Fillim e mbarim
Babadimri plak,
Na goditi rëndë
Pa “bigari” hak.
Herë me inflacion
Herë me kursim,
Veçmas e fundit
Pengesa në rrymë.
Sa frika nga sulmi
Dhe beteja të tjera,
Me çmimet në qiell
E me paga të mjera.
Na u mbush kupa
Me helm dhe vrer,
Si nuk na u ndanë
Hallet asnjëherë?!
Verës vlonte vapa
Merrte flakë natyra,
Dimrit u mërdhimë
Si sarma të ngrira.
Na erdhën te fyti
Humbjet n’ekonomi,
Si dhe hajdutëria
Që nuk njeh kufi.
Ndahen pikë e pesë
Subjektet politike...
E bëhen për “vitra”
Ndërmarrjet publike.
Viti plak po shkon
Mos u ktheftë kurrë,
Po na len peshqesh
Borxhet me faturë.
Me gëzim e presim
Ndryshimin e parë,
Ndoshta Viti i Ri
Nuk na del zuzar.
Tani do ta shohim
Kur fillon së mbari,
Me vi(z)a Gjermane
Na gëzon januari.
Rron ende e thëna
Me kohë në etapa:
- Sido që të kthehesh
Bythën e ke mbrapa!
Ndonëse jemi n’prag
Të natës më të gjatë,
Vjen urim i Spicës:
Gëzim, shëndet e fat!