Demokracia që hap kohën e pastaj e mbyll, armë kundër vetes

Kultura

Demokracia që hap kohën e pastaj e mbyll, armë kundër vetes

Nga: Robert Martiko Më: 30 maj 2024 Në ora: 21:28
Robert Martiko

Para pak kohësh më ra në dorë libri me titullin “Pranë Pyllit”, shkruar nga Zhaneta Vreto Prifti. Më bëri mjaft përshtypje për gjërat që trajton. Mbizotëron një atmosfere jetësore, karakteristikë e të gjithë librave autobiografikë, në veçanti kur temat trajtohen me finesë nga pena e një gruaje. Libri merr vlerë edhe për problematikën e lidhur me vetë shoqërinë. Luajnë në sfond konceptet e edukimit etik, të lirisë, moralit e shpresës, pika referimi të një bote të qëndrueshme, të përjetshme, në polaritet absolut me përvojën humane, për ta korrigjuar. Janë tema që e tërheqin aq shumë krijuesin e veçantë, të përqendruar në problemet me karakter thelbësor, larg botës së sipërfaqshme pa thellim, që sot e gjen kudo. Konkretisht, kjo rutinë e errët me shtatë palë shpirtra, pasojë e një epoke akoma më të errët me prejardhje nga e kaluara, shfaqet në Shqipërinë e sotme nëpërmjet plagës së hapur të emigracionit, korrupsionit zyrtar, keqtrajtimit të individëve me aftësi profesionale, që pushohen nga puna, porsa një parti fiton zgjedhjet, etj. Në roman pasqyrohen dhe patologji të tjera, të kësaj natyre, që përbëjnë dukuritë më karakteristike të vendeve problematike si Shqipëria.

Heroinë në roman është vetë autorja, tashmë me një eksperiencë të gjatë jetësore, në kontakt me ambientin rrethues dhe shtetin: fillon nga mosha e fëmijërisë dhe deri kur, përfundimisht, e largojnë nga puna. Kjo ndodh edhe pse zgjedhjet e bëra në jetë kanë qenë gjithnjë në nivelin e një individi që ka mundur t’i rezistojë me sukses shpërbërjes shpirtërore, që pësuan njerëzit nga e kaluara. Heroina, e cila ka zgjedhur një profesion me natyrë ideale, siç është mirëmbajtja e ambientit natyror, dëshmon se ka parapëlqyer më mirë një ndërgjegje të bazuar në vullnetin e lirë, se sa t’i nënshtrohet praktikave me karakter përfitues. Fillimisht nuk pranoi të bëjë pjesë në asnjë lloj partie, por kur rastësia bëri të njohur, nëpërmjet medias, aftësitë e saja profesionale, nuk hezitoi të përfshihej në aktivitetin opozitar të kohës, për mbrojtjen e Mjedisit e në veçanti të Pyjeve.

Në roman paraqitet figura e errët e një ish zyrtari të Diktaturës, me aftësinë të mbijetojë në të gjitha kohët. Është një fenomen tregues i së keqes së pandryshuar, që buron jo vetëm nga mosndryshimi në nivel cilësish vetjake, por dhe për hir të një bote të jashtme me karakter të paformuar, që ndihmon e nuk e pengon suksesin tragjik të individit me tipare negative. Për të dalluar ndryshimin midis zgjuarsisë e mençurisë, mund të thuhet se suksesi apo dështimi i një shteti, lidhet më shumë me qëndrimin mendor sesa me aftësitë mendore. Kjo në kuptimin se edhe kur natyra ofron tru më shumë, ka mjaft rëndësi për njeriun sesi i përdor ato.

Shteti modern, sipas konceptit evropian, tenton kohezionin, harmoninë, paqen, bashkimin shoqëror, jo përçarjen e trashëguar nga errësira më e thellë e shekujve. U projektua në Perëndim fillimisht nga anglezët Lok dhe Hobs për të përballuar forcat përçarëse brenda shoqërisë. Nuk konceptohet shteti të përçajë shtetasit e tij. Për më tepër, Shqipëria doli nga një regjim me krim të organizuar, me tipare vëllavrasëse. Zgjati gjysmë shekulli me pasoja të tmerrshme jo vetëm për të përndjekurit politikë, por për gjithë shoqërinë shqiptare.                                                                                                                                   Me sjelljen e pandryshuar të zyrtarit në roman, gjejnë kuptim fjalët e sociologut francez, Gustav lë Bon: “Një diktator është thjesht një trillim. Fuqia e tij në realitet shpërndahet mes shumë nëndiktatorëve anonimë e të papërgjegjshëm, tirania e korrupsioni i të cilëve bëhen të padurueshëm”. Këta pikërisht janë të mbijetuarit e pandryshuar, në Shqipëri. Prandaj mund të thuhet se e vërteta e ngjarjeve me fitues e çlirimtarë del në dritë porsa pretenduesit e këtyre lloj titujsh-kurthe marrin fuqinë në dorë.

Gjithnjë, e mëparshmja ka lidhje me çka vijon. Nga të kaluarat e errëta, rezultojnë qenie me etje të tmerrshme për pasurim. Një demokraci që hap Kohën e pastaj e mbyll, është armë e drejtuar kundër vetes. Të bukura janë përbetimet, fjalët e bukura në mbledhje, jubile e takime publike, por pa një lexim të mençur të dukurive, nuk mund të krijohet kurrsesi koha e domosdoshme historike, për ndryshimin e gjërave. Për pasojë, njerëzit humbasin bashkë me ngjarjet e prodhuara. Tjetër është hapja e Kohës e tjetër përbindëshi “Leviatan”, simbolizues i Shtetit, që gëlltit shoqërinë në bark.

Mungon në Shqipëri ideja e ndërgjegjes historike, për të filluar korrigjimi i patologjisë shekullore të përçarjes. Kjo natyrë gjërash, e përjashtuar nga drita e ideve çliruese, nuk ndien kurrë nevojën e tejkalimit. Pëlqehet më mirë favorizimi, akraballëqet e tipit patriarkal nga vlerësimi i aftësive. Të meta të kësaj natyre me karakter thelbësor transmetohen nga njëri brez në tjetrin. Është fatale kur vetë partitë ndiejnë nevojën e nxitjes së urrejtjes. Vepron grupi primitiv natyror me doza marrie, përjetësisht në konflikt me realitetet që hapin perspektivë. Në aspektin antropologjik, bëhet fjalë për një Kohë plogështie që nxit shtangësinë mendore. Mungesa e së tanishmes dinamike favorizon mosndryshimin e gjërave.

Në Shqipëri, interesi partiak qëndron mbi interesin e përgjithshëm. Pjesorja me rrënjë te kultura e së kaluarës gjithnjë i vështirëson gjërat. Karakteristikë tragjike e të gjitha vendet jo moderne është se Vendi i imponohet Kohës. Mungon ideja e universales humane, që është sakrificë për të vërtetën. Koha në këto lloj vendesh merr tiparet e kameleonit: ndjenjat e vjetra marrin forma të reja. Vetë frazeologjia politike është një kurth i përsosur për njerëzit, sepse të tjera gjëra mendohen e të tjera zbatohen në praktikë. Ndër të vërtetat me karakter universal mund të thuhet se sado me kate të larta e luksoze të ngrihen ndërtesat, e vërteta tragjike është e shkruar në shpirtrat e njerëzve. Prandaj shteti, me të gjitha levat e tij, arsimore, kulturore, akademike duhet të përpiqet për të filtruar gjithçka.

Një mendim i qartë intelektual, sikundër rezulton në libër, përfton fuqi gjigante kur merret me tema të kësaj natyre thelbësore për shoqërinë. Brendësimi i gjërave në shpirt rilind njeriun, jo fishekzjarrët. Në Shqipëri, historikisht, mungon ideja e Rilindjes Shpirtërore, e lidhur me toka të zjarrta mendimi filozofësh gjigantë. Kuriozitetet e ngjarjeve që trajtohen në libër, e bëjnë mjaft tërheqës për lexuesin, sigurisht pa lënë mënjanë kuptimin e thellë të gjërave bazë të jetës. Të parat mund të tërheqin interesin e lexuesit por, kur mungojnë kuptimet e thella me karakter ndryshues, gjërat mbeten përjetësisht në shpellë. Prandaj duhet përshëndetur autorja e këtij romani.

Thelbësore për vetë Zhanetën, që vlen të vihet në dukje, është se gjithë jetën e saj, ka qenë në anën e drejtë të gjërave. Është tipar i njerëzve të veçantë, diçka që duhet vlerësuar, pasi nuk mund të ketë përparim shoqëror kur shumica mbetet në sipërfaqe dhe nuk arrin dot në ato gjëra të domosdoshme me karakter themelues, ndërtues, çlirues, për vetë të ardhmen. Jo më kot thuhet se politika më e mirë në botë është ndershmëria.

Ndërkohë që inteligjenca mund të shihet si aftësi për adaptim me ndryshimet, në një botë moderne që sot ka shpërthyer Kohën, mençuria, është virtyti bazë, për të pasur parasysh gjatë gjithë jetës pikat e referimit me karakter të qëndrueshëm që, pothuajse në mënyrë misterioze, janë të afta për të nxjerrë individin dhe gjithë shoqërinë me mendim të rilindur nga errësira më e thellë në lirinë e dritës.   

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat