Lumni Nimani shkruan një poezi të ndjeshme, të rrjedhshme, me infleksione sentimentale të një hijeshie të rrallë: Drejt ëndrrës së bardhë flatërova/ Stuhitë çava me magjinë e dashurisë/ N'pentagram të shpirtit e akordova/ Këngën për ty o vashë e Arbërisë. Vargjet e tij burojnmë nga një shpirt i zjarrtë e i vrullshëm, i kapshëm nga magjia e gjuhës shqipe, e flamurit shqiptar, por edhe i rrëmbyer nga bukuria e natyrës që mban jehonat e një historie të gërshetuar me elemente pitoreske. Dardania, ish/provincë iliriane e banuar në lashtësi me dardanë (Kosova e sotme), konfigurohet si një hapsirë e mbrujtur me një shenjtëri të veçantë, të cilën poeti e pikturon dhe konzervon nën aspektin e një lirizmi të dridhshëm.
Magjia e poezisë së Lumniut na vjen si një dhunti e veçantë e shprehjes me një çiltërsi të hijshme, të hapur e transparente, dhe assesi si një “eksploatim” semantik i mbyllur. Vargjet e tij kanë një atdhetarizëm plot shend e verë. Shëmbëlltyrat e një ndjeshmërie të mëndafshtë qș hiperbolizojnë objektin e dashurisë dhe atdhedashurisë, zgjon admirimin e një mrekullie të veçantë: Aromë luleje/ Fllad pranvere/ Ëndërr e bardhë/ Veç ti më je./ Vashë Arbërie/ E buzëqeshur/ Kur më shikon/ Pa mend më le. Dashuria ka këtu një shkëlqim të mahnitshëm. Ajo është gjenerator i energjive të mbara: As nuk ka forcë/ As s'ka fuqi/ Në këtë dynja/ Përmbi dashuri./ Sepse dashuria/ Është vet magji/ Është hyjnore/ Është përjetësi.
Vërehet këtu një infuzion i çliruar elementesh folklorike që vijnë nga një lashtësi fabulative, nga përrallat e kulturës popullore, nga një e shkuar heroike e përjetësuar në kujtesën afektive familjare, përzjerja e së cilës e pronëson artin poetik të krijuesit: O ylli im në qiell që shndrit mal e fushën./ Në vend që të festoja me ty n'përqafim./ Të ndjenim së bashku gëzim dhe dashuri./ Ti më le dhe ike nxitove për n'amshim./ Mos sprovo kështu prindërit o Perëndi! Poetët janë profetët e ditëve tona, ata preken nga engjëlli me krahun shërues dhe diktojnë vargjet e tyre.
Biografia e autorit është gurrë e poezisë së tij, burim i një autenticiteti origjinal që thellësohet sipas përmasave të njohjes, të vetëdijësimit të magjisë së dashurisë: Në kopshtin tim shpirtëror më je trëndafil/ Me ngjyra më të bukura/ dhe me plot aromë/ Oh sa më ka marrë malli/ në dritare më dil! Se buzëqeshja jote/ zemrën fort ma njomë. Mërgimtari ynë vjen para nesh me vargje briliante, interesante dhe mbresëlënëse: Mejtueshëm shetis, në këto rrugë qyteti./ Mbi kalldrëmin e vjetër, shtruar për bukuri/ Melankoli vjeshte më tundi dhe më treti./ Si t'voglën barkë në det, e fuqishmja stuhi./ Lule shumëngjyrëshe, aq sa të sheh syri./ Gjithandej rregull, pastërti e gjelbërim.../ Ah mall i pashuar, në zemër seç më hyri!
Lumni Nimani është maraton i admirimit dhe një poet i botës moderne, por nuk mund t’i harrojë apo mohojë rrënjët nga të cilat poezia e tij e shkëput lëngun e përmbushur me vitalitet të përbujshëm. Lirika e tij gërshetohet me zjarrin e një djegjeje tërësisht speciale. Po filloj kështusoj, ngase me të arritur në mbarim të leximit, u mahnita fort, si nga stili dhe trajtimi që i dallon poeti i përfshirë në vëllim, poashtu edhe nga ajo që i bashkon vargjet nën shenjën e admirimit, të ndjeshmërisë dhe të forcës për të mbetur kudo, në çdo rrethanë, me zemër në fërgëllimën a vatrës amtare.
Lumni Limani është shqiptar i qëndrueshëm porsi ushtari, dashamir i vlerave hyjnore siç është fluturimi i tyre për në qiell. Poeti ka këmbënguljen, guximin, qëndresën dhe durimin e lumenjve të malit që e marrin rrugën për në gjerësi të fushës, pa marrë parasysh shkëmbinjtë, me bindjen se, më herët apo më vonë, do ta zbusë me ujërat e tij etjen e atyre që e presin. Këti Njeriu të jashtëzakonshëm dhe Madhështor në çdo gjë që bën, poezia shqipe i ka borxh të madh, jo vetëm për vlerat, por edhe për prurjen e tyre në shpirtin e kohës së aktuale të diasporës shqiptare.
AH…
Nëse ndjenë në shpirt kur ty të dhemb,
atëherë dihet që je i gjallë.
E nëse ndjenë kur dhembja tjetrit shpirtin i shemb,
atëherë je vërtet Njeri - të shkruan në ballë!
Se poetët Zoti i mbanë më afër vetës.
Kjo është një thënie shumë e vjetër.
Ata janë robër të dashurisë dhe të vërtetës.
Kjo është maksimë e saktë dhe s'ka tjetër.
Ah ore lum miku im njeri i mirë dhe poet!
Ti që dhembjen time bashkëndjeve.
Ty të mbuloftë me Bekim Perëndia vet!
Sa shpirtshëm përmes vargut e rrëfeve.
AFSH ATDHEU
Vargun më të ëmbël për ty,
nga thellësi e shpirtit e nxorra
e gdhenda atë me shumë dashuri,
me afsh zemre ta mbështolla.
Se mall i pashuar përditë po më thanë.
Për ty dhe sybukurën me flokë t'arta.
Kurdoherë që në gjirin tuaj jam,
ngrohem edhe netëve të acarta.
Aty u linda dhe në jetë hapërova.
Fjalët shqipe ëmbël belbëzova.
Pas fluturave fushave tua vrapova.
Këngën e lirisë për ty këndova.
Me gjuhën më të bukur më bekove!
Me Flamurin kuq e zi më mbulove!
Me njelmtësi deti më freskove!
Çdo dhembje në shpirt ma shërove!
Ti, Atdheu im i shenjtë Shqipëri!
E ribashkuar qofsh me Dardani!
dhe gjithandej kah ishte Iliri,
me Malësi, Luginë dhe Çamëri!
SI YLL NDRIÇON NGA BOTA MAATANË
O engjëlli im bujashkë e zemrës sime
Koha ikën shpejt malli për ty shtohet
Përqafimet tua më ngelën veç n'kujtime
Nga dhimbja që kam, zemra po m'coptohet.
Lule të hodha sipri aty ku prehesh i qetë
Por ti ishe vet më e bukura lule në botë
Të njomë të këputi Perëndia vet.
Shpirti m'është përmbysur i mbytur në lot.
Kur dimri me acar të nis e të rebelohet
E ti do kesh të ftohtë në të bardhën stinë
Babai të vjen pranë t'merr n'gji e mbulohet
bashkë me ty o mbreti im që ty t'mos mërdhinë.
Në prillin e luleve në muaj të lumturisë
Kur je lindur o bir oh sa qesh gëzuar
Të më jep shumë forcë i lutem Perëndisë
Dhimbje e mall pa ty për t'i përballuar.
Kur gushti me vapë verës të përcëllon
Unë vi ta flladis ballin me lotët e mi
O djalëbukuri im; o i dashuri Veton!
Të mbaj thell në shpirt deri në përjetësi
Se një ditë patjetër tek ti do të vi unë
Kjo do të ndodh vërtet dhe nuk ka dyshim
Por kam pa kryer akoma dhe ca punë...
Do të t'rrëmbej e t'hidhem prap n'përqafim.
Nëse nuk të vi shpesh më fal o djali im
Në atë tokë të shtrenjtë që në gji të mbanë
Se jam larg nga ju në këtë t'mjerë mërgim
E ti më ndriçon si yll nga bota matanë...
MË FOL SHQIP
Mos më thuaj merhaba
dhe as selam alejkym!
Më fol shqip o i miri vëlla!
Se njashtu më kënaq shpirtin tim.
Mos më thuaj as bona sera!
Hau ar ju, zdravo dhe guten tag!
as kalimera dhe kalispera.
As bon zhur dhe as o revuar!
Më fol shqip vëlla, në gjuhë të nënës!
Se është gjuhë e Perëndisë.
Si rreze dielli dhe ndriçim i hënës.
Është shpirt dhe nder i Shqipërisë.
Më thuaj shqip or vëlla - tungjatjeta!
Më përshëndetë siç të ka hije.
Mirë se vjen o mirë se t'gjeta!
Në këtë gjuhë të shenjtë Ilirie.
Mirë se erdhe thuaj mikut në votër!
Mirë se të ka pru i Madhi Zot!
Bukë e krypë e zemër në sofër.
Qofsh i bekuar për jetë e mot!
Fol or vëlla në gjuhë të Naimit!
Se është e ëmbël si mjalti n'hoje
Në gjuhë të Gjergjit dhe t'Zahir Trimit
Që i nderuan përherë këto troje.
Ku ka gjuhë or vëlla, si kjo e jona?!
Që ta lëmon zemrën fjalë e saj.
E kthjelltë si Drini dhe si Valbona.
Rroftë e qoftë përjetë prandaj!
PËRSE HESHT PENA IME
Ç'ke që hesht moj pena ime?
Ka shumë kohë që s'shkruan dot.
A thua përse, je nën rënkime?
Në vend të ngjyrës, po derdh lot.
Pse s'i gëzohesh, kur vjen pranvera?!
Kur gonxhet çelin, dhe mbushet blerim
Se zemra ime, m'është çarë kahera.
Ka dhimbje dhe mall, për djalin tim.
Kur zogu i malit, ia thot këngës...
Dhe me plot gëzim, nis një jetë e re.
Pse ngjyra fare, po i thahet penës ?
Ajo s'shkruan dot - se ti më nuk je...!
Pse loti s'ndalet por rrëshqet faqesh?
Pa ta parë më kurrë, të bukurin sy...
Pse as në ëndërr, më nuk po m'shfaqesh?
Oh e rëndë dhe e shkretë, kjo jetë pa ty!
Ike para meje, je humbur, je tretur...
Gjysma e zemrës, bashkë me ty shkoi.
Një grusht Dhe - borxh më ke mbetur!
Jetë i thënçin kësaj, por pa ty s'rroj!
NOSTALGJI
(Kur kam qenë çun i ri)
Kur kujtesa
dhomëzat e zemrës hap,
aty gjenë sirtaret
e ëndrrave të fshehura,
të cilat kurrë nuk veniten.
Aty ku shpirti i ruan
me shumë kujdes
Ato çastet magjepsëse,
të cilat jetën e mbushnin
me plot kuptim.
Pastaj, mbamendja,
i shpalos ato çaste,
të paharruara lumturie
sikur ato i rikthen sërish
në të ëmblin përjetim,
qofshin ato;
edhe dromca
të vogla dashurie.
Sado që stinët dhe motet
me lapsin e tyre vijëzojnë
ballin dhe fytyrën
dhe ngjyrosin flokun, gri;
shpirti përkundrazi:
as nuk njeh moshë;
as nuk njeh pleqëri!
Ai mbetet - përherë i ri.
RRMISHT E BUKURISHT
Në stinën e acartë
Çeli lulebora
Me atë flok të artë;
me ata sy ulli,
Me belin e hollë
me atë zemër t'bardhë
Me vetull kurorë
E atë shtat pehri.
Në kopshtin shpirtëror
Rrënjë pate lëshuar
Në stinën e luleve
Me aromë manushaqe
Oh sa m'ka marr malli,
për të t'ledhatuar,
e për të të puthur,
në gushë e në faqe.
Bekimi i uruar,
vjen nga Perëndia,
si margaritar;
si dhuratë e shtrenjtë.
Për shpirtbukurin djalë
kur atë e mbeshtjell
ndjenjëzjarrta dashuria.
Qëndisur me fijeartë.
N'atë folezëmblen
gazmendur e hareshëm
Flatëron nga lumturia.
Erdhe e madhërishme,
si Zana në male
dhe atë ndjenjë të hyjnishme,
aq shpirtshëm ma fale.
Me nektarin e jetës
shtatë qiejsh më ngjite.
Me atë nur më magjepse
Porsi yll drite.
Oh ç'më pushtoi!
Dhuratë nga Perëndia;
Oh ç'më gëzoi...!
E morri mendët e mia.
Më morri dhe më nxorri
nga ajo botë e brishtë
Më ktheu dhe më solli
në oazë te fildishtë:
rrmisht dhe bukurisht.
LOT PËR TY
Zemra më këputet kur ta shoh fotografinë
Gjunjëzohem - edhe po t'kem fuqi dragoi
Zili ta kishin edhe yjet e qiellit bukurinë
Për ty engjëlli im loti po m'rrjedh si kroi.
M'u ka tharë shpirti pa përqafimin tënd
Qëkur më le dhe ike në botën matanë
Zot i madh, më thuaj; a ka gjë më të rëndë?
Se kur u merr t'birin dhe i lë babë e nanë!
Për nënë dhe baba të qash e t'derdhësh lot
Apo për motër e vëlla në moshë të shtyrë
Kur ndërrojnë jetë dhe ikin nga kjo botë
Është mall e dhembje - por jo kaq mynxyrë.
Por ndarja më e dhimbshme në këtë dynja
kur prindi përcjell evlatin, qenka padyshim
Çdo ditë më mbytë malli e zemra qan pa pra
Për ty o drita e syve Veton i dashuri im!
URIME DITËLINDJA
Kalojnë mote,
e rrugëtimi ynë,
s'ka të sosur
nëpër stinë e horizonte .
Sfidave të jetës
dhe hojeve të saj,
Flatëruam së bashku
bashkudhëtarja ime.
Vitet e kaluara,
janë një kujtim i bukur
sado që valët e jetës,
qenë jo vetëm të ashpra,
por edhe të pamëshira për ne...
Por, është dashuria ajo,
e cila i sfidon,
edhe dhimbjet dhe humbjet e mëdha,
i lehtëson sadopak
vështirësitë e kësaj bote.
Ndërsa unë të dëshiroj,
të gjitha t'mirat që do zemra jote!
Gëzuar ditëlindjen me ne së bashku;
sot e për shumë mote!
LIS ME RREMA
Edhe kur nata n'tokë t'jetë lëshue
Me heshtjen e vet e me tetanë qetësinë
Kjo pena jeme ja nis me shkrue
Se njatëherë gjej krejt lumtuninë.
Miken ma t'mirë sonte e kam hanën
Që me rreze t'saj shoqni po m'ban
E po m'përgdhelë si djali nanën
S'po m'le n'vetmi; po m'ban derman.
Po ku t'ja nisi, e ku me ja fillue
Me ta përshkrue gjithë atë bukuri
Që i madhi Zot ta ka dhurue
lum ai i lumi që t'ka kysmet ty!
Ai shtati yt si nji lis me rrema
Me atë këmishë t'kuqe sa t'paska hije
Sa herë po t'shoh po m'kënaqet zemra
Moj çikë llapjane moj vajzë Shqypnie.
Sa m'ban për vete buzëqeshja jote
Me ato buzë t'amla si qershii bojlie
M'i ktheve n'pranverë çdo stinë e mote
Ti gonxhe që çelë n'oborr skej avlie.
Pa ty kjo zemër m'thahet si eshkë
Qëkur ma fale t'bekuemen dashni
Se koke hijeshue e fort tek je rreshkë
Oj rrushe t'bekoftë e madhja Perëndi!
EMRI YT
(Kushtuar Heroit të Kombit Zahir Pajaziti)
Emri yt është:
lavdi dhe krenari.
Nder dhe madhështi.
Trimëri dhe atdhedashuri.
Epokë në histori
dhe këngë në çifteli.
Për armiqtë ishte:
Tmerr dhe tirani.
Vdekje bajlozit të zi.
Emri yt është:
Plisi i bardhë mbi sy.
Flamuri kuq e zi.
Dardani në Shqipëri.
Liri dhe Pavarësi.
Legjendë në përjetësi.
Për jetë e mot
Sa të ketë Arbëri.
POEMË NGA RUMELIA
Argjentari
Në atë qytet te Konstantini
Që fillim e as fund s'kishte
Ku puqen Lindja e Perëndimi
Vërdallë n'mendje diç m'u sillte...
Në Rumelinë e Stambollit
Ku u ndërruan perandoritë
M'u kujtua Poçari i poet Agollit
Kur në vazon e thyer nguli sytë.
Për të parë; unë s'pashë poçar
E as vazo nga dora nuk më ra
Por unë takova një argjentar
I cili shqip dy - tri fjalë m'i tha.
Tek dorën e tij mbi shpatull më vuri
Dhe me dhembshuri më shikoi
M'u dukë se Deti Marmara më zuri
Kur fjalët shqipe shpejt i mbaroi...
Edhe unë m'tha jam shqiptar or vëlla
Pak në shqip e më shumë turqisht:
Nga Kaçaniku tha i kishte nënë e baba
Shkjau i zi nga atje i përzuri mizorisht.
Dhe tek sa dora e tij ende krahun tim
Me dashuri vëllazërore e shtrëngonte
Në shpirt më kaploi një mallëngjim
E Zemra pa pra filloi të lotonte...
Me zemër të thyer vetëmevete thash:
- O Zot i Madh ç'është kjo tragjedi!
Që s'ju nda kurrë Kombit tim të lashtë
Më shumë shqiptarë këtu, se në Shqipëri!
Në mos çdo i dyti n'Stamboll që takova
Gjatë vizitës time në atë qytet:
Po, çdo i treti ishte nga Kosova
Me gjuhë e komb të humbur, he medet!
Komb e gjuhë e mbarë Arbëria
Janë të shenjta për jetë e mot
Rroftë e qoftë Nënë Shqipëria
E bekoftë i Madhi Zot.
MOS GJETSHA SHËRIM
Në një lulishte,
një trëndafil ngjyrë rozë,
këputa tinëzisht.
Për ta dhuruar o vasha ime.
Por më zuri zonja Mimozë
dhe më mallkoi tmerrësisht...
I thash, e këputa për të dashurën.
Ngase e dua marrëzisht...
Më tha: Oh more djalë!
Ç'qenke sëmurë nga sevdaja!
Obobo thash me vete;
Për një lule që këputa,
U bë hataja...!
Do më zë belaja...!
- He kurrë mos u shërofsh,
o çun nga dashuria!
- Ilaç mos t'daltë më tha...
Për këtë trëndafil të vjedhur,
të dënoftë Perëndia!
E mos dalsh kurrë,
nga sevdaja e lumturia!
Oh ç'u stepa!
E nga habia,
seç m'u trazuan mendët e mia...!
Mallkimi më doli si bekim...
Për një çast!
Dënimi më doli si urim...
Dhe thash vet me vete:
Mos gjetsha kurrë shërim!
MOSMOIRËNJOHËSI
Të lëpihet,
Të vardiset,
Të bëhet servil
Të ngjitet
Nuk të shkoqet
Të çirret
Përderisa t'i merr paratë hua
Pastaj,
Të humb sysh
për së gjalli s'duket
surratin nuk ja sheh
Si shurra e pulës
fare zhduket
Nuk të njeh,
Nuk të flet,
Edhe po të të takoi
Sy më sy
Nuk i vjen:
As turp;
S'i vjen as marre
Të rren,
Të gënjen
Ashiqare,
O ti njeri tinëzak!
Në vend se mirënjohës
U bëre dhelpërak
U bëre dinak
Pa të pasur
as hile
E as hak.
O ti...
I pa ujë në sy!
A di ti
Se ç'është dinjiteti?
Apo e ke virtyt rrenën mashtrimin
A di ti
Se ç'është sinqeriteti?
Populli thot,
Bëje një t'mirë
Dhe hudhe në deti!
Ti mendon
Se po mashtrove dikë
U bë bota jote,
Dhe t'u rrit autoriteti
Por s'do të keshë më fytyrë
As ndër burra;
E as ngjeti...
Për ty
burrëri dhe nder
Është vetëm leku
Por ti
S'do të keshë
Kurrë respekt as vlerë
Sepse në mes teje
Dhe njerëzores
Është i thellë hendeku.