Ujë burimi

Kultura

Ujë burimi

Nga: Feti Tunuzliu Më: 26 korrik 2024 Në ora: 18:56
Feti Tunuzliu

E njoh një rrëzë mali shkëmbor,

ku burimi i pashterur i ujit,

del nga palca e tokës pa ndalë

duke shushuritur ëmbël e ngadalë

teksa vështrohet me ëndje

nga një palë sy shndritur  

me kënaqësi shpirti dhe i mahnitur.

 

 

Kushedi edhe sa ama t’tjera ka –

me shushurimë t’lehtë e shkëlqim sa s’ka

ku uji rrjedhës: lumi, përroni, zë fill

lëvizë prajshëm e zemërgjerë

mespërmes, luleve, pemëve, …

në këtë natyrë të gjerë.

 

 

Edhe uji sado i paktë

kur del prej plasës së një shkëmbi

barin, farat dhe pemët ushqen s’ëmbli.

 

 

O çfarë nderimi t’thellë i bëjnë burimeve,

njerëzit dhe banorët e viseve

ku është dielli më diell

e qielli veç zjarr.

 

 

Edhe atje rrëzë shkretëtirave

dhe nëpër oaza,  

ku uji është lang i rrallë,

indigjenët në pikë të hallit -

ruajnë ujin si sytë e ballit.  

 

 

 Ndërsa, kur banorëve vendas

u shterret uji nga thatësia,

detyrohen që vatrës së tyre

shpinën pikllueshëm t’ia kthejnë

nga etja e kanosur që në shpirt e ndjejnë.

 

 

E në viset ku mjaftueshëm bie shi,

njeriu, për gurra uji nuk ka aq dashuri.

Mirëpo, të gjithë banorët -

edhe këta - strehuar n’vende ngopur me ujë,

dashuri t’veçantë reflektojnë

për ujërat që nga ama burojnë.

 

 

Burimet dhe përrojet e mrekullueshëm  

prore na ngjallin kureshtjen të dijmë

se këta ujëra të kulluar, vallë, nga vijnë -

ç’rrugë gjarpërojnë përbrenda tokës

derisa dalin jashtë saj krenar

ditë e natë ndër vite e dekada

posi i natyrës margaritar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat