Shkruesit e vargjeve shtohen pa rritur si shkurret
Poetët e paktë, si bredha të bukur, të lartë,
Lukunia e shkurreve qelqit digjital turret
S'ka më doganë të merret me shkrimin e artë.
Poeti ynë hesht burrërisht dhembshur
Për qytetin eshtragërryer në furtunë,
Për shtetin tonë liridashës çapaçul i shkulur
Për djalin e tij me universitet, poet e punë.
E... shpirti i tij pashfaqshëm çarë më dysh
Brenga mban sa mban barku i këtij dheu,
Ka të drejtë me pashë të na thotë: “Hiqmuni sysh!”.
Tek qartësonte imazhin tonë mjerisht të zbehur.
Ç' qytetarë të përndritëruar jemi të qytetit,
mirë firmë e vulë, por nuk kemi as zë fare,
detashment me frymë drite për vendin e poetit
po s’u bëmë, na hëngrën krokodilët me kollare.
Mua më vjen turp të takoj Hiqmetin në Vlorë,
Dhe malin, dhe lumin sikur mbaj mbi supe,
Djali i tij pastron qytetin nga mbeturinat, kur ca të gjorë
Të paturpët hanë bukën e ditës me turpe…