Ekspozitë me vizatime dhe punime në pikturë

Kultura

Ekspozitë me vizatime dhe punime në pikturë

Nga: Hamdi Hysuka Më: 3 qershor 2024 Në ora: 00:08
Pamje nga ekspozita

1 Qershori është Dita Botërore e Fëmijëve, të cilët në këtë festë bëhen qendra e veprimtarive që u kushtohen vetëm atyre. Me rastin e 1 Qershorit fëmijët gëzojnë, por organizojnë dhe veprimtari të larmishme. Konkretisht, në Qendrën Kulturore të Bashkisë Mat, në bashkëpunim me Galerinë e Arteve "Tahir Tahiraj" dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve "Ymer Neli" u hap ekspozita e piktoreve të reja, motrave Stela, Steisi dhe Suada Barhani, nxënëse të shkollës 9-vjeçare "Ilia Qiqi" Burrel.

Nderuan me pjesëmarrje drejtues të qeverisjes vendore, të arsimit e kulturës, mësues e nxënës të shkollave 9-vjeçare të qytetit, prindër e të afërm të motrave piktore. Janë mbi njëqind vepra me punime në pikturë dhe vizatime, të cilat u ekspozuan në Galerinë e Arteve "Tahir Tahiraj".

Ndonëse të vogla në moshë, por me talent, që e kanë zilì dhe profesionistët, ata vizatojnë me lehtësi të habitshme objekte dhe pamje të ndryshme, përfytyrojnë gjithçka, që nga përvoja e viteve të para në kopësht. Thellë në shpirtin e tyre pikturojnë me ngjyrat më të bukura, që ua mbushin fantazinë, shpalosin talentin për t'u bërë piktore të njohura, dëshirë që po e jetësojnë çdo ditë. Koleksioni i veprave të ekspozuara është i larmishëm në tematikë, në ngjyra dhe madhësi tabloje.

Image

-Rrugëtimi i tyre artistik, -tha skulptori Artan Kurti, -është i gjatë, pavarësisht se këto janë të vogla. Krijimtarinë artistike e kanë filluar që në moshën 8-vjeçare, me mësues vizatimi, piktorin Hysni Meta. Më pas erdhën te Qendra Kulturore e Fëmijëve, ku mësuan për pikturë me instruktorin Alfred Stafasani. Në ekspozitë janë disa nga shumë punimet e tyre që përzgjodhëm, ato më përfaqësueset, realizime në QKF. Niveli i pikturave që u ekspozuan tashmë është i pëlqyer. Nuk e teproj po të them se këto punime janë të nivelit të vitit të dytë të Liceut Artistik.

Në çelje të ekspozitës. Mësuesi i Artit Figurativ, piktori Alfred Stafasani, duke vlerësuar talentin e motrave Stela, Steisi dhe Suada Barhani, tha se fillimisht ata kanë bërë vizatime të thjeshta.

-Me përkushtim i kam mësuar, -theksoi ai, -se si të përdorin ngjyrat. Dhe ata hap pas hapi kanë ecur shumë mirë. Këtë e tregon vetë ekspozita e sotme, ndër më të bukurat që është hapur në qytetin e Burrelit, falë punës së bërë, vullnetit, saktificës dhe përkushtimit të tyre artistik. Marrja me artin figurativ them se motrave Barhani u ka hapur horizonte të reja. Për më tepër, si mësuesi i tyre, duhet të hesht, sepse vajzat folën mrekullisht me ekspozitën e tyre.

-Të shprehurit nëpërmjet artit ka qënë një pasion i imi që në fëmijëri, -tha Steisi, duke hedhur vështrimin nga dy motrat dhe prindërit e tyre. Dhe Suada, më e vogla, imagjinatën e ka të lirë. Vizaton lodra, objekte natyrore, portrete. Në shpirt, që të tria, janë motra piktore. Prindërit janë krahë tyre, si fëmijë, por dhe artiste të artit figurativ.

Mamaja Xhuljeta, e emocionuar, u shpreh se Stela, Steisi dhe Suada, janë vajza shumë të mira, nxënëse të dalluara në shkollë dhe shoqëri. Me pikturë janë marrë që nga fëmijëria, sidomos në edukimin parashkollor.

-Më shumë më pëlqen të vizatoj portete dhe figura kafshësh, -tha Stela. Kohën e organizojmë në atë mënyrë që të na dalë më parë për mësime, pastaj për pikturë.

Rrugën e artit motrat Barhani e zgjodhën vetë. Përmes pikturave të ekspozuara shprehën gjendjen e tyre emocionale. Kombinimi i ngjyrave që ata përdorin është vërtetë interesant. Të pakta janë fjalët për të përshkruar ngjyrat më të bukura të shpirtit të tyre artistik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat