Interesat e shqiptarëve në Versajë do t'i përfaqësonin disa delegacione, por delegacioni kryesor ishte ai i Qeverisë së Durrësit në përbërje të: Turhan Pashë Mehmetit, kryetar, imzot Luigj Bumçit, Mehmet Konicës, Luigj Gurakuqit, dr. Mihajl Turtullit dhe Mustafa Krujës. Në këtë delegacion patër Gjergj Fishta merrte pjesë si ekspert. Shqipëria, në Konferencën e Paqes në Paris, merrte pjesë në kategorinë e katërt dhe vetëm me letërkëmbim, ose në rast se e ftonte njëra nga pesë fuqitë kishte të drejtë ta dërgonte vetëm një delegat.
Kërkesat, të cilat Qeveria e Durrësit, në emër të popullit shqiptar, i kishte paraqitur Konferencës së Versajës, ishin:
1) T'i kthehet shtetit shqiptar pavarësia të cilën e kishte njohur dhe garantuar Konferenca e Londrës e vitit 1913.
2) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Malit të Zi me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913.
3) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Serbisë me vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913.
4) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Greqisë me vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913.
Këtyre kërkesave delegacioni qeveritar ua kishte bashkëngjitur edhe hartën gjeografike të kufirit etnik të Shqipërisë. Në këto vise jetojnë mbi 2 milionë shqiptarë, ku më tepër se gjysma janë lënë jashtë kufirit shqiptar.
Shtrohet pyetja kush qenë ata të cilët e përfaqësuan Shqipërinë? Kush shkoi në Paris? Është vetë Atë Gjergj Fishta, një nga kolosët e historisë sonë, është diplomati i vjetër Turhan Pashë Mehmeti, një personalitet i kohës, është imzot Luigj Bumçi, është edhe atdhetari i dalluar Luigj Gurakuqi, Mihal Turtulli, një nga veprimtarët e kolonive shqiptare të mërgimit, pastaj Mehmet Konica. Mirëpo, pavarësisht se si rrodhën ngjarjet dhe pavarësisht se si ishim të përfaqësuar me personalitete të dëshmuara në këtë konferencë, duhet të shohim edhe atë që ne bëmë gabim dhe jo vetëm atë që na mohuan. Po çfarë bëmë gabim? Shkuarja e shumë delegacioneve në Paris kur të tjerët shkuan me nga një. Pra, të tjerët ishin më kompaktë.
Në fillim të Konferencës Komiteti i Kosovës, në pamundësi që të dërgonte menjëherë një delegacion të vetin për ta përfaqësuar dhe për të parashtruar kërkesat e tij, në emër të shqiptarëve të Kosovës e konsideroi të arsyeshme t’i jepte të drejtë për përfaqësim delegacionit zyrtar shqiptar. Komiteti vuri si kusht përfaqësimi mbrojtjen e dy kërkesave kryesore të programit të tij themeltar. Komiteti i Kosovës i autorizoi për t’i përfaqësuar interesat e Komitetit edhe përfaqësuesin e qytetit të Shkodrës, Atë Gjergj Fishtën si dhe Mit’hat Frashërin. Ishin pikërisht dëshmimi kombëtar dhe besimi në atdhetarizmin e tij arsyet që Komiteti i Kosovës, pa hezitim, t’ia besonte përfaqësimin Gjergj Fishtës.
Më 27 qershor 1919, Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi ia dërguan nga Parisi episkopit katolik në Shkodër një telegram, në të cilin thuhej: “Jugosllavët po i shumëfishojnë përpjekjet e tyre pranë Konferencës për të aneksuar Shkodrën, bregun e djathtë të Drinit, Lezhën e Mirditën. Prandaj, është tepër e rëndësishme që me shpejtësi t’i sillet Konferencës nga ana e klerit katolik një protestë energjike kundër pretendimeve të tilla, duke deklaruar se elementi katolik shqiptar dëshiron të qëndrojë në kuadër të Shqipërisë së pavarur.”
Menjëherë, më 4 korrik, përfaqësuesit e krahinave të Shkodrës iu drejtuan Konferencës së Paqes, duke deklaruar se Shkodra dhe Vlora janë dhe do të mbeteshin pikëmbështetje të pandara të atdheut. Po më 4 korrik kemi letrën e popullit katolik të Dioqezës së Pultit, dërguar Konferencës së Paqes, ku protestohet kundër pushtimit të Shkodrës, Lezhës e Mirditës nga Mbretëria SKS dhe theksohej se interesi i kombit dhe i besimit e do që këto krahina të jenë pjesë e pandarë e Shqipërisë së pavarur.
Nga 28 qershori 1919 në krye të delegacionit qeveritar të Qeverisë të Durrësit u vu Luigj Bumçi, ndërsa sekretar u zgjodh Gjergj Fishta. Si duket Turhan Pashë Mehmeti e kuptoi se për të pasur gjasa fitimi ishte më e udhës që para kancelarive perëndimore të paraqitej një prift katolik sesa një ish-ambasador i Perandorisë Osmane në Petërsburg. Në të gjitha organizimet dhe angazhimet e mundshme Gjergj Fishta i qëndroi afër Bumçit dhe e mbështeste. Kontributi dhe angazhimet e tij ishin të veçanta. Ai përherë mbante letërkëmbim dhe korrespodencë me atdhetarët shqiptarë që nuk gjendeshin në Paris për t’i informuar për gjendjen në Konferencë.
Një pjesë e delegacionit u kundërshtuan si italofilë. Në një reagim kundër këtyre pretendimeve Gjon Shllaku do të theksonte: “ Dergata shqiptare në Paris, dhe At Gjergj Fishta si sekretar i saj tue u gjetun përball kërcënimit të lakmive të Jugosllaveve dhe Grekerve në njërën anë, e në tjetrën përball divergjencës të interesave që kishte Jugosllavia me Italinë, anuen dhe lypen ndihmën e Italis, por kurr nuk lypën mandatin ose protektoratin e sajë.” Pasi që situata ishte e disfavorshme për shqiptarët në Paris, Gjergj Fishta dhe Luigj Bumçi vijuan serinë e takimeve me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të përfituar në favor të Shqipërisë. Me interes ishte edhe takimi i Bumçit dhe Fishtës me kardinalin e Brukselit, Desidre Marcier. Kardinali mori përsipër tu shkruante autoriteteve të ndryshme qeveritare e kishtare për çeshtjën shqiptare. Gjithnjë në përpjekje diplomatike në favor të vendit, Gjergj Fishta shkon me një mision diplomatik në Uashington, për t’u takuar me rrethet katolike në Senatin e Uashingtonit. Gjatë ndalesës në Londër, ai kishte takime pune me miq të kulturës shqiptare përfshirë edhe Edit Durhamin.
Dërgata shqiptare në Paris, përfshirë këtu edhe Gjergj Fishtën më 10 shtator 1919, përmes një letre, kërkon nga kryetari i Konferencës së Paqes që të ndikojë te Qeveria e Beogradit që të mbroheshin të drejtat e shqiptarëve brenda këtij shteti. Në mbledhjen e përbashkët të delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes, më 7 tetor 1919, rreth përmbajtjes së notës që do t’i dërgohej Konferencës për çështjen e pranimit ose të mospranimit të “asistencës” italiane, u dakorduan për të protestuar patjetër, pavarësisht se mendonin që Konferenca vështirë se do t’i miratonte kërkesat e tyre.
Punë jashtëzakonisht të rëndësishme në dobi të atdheut bënte edhe gazeta “Dielli”, që dilte në SHBA. Në këtë konferencë, drejtuesit e gazetës “Dielli” si dhe mbarë diaspora shqiptare e Amerikës kishin pasur shpresa të mëdha. Gjergj Fishta përpiqej që të mbante raporte të mira me udhëheqësit e gazetës “Dielli” dhe më të gjithë ata që do të kontribuonin për një zgjedhje të drejtë për shqiptarët në Konferencën e Parisit.
Pa dyshim se në faqet e gazetës “Dielli” nuk do të anashkaloheshin edhe kundërthëniet ndërmjet shqiptarëve dhe ajo dinte të ngrinte theksin autokritik. Sigurisht që kjo gazetë në vazhdimësi të opinionit të saj, më 7 qershor, shkaqet përpiqet t’i shpjegojë edhe në ndryshimet e mendimeve politike në mes të Turhan Mehmetit me disa shokë, nga njëra anë, dhe Konicës, Tortullit dhe disa shokëve të tyre, nga ana e tjetër. Kryeministri mbron idenë se nuk duhet të prishemi me Italinë dhe pranon mandatin italian. Me idenë e tij janë bashkuar Bumçi, Gurakuqi, M. Kruja, Gjergj Fishta e si duket edhe Mehdi Frashëri e Myfit Bej Libohova. Ndërkaq, Konica, Tortulli dhe Mithat Frashëri janë kundër çdo ndërhyrjeje italiane në Shqipëri dhe mbrojnë idenë e mandatërisë amerikane. Ky vlerësim i gazetës “Dielli” binte në kundërshtim me mendimin e Mihail Gramenos, botuar në gazetën “Albania”, ku e gjykonte politikën e Konicës dhe Tortullit.
Aktiviteti i delegacionit tonë qeveritar në Paris ishte jashtëzakonisht i dendur gjatë ditëve të konferencës. Për këtë punë dhe angazhim merita të mëdha ka pa dyshim edhe Gjergj Fishta, i cili u përpoq që shqiptarët të përfitonin maksimumin e kërkesave të drejta shqiptare paraqitur kësaj konference. Këtë e tregon e dhëna se më 11 shkurt të vitit 1920, ky delegacion, në krye me Luigj Bumçin, ku pa dyshim një kontribut të çmuar dha edhe Fishta, u dërgoi notë proteste përfaqësuesve kryesorë të Konferencës së Paqes, nëpërmjet së cilës hidhte poshtë pikëpamjen, sipas së cilës populli shqiptar ishte i “papjekur” për vetëvendosje.
Raportet dhe bashkëpunimi në mes kryetarit të delegacionit Luigj Bumçit me Gjergj Fishtën ishin shumë të afërta. Këtë na e dëshmojnë edhe shumë dokumente të kohës. Edhe letra e Bumçit dërguar Papa Benediktit të XV për mbrojtjen e Korçës dhe Gjirokastrës nga grekët ishte shkruar në bashkëpunim në mes Bumçit dhe Fishtës. Në fakt ishte pikërisht ky Papë që bëri përpjekje për mbrojtjen e Korçës dhe Gjirokastrës. Edhe teksti i mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris nga imzot Luigj Bumçi, ipeshkvi i Lezhës, për shqiptarët dhe të drejtat e tyre ishte përgatitur për botim nga Gjergj Fishta. Fjalimi i cili kishte pasqyruar shumë qartë gjendjen e shqiptarëve ishte mbajtur në një sallë të Universitetit katolik në Paris.
Në rrethanat e jashtme dhe të brendshme, të krijuara në fillim të vitit 1920, pozitat e Shqipërisë u bënë tejet kritike, por gjithashtu duhet thënë se nuk u përmbushën të gjitha kërkesat e shteteve fqinje. Edhe pse Konferenca e Versajës nuk i mori parasysh në vendimet e saj kërkesat e shqiptareve dhe të delegatëve të tij, përpjekjet e shqiptarëve përbëjnë një dëshmi të pakundërshtueshme të vullnetit të shqiptarëve për të luftuar për mbrojtjen e pavarësisë dhe pacenueshmërisë së atdheut.
Efektet e kontributit të Fishtës dhe shokëve të tij në aspektin diplomatik u panë edhe me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 19 dhjetor 1920. Figura e Gjergj Fishtës mbeti në mendjet dhe në zemrat e atyre që e njohën, e deshën dhe e çmuan si mishërimin e gjithçkaje burrërore, fisnike e të pastër, gjëra të cilat i karakterizojnë atdhetarët. Dashuria për kombin dhe atdheun qe ndjenja më e fuqishme në tërë jetën e tij.