Romani “Eskadronët e Vdekjes” i autorit Bardhyl Mahmuti është vlerësuar si vepra më e mirë kundër gjenocidit serb ndaj shqiptarëve nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, me ç’rast sot u nderua edhe me një mirënjohje.
“Eskadronët e Vdekjes” është një vepër e veçantë si krijim letrar artistik e po ashtu edhe si histori, ngase arrin të paraqesë pothuajse më së miri gjenocidin serb ndaj vendit tonë.
Kështu tha kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Shyqri Galica, derisa u shpreh se prirja autorit së kësaj vepre në aspektin stilistik letrar, performues dhe historik është fakt që tregon jo vetëm për përkushtimin e shkrimtarit, por edhe një kërkesë të sofistikuar për ndriçimin e luftës së UÇK-së dhe Serbisë.
Galica potencoi se shkrimtari Bardhyl Mahmuti është autori që ka depërtuar në thellësitë epokale të shpirtit farosës të pushtuesit serb, sipas tij duke dhënë romanin më të denjë dhe më të mirë pothuajse deri më sot me temën e gjenocidit.
Galica: Shkrimtari Bardhyl Mahmuti ka dhënë romanin më të denjë dhe më të mirë me temën e gjenocidit
"Romani 'Eskadronët e Vdekjes' i autorit Bardhyl Mahmuti është një vepër e veçantë edhe si krijim letrar artistik edhe si histori. Është i veçantë në të vërtetë, se historia krijon gjenocid, të cilin mbase më mirë se asnjë tjetër, deri sot arriti ta paraqesë nëpërmjet veprës së tij, autori i kësaj vepre. Pavarësisht nga ndihma, që pretendon autori ta ketë pasur nga shumë veta, prirja e tij në aspektin stilistik letrar, performues, historik është fakt që tregon jo vetë për përkushtimin e shkrimtarit, por talentin për të artikuluar me një gjuhë të pasur, me një mendim të mbrehtë e më një kërkesë të sofistikuar për ndriçimin e luftës së UÇK-së dhe barbarisë serbe...Personazhe të rëndësishme në këtë roman janë disa. Për ata që u bënë shkas i ndriçimit të realitetit historik deklaruesit para hetuesve kriminelë serbë, që detyrojnë të rrëfehen personazhi kryesor Mifil L...Në të vërtetë ai zhvesh kriminelin dhe nxjerr qëllimin e tij në një aspekt më të thellë e më të gjerë. E fokuson deri në dimensionin kombëtar të tij si synim për të përmbushur apetitet e Serbisë pushtuese gjenocidale deri në shfarosje të njeriut pa marrë parasysh moshën...Shkrimtari Bardhyl Mahmuti është autori që ka depërtuar në thellësitë epokale të shpirtit farosës të pushtuesit serb duke dhënë romanin më të denjë dhe më të mirë pothuajse deri sot me temën e gjenocidit", tha Galica.
Pas detajeve të dhëna për autorin dhe veprën “Eskadronët e Vdekjes”, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës i dorëzon mirënjohje shkrimtarit Bardhyl Mahmuti.
Ky u fundit u shpreh falënderues ndaj organizimit të kësaj ceremonie, derisa potencoi se kjo mirënjohje nderon jo vetëm atë, por gjithë të tjerët që janë përkushtuar që të hedhin dritë mbi një krim siç e quan ai aq monstruoz, që sipas tij ka rrezik të mbetet në heshtje.
Mahmuti tha se në prag të 25-vjetorit të një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit “nuk mund të jemi të kënaqur nga ajo që kemi bërë deri tani”.
Tutje, ai theksoi se dhënia e mirënjohjes nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, i jep një shtytje të fuqishme të shpërndarjes së romanit, derisa shtoi se kjo do të ndikon që të tjerët të mund të shohin edhe një të vërtetë nga këndvështrimi ynë .
Mahmuti: Dhënia e mirënjohjes i jep një shtytje të fuqishme shpërndarjes së romanit
"Ju faleminderit për këtë ceremoni të ndarjes së një mirënjohjeje që jo vetëm mua më bënë nder, por të gjithë atyre të cilët janë të përkushtuar të hedhin dritë mbi një krim aq monstruoz, që ka rrezik të mbetet në heshtje. Jemi në prag të 25-vjetorit të një çerek shekulli nga krimi i gjenocidit dhe realisht nuk mund të jemi të kënaqur nga ajo që kemi bërë deri tani që në përmasa ndërkombëtare të ndryshohet në tërësi atë tragjedi që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës. Libri 'Eskadronët e Vdekjes' sado modeste të duket që kanë kontribuar të tjerët, por falë rrëfimeve që mi kanë dhënë qoftë Bajrushi, Sadiku, apo Vllaznimi, sepse personazhet kryesore janë personazhe reale në roman. Janë pikërisht ata personazhe që i kanë dhënë një shtytje e sot më thërrasin prej Italisë se kush është Sadiku...Dhënia e mirënjohjes nga kjo udhëheqësi e lidhjes së shkrimtarëve jep një shtytje të fuqishme shpërndarjes së romanit jo për shkak të Bardhyl Mahmutit, por sepse duke lexuar qoftë në Italisht, Anglisht apo në të gjitha gjuhët tjera do të kenë mundësi të shohin edhe një të vërtetë nga këndvështrimi ynë", theksoi Mahmuti.
Libri “Eskadronët e Vdekjes” me autor Bardhyl Mahmuti, është botuar nga qendra Gjenocidi në Kosovë-plagë e hapur.
Romani i autorit Bardhyl Mahmuti është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe është botuar në shënim të ditës së gjenocidit në Kosovë, 15 janar 2021.
Kjo vepër ka pasur disa botime në shqip, kurse është përkthyer e po përkthehet edhe në disa gjuhë të huaja.