Libri-ditar, “Kur vriteshin ëndrrat” i autores Hajrie Hoxha Jahelezi, është dëshmi se si shteti diktatorial komunist persekutonte shtetasit e vet. Një shtet – diktaturë që vriste ëndrrat rinore dhe i burgoste njerëzit që më pas t’i shndërronte në bujkrobër, duke i detyruar që bënin punë të rënda, tepër nënçmuese, larg dëshirave dhe ëndrrave të tyre.
Viktimat e kësaj diktature ishin njerëz të moshave, profesioneve, konfesioneve, gjinive dhe viseve të ndryshme të Shqipërisë. Diktatura nuk zgjidhte, nuk kursente askënd. Dënimet ishin nga më të ndryshmet, nga më të rëndat.
Një nga viktimat e kësaj çmendurie ishte edhe Hajrije Hoxha nga Tropoja e Vjetër, atëherë një vajzë me talent dhe ëndrra të mëdha për të ardhmen e saj. Ishin shumë rrethana të cilat ndikuan që vetëm për një moment jeta e saj të merrte kahe tjetër, që bashkë me ëndrrat të shuheshin ambiciet e saj për të ecur në rrugëtimin e gjatë te jetës që kishte përpara vetes.
Ndonëse me ngarkesa emocionale, megjithatë libri është shkruar pa ekzagjerime dhe me një gjuhë të qartë, tepër bukur, që do t’ia kishin lakmi edhe krijues të sprovuar. Me anë të këtij shkrimi, autorja na bind se nëse nuk do të kishin ndodhur ato padrejtësi sot do të ishte një shkrimtare që letërsisë sonë do t’i jepte vepra të rëndësishme.....