Për ty në takime qava
Për ty lotova në tubime
Sa shumë të dua
Vendlindja ime
Edhe në gëzime edhe në hidhërime
Qava për ty kur isha fëmijë
E mendja më thoshte në rini
Se atë që e shihte syri
E tërë bota ishe Ti.
Sa herë bija përtokë
Te Ti
livadheve e arave,
ngrihesha shpejt, po i gërvishtur
në manaferrat e hamulloreve
nga grithat me gjak
këmbët më bëheshin varrë
se ishin të zbathura
e dashuria për ty shtohej e shtohej,
jo nga pak.
Sa herë më robëronte loti
Thyhej shpirti
e buza dridhej
po s´u turpërova
as atëherë e asnjëherë
se me zemër të doja
vendlindja ime, përherë.
Nga çardaku i shtëpisë sonë
Në katin e dytë
Atë që shihte syri
Ishe bukuria vetë
Nga lindja në jug
Kopilaça me Majën e Madhe
më rrinte Përpara krenare
E Sharri plis bardhë
Në të djathtën time
në perëndim
Sa hije të kishte Morava
Që rridhte e kthjellët
Si loti
përmes arave tona
i dashuri vendi im...
Tërë rrafshin e dua
këtej e andej Moravës
me gjithë bukurinë
që të rrethon
e Ty që je në mes të mesit
vendlindja ime
zemra me asgjë s´të ndërron.
Për ty në takime qava
Për ty lotova në tubime
Sa shumë të doja e të dua
Vendlindja ime...