Poezi nga Brixhilda Dede

Kultura

Poezi nga Brixhilda Dede

Nga: Brixhilda Dede Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 12:02
Brixhilda Dede

FENIKS

Nuk mundem të bëhem yll,

të vij tek ti.

Por,

shkreptimave të blusë së errët magjiplotë,

ja u dalloj shikimin,

arterie zemre kur therr.

Hënës, si lutem të më zbrazë hiroglife dashurie.

Trokitjet,

poreve të qënies ndiej.

Prekjen ajrit s' mund t'ja ndal tek shtrin gishtat lëmuar lëkurë.

Malli i gjallë,

shkrumbon, djeg.

Flatrave të shpirtit nuk mundem t' ju pres krahë,

S' jam hyjni.

Obilisqesh zemre të mbaj shtrënguar thellë,

Në fshehti.

Adhurues i perëndeshës së hirit femëror,

zjarr kozmik.

I tempullit të Heliopolisit, altar.

Ti më vdes e përsëri, ti më ringjall.

KUR SHPIRTI ARRATISET

Ti u lumturove nëna ime,

Kur u largova nga zhurmat e dynjasë, ajo rrëmujë.

Brenda skutave të trupit më klithnin zëra,

dhimbje e largasës, derdhej në lotë pikëllim.

E unë, që kurrë s' isha larguar prej teje,

drithërima më ngrinin gjakun, sillnin trishtim.

Drejt botës së panjohur ikur.

Ti, mbetur i vetmi ngazëllim.

Rebelohesh, teksa ankthi gjezdis mendimeve.

Teksa ditët shuhen me heshtjen, bëhen hi.

Turbullohen qiejt, ajri ftohet,

Thika, shpojnë trupe në vetmi.

Fillikate kur mbetet nëna.

Një pjatë më tepër tryezës vë.

Mendimet ushqen me ëndra.

Vitet kalojnë në heshtje.

Vegimet, vijnë hije rënda.

Mu hëngrën ditët më të bukura.

Ditët e parrëfyera, më hapën plagë.

Përpiqem të përmbaj veten nga lodhja.

Si një qiell i zjarrtë buzëqeshur prej larg

E krisem,.. si shegë, pikoj gjak.

Ngadalshëm vjen hënë e kristaltë,

shpirtin dërguar në konak.

Kambanarja e zemrës kur nis kumbon

Yll bëhem, për ty shkëlqej prapë.

Gjatë flasim ëndrrash, sa gjatë.

Mos qaj nëna ime, sa jam gjallë.

Mes fluturimesh vij shpesh tek ti, të flas,..

Endrrën time, askush s' mund të ma vrasë.

PA ATDHE

Në tokë a ajër,..ku të hedh hapin?!

Rrugët, zënë janë.

Këndvështrimi pritet përtej hapësirës, facës së murit ndalet.

Ku të psherëtij qasjen e dimrit.

Bubullima trokasin dyerve hapur.

Vetëtimat, gjarpërojnë, pushtojnë qiej si Perëndia e Satanait të ketë ardhur.

Glob jetësor, me zjarr përflakur si gjaku,

Zbrazmi ku të mundësh arteriet.

Ferri i tokës, qenka më i rëndë prej mëkati.

Para se të më largosh,

më jep pak gji të pij,

nga kombi im profeci.

Hirin, detesh hidhmani, të rilind.

Dëgjuar gjuhën e arbërit, madhështinë.

Kur dallga të dalë detit me vërtik.

Dritaren e shpirtit lërmani hapur.

Një jetë i kërusur, i heshtur pata mardhur.

KLITHMA SHPIRTI

Tej për tej tymit sterrë të zi,

ku tokë e zymtë kryqëzohet me re të verdhë.

Klithmë e fundit e kukuvajës si sirenë,

Kodrinave ngjyrë gri shuhet pa jetë.

Përtej, ku plagë dhimbjesh heshtin.

Sorra, zemra ëngjëjsh gërmojnë.

Nën qiell korbash gjithçka venitet,

Mbetur, pa shpresë, pa lot, pa Zot!

Rotull vjen bota si akrepat e orës.

Karmë e fatit, tek i zoti të çon.

Me stuhi gurësh nënë mjergull.

Agut të akullt, pa gdhirë gjëmëton.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat