Përmes një ceremonie në ministrinë e Kulturës, është ndarë Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”, për gruan e parë të diplomuar në pikturë, të ndjerën Alije Vokshi, të cilin e pranoi vajza e saj. Po ashtu, është ndarë edhe Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor për vitin 2023, të cilin e mori piktori Esat Valla.
Pas ndarjes së çmimeve ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku shprehu mirënjohje për kontributin e veçantë të Vokshit dhe Valles në fushën e kulturës, derisa u shpreh i nderuar për dhënien e këtyre çmimeve.
Çeku e vlerësoi si moment shumë të rëndësishëm ndarjen e këtyre shpërblimeve.
Çeku: Ndihem i nderuar për ndarjen e këtyre çmimeve
"Po e nisim edhe zyrtarisht këtë moment të ndarjes së çmimeve 'Muslim Mulliqi', çmimet për artet pamore dhe atë për veprimtari jetësore dhe për sukses vjetor... Ky është moment shumë i rëndësishëm edhe për neve si institucion, për kredibilitetin e gjithë procesit dhe të vlerësimit. Edhe unë po ndihem i vlerësuar që sado formalisht, sepse këto personalisht nuk kam rol, gjithë punën e ka bërë juria, me pavarësi, integritet, profesionalizëm. Edhe unë po ndihem shumë i nderuar para se gjithash për zonjën Alije Vokshin ndonëse i jepet post-mortem dhe për profesorin Esat Valla, konsideratë të veçantë për punë, angazhimin dhe për përkushtimin për të vazhduar për të mos u ndalur asnjëherë", tha Çeku.
Vajza e të ndjerës, Alije Vokshi, Visare Vokshi Selimaj u shpreh e emocionuar dhe e privilegjuar pas pranimit të Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi”.
Vokshi Selimaj: Jam e privilegjuar të pranoj këtë çmim për nënën
"Faleminderit shumë institucioneve, jurisë profesionale, juve si ministër. Unë jam shumë e emocionuar, pasi edhe nuk është nëna këtu, po të kishte qenë ajo do të ishte më ndryshe. Jemi shumë të privilegjuar që e kemi marrë këtë çmim për nënën", tha Vokshi Selimaj.
Po ashtu, fituesi i Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor për vitin 2023, Esat Valla u shpreh i nderuar për marrjen e këtij çmimi.
Valla: Kurdo që të jetë shpërblimi është i mirëseardhur
"Normal, që jam i kënaqur, edhe pse vitet kalojnë, mirëpo kurdo që të jetë shpërblimi është i mirëseardhur", tha Valla.
Ndërkaq, anëtarja e komisionit vlerësues për ndarjen e këtyre çmimeve, Valbona Zherka vlerësoi lartë kontributin e Vokshit dhe Vallës, derisa potencoi se ishte privilegj për të caktimi si juri për dhënien e çmimeve.
Zherka tha se të dy artistët kanë dhënë shumë prej vetes për edukimin e gjeneratave dhe sukseset e tyre.
Zharku: Vokshi e Valla kanë dhënë shumë prej vetes për të korrur suksese
"Ishte një privilegj për mua që u caktova në jurinë për ndarjen e shpërblimeve. Sidomos për profesoreshën time, Alije Vokshin dhe profesorin Esat Valla. Kam pasur rastin, pasi jam gjeneratë e parë, me profesoreshën Alije, kam pasur rastin të punojë me të dhe njëherit. Ne si gjeneratë e parë e Fakultetit të Arteve, kemi pasur një privilegj të jashtëzakonshëm që profesorët të cilët na kanë edukuar gjatë asaj periudhe katërvjeçare, kanë dhënë shumë prej vetes dhe mendoj që nëse ne më vonë kemi qenë të suksesshëm është edhe një meritë e madhe e profesoreshës Alije Vokshi dhe profesorit Esat Valla", tha Zharku.
Alije Vokshi është gruaja e parë e diplomuar në pikturë, duke u bërë një ndër pionierët e artit pamor ne Kosovë. Veprat e Alije Vokshit janë të njohura për kapjen e shprehjes emocionale që mbeti qendrore në praktikën e Vokshit, derisa ajo zhvilloi stilin e saj duke u lëvizur nga ekspresionizmi figurativ në ekspresionizëm abstrakt dhe vizatim.
Vokshi ka qenë e angazhuar si profesoreshe në Fakultetin e Arteve nga themelimi i tij në vitin 1974, e deri ne pensionim ne vitin 2015. Veprat e Vokshit janë pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe në Galerinë Kombëtare te Arteve, Tiranë.
Ndërkaq, profesori dhe piktori Esat Valla është i njohur për pikturat e tije syreale.
Krijimtaria e Valles është e inspiruar nga vendi i tij ku kohe pas kohe shohim dritaret si simbolike që futen në veprat e tij duke prezantuar spektrin e thyerjes së dritës në reflekset e saj dhe personazhet e heshtura, boten para dhe prapa kornizës. Ai vazhdon të jetë aktiv ne shprehjen e tij artistike edhe sot.