Ka kohë
që du me i thirrë miqtë
për një kafe,
çdo ditë
afrohem në margzë të oxhakut,
e matem,
a kafen teke a dyshe
me e ba gat,
Gjyshi im,
me inat
e gjuante xhezen dyshe,
e në gjunjë ulej mbretnisht
me xhezen sugare teke
e në bishtin e saj të shkurtë.
krejt çehre i djegte
gishtat e dorës
herë herë
e afronte në gaca,
herë herë e largonte,
duke gufuar,
e hidhte kafen në filxhanin
që e mbante në grusht
e si një zog me pupla e fërkonte.
Ishte zemra e gjyshit
për mikun
që niste e fluturonte…
Duke shikue fotografinë
e gjyshit,
mbeta duke pritë
miqtë e mi,
të gjithë ngujuar
në kutinë e FaceBookut
Edhe ata janë si unë
duke pritë
me gacat e shkimune
e filxhanin tuj u derdhë
prej kafes së mallit