Për ty nuk flasin
Fjalë të mira
Edhe pse herë-herë
E bën punën me vend.
Kanë thënë se je tinëzare
Se ty nuk të dihet
nuk i fal askujt
asnjë çast
kur i vjen koha.
Këtu ku jam
kurrë s´dua të më takosh
Se jam në vend të huaj.
Sa herë e bën punën për ngut
Dije që koritesh
Gjyshin e lë
e nipin e merr
e lë të sëmurin
e merr të shëndoshin.
Për mua, kur të vijë koha,
Bëje punën tënde,
ama, të lutem, pritmë
derisa të jem në vendin tim
se s´bëhet nami.
Kur të mbërrij në tokën time
të pres burrërisht.
Gjithandej sillesha
Kohët e fundit
Nuk e di pse
Nuk ta kisha drojën fare.
Vit për vit të prita
Pa asnjë dozë frike
Të prita si burrë
e të prita si djalë
se e di
ti askënd s´e fal.