Lulja e helmit
(rapsodi bashkëkohore)
Ka ardh ndryshe ky shekull i ri
Dielli nuk asht ma i pari,
As zogjtë, legjendat, fisi!
S’ka ma apoteozë perëndish,
Perëndi asht kanabisi.
Çelin të dehuna lulet e helmit,
Kasnecës vjeshtë i merren kambët,
Dhitë tështijnë hijeve të zymta…
S’ka ma rite pagane pjellorie,
Buzëm bujar asht kokaina.
Hashash n’tokë e n’qiell,
Ruejna zot nga helikopterët!...
Tymosin anijet “pirate” cektinave.
S’ka ma perëndi të deteve,
Poseidon asht heroina.
Asht e ftohtë lufta e nxehtë
Dhelpna, breshka e arinj
Kanë dhanë shpirt ndër përralla!
S’ka ma apoteozë perëndish,
Perëndi asht marijuana.
Ka ardh ndryshe ky shekull i ri
Dielli si qoftëlargu thyen qafën
N’kreshta të thella e boka,
S’ka ma purgator për mekatarët,
Ferr e parajsë asht droga…
2014
Lodra e botës
(marrshi i ajfonërisë)
Tash kemi lodrën tonë, të njajtën lodër,
në dash të rritun, në dash fëmijë
bubrrojmë në ekran, pëlqejmë, shajmë…
Lodra që na ndriçon, që na verbon.
Nuk ka hierarki, as moshë, as gjini
nuk ka ma kanun, konventa, qeveri,
të gjithë luajmë lojën tonë burleske,
24 orë dokrra, lavde të rrejshme.
Përroi i bjeshknajës ma s’rrjedh,
lejlekët qiejve s’bajnë rrathë,
homosapiensi i ri - deledash
nuk ndjen, nuk sheh, nuk prek.
Rruzulli tash ka veglën e vet,
për politikë, për selfie, për sherr
brenda nesh, jashtë nesh
veç lodra jonë marroke ngazëllen.
Lum e lum për ne - lodrën planetare
që prore na ndriçon, që na verbon,
ia luajmë lojën epokës së re,
dielli fort po shndrit e pak po nxe...
Shteti tamburxh
(baladeske)
Shteti ku të gjithë luajnë kumar
e zgjohen me andrrën me qenë
ministra, deputetë, kryekomunarë…
Shteti prej bathe, lulelakre, kanabisi
letrat i shkruen me gabime ortografike,
politikën e leçit me zhargon fisi.
Shteti tamburxhi me curle e dajre
ditëve bredh ku kërcet meteliku,
netëve mbulohet me gjethe fiku.
Shteti ku mushka pjell lopën alkimiste
që ban kulloshtër dhe nga brirët
jo vetëm nga cicat blasfemike!…
Shteti ku nuk e njeh qeni të zonë
dhe i zoti qenin asnjëherë s’e njeh
e prap në nji sahan hanë përshesh.