Gjatë fushatës një politikan,
Vdiq gojëhapur, ndër jorgan.
Dhe papritur në botën tjetër,
I del përpara Ati Shën Pjetër.
I drejtohet me shumë mirësi,
- Mirë se vjen në përjetësi!
Ku do t’shkoni, zgjidh e merr:
- Në Parajsë, apo në Ferr?!
Para se të merrni një vendim,
Keni dy oferta në disponim.
Shkoni nga një natë provoni,
Ku t’ju pëlqeje, aty qëndroni.
Politikani u ngjit në Parajsë,
Sheh të mirat e krejt dynjasë.
Nga çdo anë lule e vasha hiri,
Me qumësht e mjaltë në gosti.
Por, në Ferr ishte më ndryshe,
I dalin përpara dy dallëndyshe.
E kapin e joshin nëpër kolltuqe,
Me raki rrushi e verë të kuqe.
Ç’të kapin sytë andej matanë,
Disa pushtetarë dhe politikanë,
Që dikur, kishin shkuar në Ferr,
Këndonin dhe pinin sikur derr.
Të nesërmen e pyet Shën Pjetri:
- Ke vendosur te njëri, apo tjetri?
Po, Ati im, me gjithë dëshirë,
Vendosa në Ferr, ishte më mirë.
Kur zbret të nesërmen për në Ferr,
Politikani i shastisur, stepet në derë.
Plot mbeturina, politikanë mjeranë,
Që hanin e pinin, fëlliqtë në sahanë.
Zgurdullon sytë politikani i zemëruar,
Me vajin në buzë, duke murmuruar.
Mbrëmë panë sytë, krejt diçka tjetër,
Tani po më flet ndryshe, o Shën Pjetër!
Po ashtu është - tha shenjtori shkurt,
Dikush shumë lirë i shet edhe drutë.
Dje ishte fushatë zgjedhore elektorale,
Kurse sot votove, të rroni me ideale!