Atë natë ishe Zoti,
Dhe unë të besova TY,
Që mbi supe mbaje atdheun,
E në mendje kishe fatin e tij.
Fatin e shkrove vetë,
Me gjakun e derdhur lumë,
Të gjithë u rreshtuan pranë teje,
Dhe bëtë një histori më shumë.
Se barra e atdheut është e rëndë,
Na e mësove në histori,
Kur pranë oxhakut na tregoje,
N’atdhe s’jetohet pa liri.
Kthim prapa s’ka,
U betuat në besë dhe flamur,
Te varri i thatë Tahirit,
Nga lufta s’ndahemi kurrë.
Dhe si dikur nxënësit,
Që i donte sa veten,
Mësuesi Shaban Jashari,
Historinë po e kthente në vepër.
Është ora e fundit,
E mësuesit Shaban,
Veç tash nxënës i kishte të bijtë,
Që i mësonte si të vdiset për vatan.
Ishte një orë e gjatë,
Një orë e lavdisë,
Të gjithë ishin ushtarë,
E mësues Shabani, pishtar i lirisë.
Bijtë e mi u tha mësuesi,
Dhe i përqafoi me radhë,
Shkaun e kemi te dera,
E ne s’dorëzohemi për të gjallë.
Njëzet ushtarë vdiqën,
Njëzet, që vdekja s’i theu,
Kështu vdiset tha Shaban Jashari,
E kishte të mësuar nga Skënderbeu.