U nisa rrugës së gjatë
Më thanë Portat e Shekujve:
„Nëse nuk errësoni dritën e Yjeve
Ky udhëtim s‘ka mbarim“
Miliona rrugë
Lidhur në një pikë
Qëndrim thik në këmbë
Para furtunave shkëmb
Koha-Hije m‘i dha gjak bindjes:
Se uraganët mposhten prej kacafytjes
Po m‘u thanë krahët
Udhëve pa krye
Pa vezullimin e Yjeve
Do të mbetem përgjithnjë
Zhurmë e bashkëtingëlloreve
Atëherë…
Dua ecjen Rrugës-Përjetësi
Të mundimshme dhe krenare
Që s‘ka fund dot…
Dhe është me Kulla plot…
Ëngjëllushat mantelbardha
E lumja ti, moj Zvicër!
Për këta njerëz të mirë
Për mjekët me duar ar
E me zemër të bardhë
Për ëngjëllushat bukuroshe
Nënqepallat mbushur mirësi
E zemra u nxjerr veç dashuri
Kur flasin e shikojnë me sy...
Po si nuk ndalen dot?
Po si nuk dinë ç‘është përtesa?
Shkojnë e vijnë sikur flutura
Rendin e s‘pushojnë si bleta
Fjalët e Juaja shërojnë shpejt
Më mirë se çdo medikament...
Të sëmurin e bëjnë të fortë shkëmb
E ngritin përnjëherë në këmbë
Ja, kjo është Zvicra e vogël!
Me zemër të madhe...
Bukuroshja e Europës
Mrekullia e botës...
Ndërkëmbës të ndërkryer
Si hije nate ndihmuat tmerrin e plojës
Kurrë s‘e ndalët trokun e Kalit të Trojës
Në gurrat e Veriut ende shuani etjen
Aty keni lidhur nyje mallkimin për jetën
Zvarranikë para çakejve me shpirtin e shitur
Me gisht ju treguat se çka duhet djegur
Ligështanë, gjakftohtë e yshtni majëthikën
T‘na e rrënojë Kullën e t‘na e nxijë jetën
Valë-valë na erdhi errësira e shkretëtirës
Kur deri në qiell i gëzoheshim dritës
Murtajës së zezë lehtë ia hapëm portat
Nuk kuptuam djallëzitë e s‘i hetuam kurthat
U ndërsyen helmues me mykun shekullor
Frikshëm përdhosën Yjet e qiellit tonë
Uraganë përfidësh iu vërsulën Lisit
Për t‘i humbur rrënjët Fisit e Plisit
Ju, or hyzmetçarë me damkë në ballë
Edhe ju gjakprishur e me tru shpëlarë
Sikur të gjitha rrebeshet që solli historia
Do të mësoni: E përjetshme është veç shqiptaria
HAPI SHTEGUN E LIRISË…
Pasbjeshka mbulonte diellin
Retë e zeza errësonin qiellin
Endej vdekja si shtëllungë tmerri
Fantazma-plojë vorbull ferri
Dha betimin trimi me nam:
„Nuk durohet më ky dushman“
Lubinë e shitonte natën
Hienat i verbonte ditën
Llapi i ngushtë nuk ia zuri hapin
Kosova s‘ia përthekonte vrapin
Syrin ia mori Dardania
Zemrën e kishte te Shqipëria
Kur robërisë ia këpuste kthetrat
Duhi e lirisë zgjeronte flatrat
Kurrë s‘e la në krah maliherin
Me gisht në këmbëz vriste terrin
Në Kullën Tënde me frëngji
Jehon kënga për liri
Pushka Jote të ardhmen ndriti
O i madhi, Zahir Pajaziti!
Frymë përjetësie
(Adem Demaçit)
Eci rrugëve të pashkelura
Gjoks-hapur ndalte furtunat
Me sy përthekoi hartën e grisur:
Beden fortifikate në oborr
Akull e zjarr, s‘pipëtinte askush i gjallë
„Do të bashkohemi, me fjalë o me flakë“!
I ra pash më pash ferrit
Për ta gjetur fillin…
Në skutat e ngushta, terr e tmerr
Qëndresë shkëmbi
Në qiellin e zymtë hijerëndë
Flakadan lirie…
U bë:
Frymë, besë, shpresë e legjendë
Adem Demaçi
Është epoka vetë
Fjalëpeshuar e me largshikim
Hije të ka emri
O Trim
Sot e gjithmonë
Mbetesh:
FRYMËZIM…