Gjergj Fishta në Konferencën e Parisit (1919-1920)

Kultura

Gjergj Fishta në Konferencën e Parisit (1919-1920)

Nga: Lush Culaj Më: 7 shtator 2024 Në ora: 16:43
Gjergj Fishta

Interesat e shqiptarëve në Versajë do t'i përfaqë­sonin disa delegacione, por delegacioni kryesor ishte ai i Qeve­risë së Durrësit në përbërje të: Turhan Pashë Mehmetit, kryetar, imzot Luigj Bumçit, Mehmet Konicës, Luigj Gurakuqit, dr. Mihajl Turtullit dhe Mustafa Krujës. Në kë­të delegacion patër Gjergj Fishta merrte pjesë si eks­pert. Shqipëria, në Konferencën e Paqes në Paris, me­rr­te pjesë në kategorinë e katërt dhe vetëm me letërkëmbim, ose në rast se e ftonte njëra nga pesë fuqitë kishte të drejtë ta dërgonte vetëm një delegat.

Kërkesat, të cilat Qeveria e Durrësit, në emër të po­pu­llit shqiptar, i kishte paraqitur Konferencës së Versa­jës, ishin:

1) T'i kthehet shtetit shqiptar pavarësia të cilën e kishte njohur dhe garantuar Konferenca e Londrës e vitit 1913.

2) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Malit të Zi me vendimet e Kongresit të Ber­li­nit dhe të Konferencës së Londrës të vitit 1913.

3) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Serbisë me vendimet e Konferencës së Lon­drës të vitit 1913.

4) T'i kthehen shtetit shqiptar viset shqiptare që i ishin dhënë Greqisë me vendimet e Konferencës së Lon­drës të vitit 1913.

Këtyre kërkesave delegacioni qeve­ri­tar ua kishte bash­kë­ngjitur edhe hartën gjeografike të kufirit etnik të Shqi­pë­risë. Në këto vise je­tojnë mbi 2 milionë shqiptarë, ku më tepër se gjysma janë lënë jashtë kufirit shqiptar.

Shtrohet pyetja kush qenë ata të cilët e përfaqësuan Shqipërinë? Kush shkoi në Pa­ris? Është vetë Atë Gjergj Fishta, një nga kolosët e historisë sonë, është diplomati i vje­tër Turhan Pashë Mehmeti, një personalitet i kohës, është imzot Luigj Bu­mçi, është edhe atdhetari i dalluar Luigj Gura­kuqi, Mihal Turtulli, një nga veprimtarët e kolonive shqiptare të mërgimit, pastaj Meh­met Konica. Mirëpo, pa­varësisht se si rrodhën ngjarjet dhe pavarësisht se si ishim të përfa­që­suar me personalitete të dë­shmuara në këtë konferencë, duhet të sho­him edhe atë që ne bëmë gabim dhe jo vetëm atë që na mo­hu­­an. Po çfarë bëmë gabim? Shkuarja e shumë delega­cione­ve në Paris kur të tjerët shkuan me nga një. Pra, të tjerët ishin më kompaktë.

Në fillim të Konferencës Komiteti i Kosovës, në pamundësi që të dërgonte menjëherë një dele­gacion të vetin për ta përfaqësuar dhe për të parashtruar kërkesat e tij, në emër të shqiptarëve të Kosovës e konsideroi të arsyeshme t’i jepte të drejtë për përfaqësim delegacionit zyrtar shqiptar. Komiteti vuri si kusht përfaqësimi mbrojtjen e dy kërkesave kryesore të programit të tij themeltar. Komiteti i Kosovës i autorizoi për t’i përfaqësuar interesat e Komitetit edhe për­faqësuesin e qytetit të Shkodrës, Atë Gjergj Fishtën si dhe Mit’hat Fra­shërin. Ishin pikërisht dëshmimi kombëtar dhe besimi në atdhetarizmin e tij arsyet që Komiteti i Kosovës, pa hezitim, t’ia besonte përfaqësimin Gjergj Fishtës.

Më 27 qershor 1919, Luigj Bumçi, Gjergj Fishta, Lu­igj Gurakuqi ia dërguan nga Parisi episkopit katolik në Shkodër një telegram, në të cilin thuhej: “Jugosllavët po i shumë­fishojnë përpjekjet e tyre pranë Konferencës për të ane­ksuar Shkodrën, bregun e djathtë të Drinit, Lezhën e Mir­­­ditën. Prandaj, është tepër e rëndësishme që me shpej­­­tësi t’i sillet Kon­ferencës nga ana e klerit katolik një pro­testë energjike kundër pretendimeve të tilla, duke dekla­ruar se elementi katolik shqiptar dëshiron të qëndro­jë në kuadër të Shqipërisë së pavarur.”

Menjëherë, më 4 korrik, përfaqësuesit e krahinave të Shkodrës iu drejtuan Konferencës së Paqes, duke dekla­ru­ar se Shkodra dhe Vlora janë dhe do të mbeteshin pikë­mbë­shtetje të pandara të atdheut. Po më 4 korrik kemi letrën e popullit katolik të Dioqezës së Pultit, dërguar Konferencës së Paqes, ku protestohet kundër pushtimit të Shkodrës, Lezhës e Mirditës nga Mbretëria SKS dhe theksohej se interesi i kombit dhe i besimit e do që këto krahina të jenë pjesë e pandarë e Shqipërisë së pavarur.

Nga 28 qershori 1919 në krye të delegacionit qeve­ri­tar të Qeverisë të Durrësit u vu Luigj Bumçi, ndërsa sekretar u zgjodh Gjergj Fishta. Si duket Turhan Pashë Mehmeti e kuptoi se për të pasur gjasa fitimi ishte më e udhës që para kancelarive perëndimore të paraqitej një prift katolik sesa një ish-ambasador i Perandorisë Osmane në Petërsburg. Në të gjitha orga­ni­zimet dhe angazhimet e mundshme Gjergj Fi­shta i qëndroi afër Bumçit dhe e mbështeste. Kontributi dhe angazhimet e tij ishin të veçanta. Ai përherë mbante letër­kë­mbim dhe korres­podencë me atdhetarët shqi­ptarë që nuk gjendeshin në Paris për t’i informuar për gjendjen në Kon­fe­rencë.

Një pjesë e delegacionit u kundërshtuan si italofilë. Në një reagim kundër këtyre pretendimeve Gjon Shllaku do të theksonte: “ Dergata shqiptare në Paris, dhe At Gjergj Fishta si sekretar i saj tue u gjetun përball kërcënimit të lakmive të Jugosllaveve dhe Grekerve në njërën anë, e në tjetrën përball divergjencës të interesave që kishte Jugosllavia me Italinë, anu­en dhe lypen ndihmën e Italis, por kurr nuk lypën man­datin ose protektoratin e sajë.” Pasi që situata ishte e dis­favorshme për shqiptarët në Paris, Gjergj Fishta dhe Luigj Bumçi vijuan serinë e takimeve me përfaqësues të Fuqive të Mëdha për të përfituar në favor të Shqipërisë. Me interes ishte edhe takimi i Bumçit dhe Fishtës me kardinalin e Bruk­selit, Desidre Marcier. Kardinali mori përsipër tu shkruan­te autoriteteve të ndryshme qeveritare e kishtare për çeshtjën shqiptare. Gjithnjë në përpjekje diplo­matike në favor të vendit, Gjergj Fishta shkon me një mision diplomatik në Ua­shington, për t’u takuar me rrethet katolike në Senatin e Uashingtonit. Gjatë ndalesës në Londër, ai kishte takime pu­ne me miq të kulturës shqiptare përfshirë edhe Edit Durha­min.

Dërgata shqiptare në Paris, përfshirë këtu edhe Gjergj Fishtën më 10 shtator 1919, përmes një letre, kërkon nga krye­tari i Konferencës së Paqes që të ndikojë te Qeveria e Beogradit që të mbroheshin të drejtat e shqiptarëve brenda këtij shteti. Në mbledhjen e përbashkët të dele­gacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes, më 7 tetor 1919, rreth për­mbajtjes së notës që do t’i dërgohej Konfe­re­ncës për çë­shtjen e pranimit ose të mospranimit të “asistencës” ita­li­ane, u da­korduan për të protestuar patjetër, pavarësisht se mendonin që Kon­ferenca vështirë se do t’i miratonte kërkesat e tyre.

Punë jashtëzakonisht të rëndësishme në dobi të at­dhe­ut bënte edhe gazeta “Dielli”, që dilte në SHBA. Në këtë konfe­rencë, drejtuesit e gazetës “Dielli” si dhe mbarë diaspora shqi­p­tare e Amerikës kishin pasur shpresa të mëdha. Gjergj Fishta përpiqej që të mbante raporte të mira me udhëheqësit e gazetës “Dielli” dhe më të gjithë ata që do të kontribuonin për një zgjedhje të drejtë për shqiptarët në Konferencën e Parisit.

Pa dyshim se në faqet e gazetës “Dielli” nuk do të ana­shkaloheshin edhe kundërthëniet ndërmjet shqiptarëve dhe ajo dinte të ngrinte theksin autokritik. Sigurisht që kjo gazetë në vazhdimësi të opinionit të saj, më 7 qershor, shkaqet për­piqet t’i shpjegojë edhe në ndry­shimet e mendimeve politike në mes të Turhan Mehmetit me disa shokë, nga njëra anë, dhe Konicës, Tortullit dhe disa shokëve të tyre, nga ana e tjetër. Kryeministri mbron idenë se nuk duhet të prishemi me Italinë dhe pranon mandatin italian. Me idenë e tij janë bashkuar Bumçi, Gurakuqi, M. Kruja, Gjergj Fi­shta e si duket edhe Mehdi Frashëri e Myfit Bej Libo­hova. Ndërkaq, Konica, Tortulli dhe Mithat Frashëri janë kundër çdo ndër­hyrjeje italiane në Shqipëri dhe mbrojnë idenë e mandatërisë amerikane. Ky vlerësim i gazetës “Die­lli” binte në kundër­shtim me mendimin e Mihail Gra­menos, botuar në gazetën “Albania”, ku e gjykonte poli­tikën e Ko­nicës dhe Tortullit.

Aktiviteti i delegacionit tonë qeveritar në Paris ishte jashtëzakonisht i dendur gjatë ditëve të konferencës. Për kë­të punë dhe angazhim merita të mëdha ka pa dyshim edhe Gjergj Fishta, i cili u përpoq që shqi­ptarët të përfitonin mak­si­mumin e kërkesave të drejta shqip­tare paraqitur kësaj kon­fe­rence. Këtë e tregon e dhëna se më 11 shkurt të vitit 1920, ky delegacion, në krye me Luigj Bum­çin, ku pa dyshim një kontribut të çmuar dha edhe Fishta, u dërgoi notë proteste përfaqësuesve krye­sorë të Konferencës së Paqes, nëpërmjet së cilës hidhte poshtë pikëpamjen, sipas së cilës populli shqi­p­tar ishte i “papjekur” për vetëvendosje.

Raportet dhe bashkëpunimi në mes kryetarit të dele­gacionit Luigj Bumçit me Gjergj Fishtën ishin shumë të afërta. Këtë na e dëshmojnë edhe shumë dokumente të ko­hës. Edhe letra e Bumçit dërguar Papa Benediktit të XV për mbrojtjen e Korçës dhe Gjirokastrës nga grekët ishte shkruar në bashkëpunim në mes Bumçit dhe Fishtës. Në fakt ishte pikërisht ky Papë që bëri përpjekje për mbrojtjen e Korçës dhe Gjirokastrës. Edhe teksti i mbajtur në Konferencën e Paqes në Paris nga imzot Luigj Bumçi, ipeshkvi i Lezhës, për shqiptarët dhe të drejtat e tyre ishte përgatitur për botim nga Gjergj Fishta. Fjalimi i cili kishte pasqyruar shumë qartë gjendjen e shqiptarëve ishte mbajtur në një sallë të Uni­versitetit katolik në Paris.

Në rrethanat e jashtme dhe të brendshme, të krijuara në fillim të vitit 1920, pozitat e Shqipërisë u bënë tejet kri­tike, por gjithashtu duhet thënë se nuk u përmbushën të gjitha kërkesat e shteteve fqinje. Edhe pse Kon­fe­renca e Versajës nuk i mori parasysh në vendimet e saj kërkesat e shqiptareve dhe të delegatëve të tij, për­pjekjet e shqiptarëve përbëjnë një dëshmi të paku­ndërshtueshme të vullnetit të shqiptarëve për të luftuar për mbrojtjen e pavarësisë dhe pacenueshmërisë së atdheut.

Efektet e kontributit të Fishtës dhe shokëve të tij në aspektin diplomatik u panë edhe me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 19 dhjetor 1920. Figura e Gjergj Fishtës mbeti në me­ndjet dhe në zemrat e atyre që e njohën, e deshën dhe e çmuan si mishërimin e gjithçkaje burrërore, fis­ni­ke e të pas­tër, gjëra të cilat i karakterizojnë atdhetarët. Da­shuria për kombin dhe atdheun qe ndjenja më e fuqishme në tërë jetën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat