Më ka marrë malli që pasdite
Kur të gjithë kthehemi
Në shtëpitë tona pas pune
Këta që kemi mbetur
Të ulemi rreth sofrës pasdite
(se drekën rrallë e hamë bashkë)
Ta ngremë nga një gotë
Me përshëndetjen “Gëzuar”
Qoftë ajo me çaj, me lëng frutash,
Me verë a kush me çka të dojë
Pastaj të llafosim shtruar e të qeshur
Atë që s’e bëjmë dot në asnjërën ditë të javës
E as në fundjavë kur të gjithë
jemi së bashku në pushim
Më ka marrë malli, se kaloj e tërë java
e nuk jemi ulur karshi njëri-tjetrit
Saki, që është e ëma e shtëpisë,
tërë pasditen e deri në orët e vona,
shikon më shumë filma aksion
sesa filma të Kinostudios
“Shqipëria e Re” apo telenovela të tjera
Kurse bija jonë, që me ne
është sa herë është e lirë
gjithë kohën me celularë në dorë
Herë i qeshet fytyra e herë bëhet e zymtë
sa e mban telefonin përpara
e kufjet në veshë,
Një Zot e di çka është
Duke parë a duke dëgjuar
Unë i habitur, në qetësi i lutem
Të Madhit Zot, të bie interneti
E ta shohim, në sy, njëri-tjetrin,
të paktën, në ditën e fundit të javës
E si zot shtëpie
T’u tregoj për të kaluarën e fisit
Për gjyshin e gjyshen time fisnike
Që s’kam parë gjyshe më të mirë asnjëherë
Ishte pa diplomë shkolle, po me shumë dije
E gjyshi autodidakt, që shkruante
Ndonjë fjalë Shqipe me alfabet osman
Se për paraardhësit e fisit
nuk kam parë asnjë fjalë
të shkruar në libra...
O Zot i Madh, na liro
Nga kjo varësi virtuale
Se nesër, brezi që po vjen
nuk do të dijë asgjë
Për fisnikërinë e fisit tonë...
Madje as për këto male