Kadare vdiq, por kjo s’është kushedi se çfarë për një të pavdekshëm

Kultura

Kadare vdiq, por kjo s’është kushedi se çfarë për një të pavdekshëm

Nga: Delvina Kërluku Më: 2 korrik 2024 Në ora: 09:11
Ismail Kadare

Lexues dhe ti që duhet të bëhesh lexues (jo vetëm i veprës së Kadaresë), vdiq Ai që nuk duhej të vdiste; Vdiq Ai që nuk vdes. Bashkë me veprën që, s’ka si vdesë. U shpërngul në qiejt e pafund shpirti i shenjtë i shkrimtarit, përkthyesit, intelektualit, diplomatit, patriotit shumë të veçantë – Ismail KADARE.

Kaloi në amshim… Ai na “detyroi” ta lexojmë, thuajse çdo rresht e varg të Tij, e të mos “ngopeshim”.

Vajti Ai që shkroi aq shumë e aq mirë, aq ndryshëm e aq bindshëm, sa që na duhet të presim (dhëntë Zoti jo), me dekada një të dytë, por Kadare të dytë s’ bën nëna më. Kush mund ta shkruaj një “Pallat...”, një “Kronikë...”,një “Gjeneral... një “Dimër..., një “Mosmarrëveshje...”, një “Grindje...”, një “Mort...” e “Zie ...” për Kosovën martire? Kush? Kush do ta bënte shqipen tonë të fliste në 45 gjuhë kryesore të Botës; kush do t’i detyronte juritë elitare letrare e autoritete shtetesh t’i varin në qafën e dikujt kaq medaljone respekti, përveç se Ai – Kadareja ynë. Kush do t’i nxiste penat më të mprehta kritike (tonat dhe të Botës) të mos reshtin së shkruari (edhe lavde) për Të, veç përveç Atij – Kadaresë.

Të them Jemi krenarë që të patëm – është pak. Të themi u prehsh në paqe të përhershme – është pak. Të themi Faleminderit – është pak. Po, pak është gjithçka të mirë që të thuash për Të!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat