“Një vrasje të bën bandit, miliona vrasje të bëjnë hero. Numri të shenjtëron”

Kultura

“Një vrasje të bën bandit, miliona vrasje të bëjnë hero. Numri të shenjtëron”

Fatbardha Hasi Nga Fatbardha Hasi Më 7 dhjetor 2023 Në ora: 15:06
Foto ilustrim

Ne pasardhësit e Kainit nuk kemi si të shpëtojmë nga vrasjet e njëri – tjetrit se gjeni jonë është pasardhës i një vrasës. Të birin e Adamit, Kainin e kapi lakmia e zilia, se Zoti e favorizoj më tepër sakrificën që i bëri i vëllai Abeli, kështu ai e vrau të vëllanë. Aty e tutje i gjithë njerëzimi që mbisundon sot globin jemi pasardhës të Kainit, të cilëve na verbëron sytë, arritja dhe suksesi i tjetrit sepse smirën e kemi në gjen. Ne vrasim vetëm pse dikush është më i fuqishëm se ne, më i arritshëm se ne, më i guximshëm se ne. Vrasim për përfitime, vrasim për territore, vrasim për ego, vrasim për hakmarrje, vrasim për mbrojtje. Vrasim se jemi gjaknxehtë e vrasim edhe më planifikim ku gjakun e kemi kokërr akulli. Vrasjet më të mëdha bëhen edhe me kauzë të shenjtë, në emër të dikujt a të diçkaje..., a nuk janë vrasje edhe ato?

Ku është dallimi i vrasjes së një njeriu dhe vrasjes së qindra njerëzve?

Pse i pari quhet e gjykohet si vrasës kurse i dyti shenjtërohet e lavdërohet si hero?

Filozofi francez, Jean Rostand ngrite dilemën në këtë çështje ku thotë: “Nëse vret një njëri je vrasës. Nëse vret një milion njerëz je një pushtues. E nëse vret të gjithë njerëzimin je Zot.”

Pse për të njëjtin akt/vepër fitohen të gjitha këto epitete nga vrasësi e deri të Zoti?

Tmerrohemi më ditë të tëra kur ndodhe një vrasje, varësisht rrethanave se si e ku ka ndodhur. Zemra na dhemb e trupi na dridhet. Aty e tutje fillojnë gjykimet, hamendësimet, aludimet..., e hollojmë rastin deri në detaje si të ishim gjykatës të çështjes, e thellë në brendinë tonë edhe derisa flasim për çështjen, është dikush atje për të cilin neveria dhe smira na pulson në gjak vazhdimisht, se ngreh krye gjeni të cilin e kemi trashëguar.

Nuk ka rend, kanun, ligj as Gjykatë e cila mund të strukturoj e të bëjë diçka të mirë e të drejt në këtë drejtim, përderisa një pjesë e vrasjeve pranohen si të duhura e të nevojshme, madje bëhen edhe dënime me vdekje, e një pjesë e vrasjeve quhen makabre, të ndaluara, të dënueshme.

Për aq kohë sa nuk ka diferencim të gjërave, në të ndaluar e të lejuar, nuk ka zgjidhje. Nuk ka vrasje që për dikë duhet të lejohet e për dikë të ndalohet. Ose lejoje ose ndaloje, pikë.

Vrasja është dhe do të mbetet misteri më i pazbërthyer me të cilën njerëzimi është i dënuar që kur u kafshua molla e dijes.

Vrasja është vrasje, varësisht si ndodhi, ku ndodhi e pse ndodhi. Vrasjet të arsyeshme nuk ka, pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat