Nëna Terezë u angazhua që njeriu të mos i ngjajë një skeleti të zhveshur nga ndjesia hyjnore

Kultura

Nëna Terezë u angazhua që njeriu të mos i ngjajë një skeleti të zhveshur nga ndjesia hyjnore

Nga: Prof. dr. Skender ASANI Më: 5 shtator 2024 Në ora: 10:42
Prof. dr. Skender ASANI

Sipas Nënës Tereze natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale dhe njeriu pa komponentën shpirtërerore është një skelet që lëviz me komandën e atyre që kontrollojnë vullnetet njerëzore.

Nga data 26 gusht deri më 5 shtator, bëmë një një bashkëudhëtim rajonal me figurën e Nënës Tereze, i quajtur figurativisht “Drita e Gonxhës”, duke dashur që me këtë veprim të dëshmojmë se i përkasim vizionit të kësaj gruaje me zemër të madhe dhe me shpirt të pasur. Nga Shkupi, aty ku kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze, deri në Tiranë, aty ku prehen eshtrat e nënës dhe motrës së saj, ky bashkëudhëtim nuk ishte thjeshtë një lëvizje rutinore vetëm sa për të shënuar disa nga stacionet e rëndësishme të jetës dhe veprës së saj, por mbi të gjitha ishte intenca që të integrojmë në praktikat tona të mendimit dhe veprimit frymën dhe kauzën e flijimimit për tjetrin që ajo e përfaqësoi gjatë gjithë jetë së saj.

Hapi i parë dhe më i qëlluar që këto praktika të jenë pjesë e filozofisë sonë sociale e humane, ishte themelimi i Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze në kuadër të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me çka vendosëm një standard vlerësimi për një figurë të veçantë, siç ishte Nën Tereze. Pa këtë standard nuk mund të poretendojmë se po bëjmë mjaft për këtë figurë të madhe, sepse vetëm duke e ngritur në rrafsh institucional nderimin dhe përkushtimin ndaj saj, mund të themi se e kemi shlyer një pjesë të borxhit moral që kemi ndaj saj. Për rrjedhojë, ky nderim dhe përkushtim, me kalimin e kohës, nga viti në vit, , ka ardhur duke marrë pamje dhe fizionomi, qoftë në formë të një manifestimi të cilin tash e katër vite e mbajm, qoftë në formë të botimeve e publikemeve të ndryshme e të veçanta, përfshi edhe revistën e specializuar, me emër simbolik “Drita e Gonxhës”, një platfomë kjo që do të shërbejë si data-bazë e ideve dhe të dhënave të vlefshme të autorëve të ndryshëm mbi jetën dhe veprën e Nënës Tereze.

Jehona e një ngjarjeje asnjëherë nuk mund të marrë dhenë, nëse fuqia e asaj ngjarjeje kufizohet vetëm në suaza të ngushta të fushëveprimit. Duke e ditur këtë ligj të fizikës, ne u kujdesëm që të gjitha veprimtarive tona lidhur me Nënën Tereze t’u japim impakt më të gjerë rajonal e gjithpërfshirës, përfshi edhe qendrat tona shpirtërore-katolike të Kosovës e Shqipërisë si dhe një numër të madh pjesëmarrësish nga fusha e jetës publike, duke filluar nga personalitetet më të larta shtetërore, diplomatë të huaj, e deri te figura të rëndësishme të kulturës e dijes në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë.

Paqe, dashuri, flijim për tjetrin – ky ishte trekëndshi brenda të cilit lëvizi e gjithë kauza etike e humane e Nënës Tereze. Ajo ishte e bindur se pa paqe, pa dashuri dhe pa flijim për tjetrin nuk mund të ketë harmoni tokësore dhe prehje hyjnore. Të jetosh me barrën që askush nuk ta ngarkon në shpinë, përpos ndërgjegja jote që të jesh në shërbim të të tjerëve, është akti më sublim i fijimit dhe sakrificës njerëzore që NënaTereze me vetëdije të plotë i shndërroi në aksioma të të menduarit dhe vepruarit.

Paqa ka çmim shumë të lartë, por për paqen, sipas Nënës Tereze, duhet luftuar me dashuri, e jo me armë. Fushëbetejat paqësore janë shumë më domethënëse se sa fushëbetejat ushtarake, sepse vetëm paqa është burim i begative tokësore, kurse luftërat dhe konfliktet e rrezikojnë ndjeshëm zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit. Mbi këto postulate etike e humane u mbështet edhe filozofia dhe teologjia e Nënës Tereze e cila autoritetin e saj e shfrytëzoi në rritjen e ndërgjegjes njerëzore, por edhe në takime me burrshtetas të ndryshëm, për parandalimin e konfliketeve, si predispozitë e krijimit të kushteve për një botë të qetë e të lumtur.

Ndonëse ishte një figurë e madhe me ndikim planetar, Nëna Tereze nuk pati ndonjë protokoll strikt në aktivitet e saj, sepse gjithçka që ajo bënte për të sëmurët, të varfërit dhe të vetmuarit, nuk duronte protokoll, nuk duronte burokraci. Kjo mënyrë e të vepruarit, ishte e kundërta e praktikave zyrtare, sepse dora e ngrohtë dhe buzëqeshja e saj ishin mekanizmat magjikë që ndikonin shumë më shumë në këndelljen shpirtërore të njerëzve, se sa çdo lloj ndihme tjetër që bëhej me pompozitet nga autoritetet zyrtare. Me këtë ajo dëshmoi se natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale dhe njeriu pa komponentën shpirtërerore është një skelet që lëviz me komandën e atyre që kontrollojnë vullnetet njerëzore. “Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore!

Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!”, thoshte ajo. Prandaj, Nëna Tereze u angazhua që njeriu të mos i ngjajë një skeleti të zhveshur nga ndjesia njerëzore, sepse kur njeriut i mungon njerëzorja ai shndërrohet në vegël që në mënyrë mekanike bën veprime jo të duhura. Vetëm njerëzorja, sipas Nënës Tereze, individin e bën të madh dhe jo pushteti. Prandaj ajo kur takohej me burreshtetas, ata i trajtonte pa glamurozitetin dhe pompozitetin e nevojshëm për takime të tilla, ndërkaq edhe burrshetasit kur takoheshin me të, i nënshtroheshin disi famës që ajo kishte. Ish-kryeministrja e Indisë, Indira Gandi, pas takimit me të kishte thënë: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”. Kjo edhe për faktin se Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën si nocion që do ta bënte atë të rëndlsishme , sepse ajo shpesh thoshte se gjithçka e bënte e bënte për hir të dashurisë së Zotit. “Jam një laps i vogël në duart e Zotit. Ai më përdor për të shkruar atë që dëshiron…”, shprehej ajo.

Jemi me fat, por edhe me përgjegjësi që jetojmë në epokën e Nënës Tereze, sepse nuk mjafton vetëm ta përmendim emrin e saj në raste të ndryshme që ndërlidhen me data të rëndësishme të jetës dhe veprës së saj, por edhe ta ngrejmë nivelin e kujdesit dhe përkushtimit ndaj saj, duke e bërë këtë nivel sa më të dinjitetshëm dhe sa më të kompletuar në pikëpmaje institucionmale, një përpjekje kjo që tash më është bërë pjesë e filozofisë sonë menaxhuese si ITSHKSH dhe si Deprtament për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat