Si një pemë e lashtë
e çshkulur nga damarët e tokës mëmë
braktisa ëndrra dhe dëshira
të mbyllura në zemrën pa kyç.
E hutuar kalova detin
i përmbushur nga lotët e mi,
ndalur në dallgët tërbuese,
ku shpresa përplaset me botën time,
duke më lagur deri në palcë
me vesën që rrethon mendimet e mia,
të shpërndara kush e di se ku
ose në atë vend të huaj, të largët.
Teksa largohem nga mjerimi
retë e ekzistencës sime kapërcej
mbetur në çark nga lutja
për një të ardhme sa më të mirë.
E përhumbem nëpër det
dikë tjetër shoh, por s'jam unë.
Kërkoj veten e pikëlluar
pa mundur ta gjej sadopak.
Kur një gjuhë tjetër dëgjova
përqafova pa krahë gjithçka
si në pranga u ndjeva
për jetën time të pafat.
Rrënjët e copëtuara,
seç mbërrijnë deri këtu
psherëtij thirrjen e Mëmëdheut
ashtu si shumë të tjerë.
Unë...
në ajër pezull rri
pa mundurvtë fluturoj në kaltërsinë e zbehtë
në një qiell tjetër, të panjohur
teksa ushqej mushkëritë
me erën e akullt të stuhisë.
Dhe s'jam në gjendje
të ngrohem as nga dielli tradhtar
i oqeanit gri
si hëna që nuk më përkëdhel më.
Ndaj shndërrohem e paaftë
e etur, uritur, e ngratë.
Emigrante unë mbetem
mes dy brigjesh, mes dy vendesh
e përmallur të rikthehem.
Të rikthehem nga kam ardhur
e të shplodhem sadopak
nën hijen e pemëve
që stërgjyshi im m'i la.
Unë endem në vajtim
ndër shekuj endem dhe nuk di ku shkoj
porsi qyqja veç këndoj
e nuk resht por veç këndoj.
Këndoj këngën e vajtimit
që vet Zoti nuk ma ndal
e bëj t'iki fluturimthi
nga e huaj Perandori
por nuk kam më flatra tani.