andaj, ishte relikt ngashnjyes për shumëkend.
Këtë sahat e kurdiste me kujdes çdo natë,
dora e praruar e gjyshit ndjesë pastë,
saora zembereku vënte n’lëvizje dy akrepat shigjetë
të cilët matnin pulsin e kohës që tretej qetë-qetë
sipër fushës rrethore ndarë në pjesë, dymbëdhjetë.
Me luhatje ciklike të lavjerësit magjik,
n’çdo çerek kumbonin tinguj t’këndshëm ritmik
dhe jehonin skutave të shtëpisë së drobitur -
atmosferën n’shtëpi - për t’mos u venitur.
Nuk di si m’doli nga mendja - i gjyshit një rrëfim:
nëse sahatin e pat blerë, … apo e kishte trashëgim ?!
ka t’ngjarë se heshtja gjysmëshekullore, që n’pakthim iku,
t’ketë bërë të veten, more lum miku !
Vallë, nëse ky kohëmatës - qe apo jo me fat,
sepse shpëtoi i virgjër prej dëmtimit, … furtunave t’kohës,
por tani s’flet më me gjuhën e dikurshme: tik-tak
duke ngel legjendë memece e një zamani në sy t’botës.
Edhe n’këtë gjendje t’pa dëshiruar,
e ruaj me xhelozi këtë pasuri të trashëguar,
prandaj e kam varur në mur
ashtu si gjyshi im dikur
prej nga, sikur reflekton krenarisht
nderin dhe dinjitetin e gjyshit – njëkohësisht,
i cili, m’u duk se qante me sy dhe qeshte me zemër
kur shpërtheu me zërin e mekur:
O, nipi im mua jeta m’u sos nën sahatin e vjetër,
vazhdo ta ruash dhe me te ta mbash miqësinë,
pa ndarë dot edhe dashurinë,
sepse këtë bukuri të paepur që po ta lë kujtim
e ke dhuratë nga palca e shpirtit tim
si t’rrok nostalgjia të gjesh ngushëllim!