Te blini në Pejë dhe ikona e qytetit…

Kultura

Te blini në Pejë dhe ikona e qytetit…

Nga: Lulzim Logu Më: 9 shtator 2024 Në ora: 17:21
Sejdi Berisha dhe Lulzim Logu

Në Pejë ndihem gjithmonë si në shtëpinë time...

Sfondi madhështor i maleve, ajri i mrekullueshëm ngjyer në tisin e ëndërrt të mëngjeseve dhe kuqëlimin e bukur të muzgjeve , aroma e lumit që mbështillet në pëlhurën transparente të mjegullës më sjellin ndërmënd vendlindjen dhe natyrshëm, teksa eci në kalldrëmet e këtij qyteti të njohur shqiptar, krahas njerëzve të bukur dhe shtatlartë jam aq krenar dhe i lumtur.

Si përherë ndalesa ime e parë tek Dukagjini, poshtë blinit të poetëve, ngjitur me Lumbardhin zë vend dhe porosis kafenë e mirëseardhjes me mikun tim të shtrenjtë , poetin, shkrimtarin dhe studjuesin e njohur Sejdi Berisha.

Ai është padyshim kronikani më realist i historisë dhe zhvillimit të këtij qyteti, poeti aq i ndjeshëm, shkrimtari i dimensioneve të veçanta dhe mbi të gjitha një mik i mirë i krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare. Me një portret fisnik, me buzëqeshjen e ngrohtë dhe zërin e butë ai të krijon menjëherë atmosferën e duhur të bashkëbisedimit rreth kulturës në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti, por sidomos integrimit të përbashkët të krijuesve shqiptarë në të mirë të zhvillimeve bashkëkohore për mbarë shqiptarët në rajon.

Kontributi i tij në këtë drejtim është i pazëvëndësueshëm sikurse roli dhe ndikimi i korpusit të veprave të tij të botuara në Pejë, Kosovë, Shqipëri dhe më tej.

Përtej numrit të mbi 30 veprave të tij të botuara, do të mjaftonin dy tituj të monografive të tij të botuar: “ Zejtarët e Pejës” dhe “ Teatri i Pejës” si dhe libri i tij më i ri “ Njeriu pa vendlindje” një traktat i mrekullueshëm i dashurisë njerëzore për ta merituar një vend në panteonin e shkrimtarëve bashkëkohorë.

Por vazhdimisht më ka shqetësuar fakti i vlerësimit të krijuesve dhe intelektualëve pikërisht nga vendi i tij, përkatësisht për Sejdi Berishën nga qyteti ku ai u lind dhe po jeton tash 77 vite (sot ai ka ditëlindjen) si motivim shpirtëror për përpjekjet e tij të vazhdueshme për disa dekada, përtej të qënit të krijuesit modest dhe larg shkëlqimit të dritave të skenave ku jepen çmime dhe certifikata vlerësimesh apo trendit për të rendur pas titujve të lartë me shumë përfitime…

Një qytet duhet të dijë dhe duhet të ketë një mekanizëm që çmon objektivisht rolin dhe kontributin në kohë të ndryshme të krijuesve të njohur, që në memorien dhe gjykimin e opinionit, ngadalë, por besueshëm kthehen në simbole apo ikona kulturore dhe jo vetëm të atij qyteti.

Të themelojë një këshill të urtësh që ja propozojnë pushtetit vendor dhënien e një medalje e cila ka vlerë të spikatur kundrejt raporteve të krijuesit me qytetin dhe qytetarët e tij, e cila qëndron gjithmonë mbi çdo fushatë çmimesh mediokre, të cilat shpërndahen në mënyrë vulgare nga organizime të vjetra, të dala boje dhe që identifikojnë krijues të rëndomtë dhe jo të vertetë.

Çdo qytet, në historinë e tij ka individë të sikatur nga të gjitha fushat, ka qytetarë nderi, por në fakt duhet të ketë figura të cilët për shkak të ndikimit të tyre në jetën dhe zhvillimin e tij duhet të shndrrohen në nderin e qytetit, një vlerësim që ndoshta duhet shoqëruar me sadisfaksione jo vetëm morale.

Sejdi Berisha padyshim se meriton së paku të jetë Nderi i Pejës, ky vlerësim do të ishte respekt i merituar ndaj jetës dhe veprës së tij ndër vite dhe do ta nderonte Pejën e historisë dhe të kulturës, duke i shtuar emrave të njohur një emër që do të nderonte çdo qytet shqiptar.

Poeti, shkrimtari, dramaturgu, gazetari dhe studiuesi Sejdi Berisha, krijuesi që jetën e tij e shndërroi në një kërkim të gjatë në kohën dhe historinë e vendit të tij, në traditat dhe gjurmët e pavdekshme të atdhetarizmit, kulturës dhe sfidave të mbijetesës së tij në shekuj.

Njeriu që shkroi dhe materializoi aq bukur me artin e tij të fjalës së shkruar historinë e lavdishme të Pejës, si një nga qendrat më të mëdha dhe të shquara të lavdisë dhe krenarisë shqiptare, meriton një vlerësim të denjë për qasjen e tij ndaj historisë dhe zhvillimeve të kulturës dhe letërsisë moderne të kohës.

Njeriu që jetën e tij ja përkushtoi Pejës, Kosovës dhe Shqipërisë përmes veprave të tij të shumta, të cilat të marra në tërësi përbëjnë padyshim korpus të gjerë dhe dinjitoz,

Një obelisk arritjesh drejt ndriçimit të fatit historik të kohës dhe të fatit të njeriut meriton padyshim krahas mirënjohjes së vazhdueshme të lexuesve të tij të shumtë ngado edhe mirënjohjen tuaj institucionale, të qytetarëve të Pejës, përfaqësuar në fjalën dhe votat e tyre tek Këshilli Komunal i qytetit.

Sejdi Berisha nuk i përket vetëm Pejës, me librat, por edhe me qëndrimet e tij intelektuale dhe përballjet e tij publike ka simbolizuar në mënyrë sinjifikative njeriun bashkëkohor që ndjek me përgjegjësi fatin e kombit të tij në momentet më serioze gjeostrategjike, pikërisht kjo e lidhur me integrimin e përbashkët të shqiptarëve në Evropë.

Fakti se ai tash njëzet vjet punon pa pushim për integrimin kulturor, duke dëshmuar personalitet dhe karakter të fuqishëm me humanizmin e tij të sinqertë të qëllimit patriotik, së bashku me emrat më të njohur të kulturës që nga Tropoja deri në Sarandë është i spikatur , i dëshmuar dhe vlerësuar në shkrime dhe dedikime publike në media dhe takime periodike anekënd hapësirave shqiptare.

Në Pejë gjithmonë ndihem si në shtëpinë time, aq më tepër kur kam të njohur dhe miq të mrekullueshëm si Sejdi Berisha.

Sot në ditën e tij të lindjes nuk jam dot ta uroj nga afër, ti dhuroj lule dhe ta marr n’grykë me mall. Por po guxoj të shkruaj një mendim timin të kahershëm, në formën e një lutje fisnike për një njeri dhe krijues si ai dhe pa lejen e tij ( shpresoj të mirëkuptojë për këtë gjest timin sepse e di që ai nuk është njeri i bujës dhe ithtar i gjërave të tilla!) dhe të shpalos para opinionit një qasje jo vetëm timen, por të dhjetra krijuesve dhe intelektualëve nga Tropoja (Malësia e Gjakovës), Gjakova, Klina, Malisheva, Peja, Prishtina, Prizreni, Plava...

Duke bashkëngjitur shkrimit një përmbledhje dinjitoze të biografisë së tij letrare dhe intelektuale si kujtesë plotësuese edhe për skeptikët dhe të painformuarit, të cilët pa dashje të keqe mund ta keqkuptojnë këtë qasje drejt vlerësimit të tij.

Që në fakt duhet të jetë qasje edhe për çdo krijues meritor anëmbanë botës shqiptare...

Sejdi B. BERISHA

U lind me 10 qershor 1947.

Që në shkollën fillore, fillon të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen te gazeta “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, te “Pionieri” dhe te “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.

Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën studentore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.

Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, përkatësisht në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu.

Në këtë detyrë ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së (Radiotelevizionit të Prishtinës).

Sejdi BERISHA, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë dhe, përpos që ka përcjellë zhvillimet dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri komunat tjera të cekura më lart, kohë pas kohe ka raportuar edhe nga ngjarjet dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë.

Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës.

Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.

Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.

Sejdi BERISHA është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.

Deri me tash ka botuar këto vepra:

1. Kombinati i lëkurë-këpucëve në

Pejë(monografi, 1984)

2.Tronditje (poezi, 1991)

3.Çmendia në rreth (prozë, 1993)

4. Feniksi (poezi, 1993)

5.-Simfoni pritjeje (poezi, 1995)

6.-Zejtarët e Pejës (monografi, 1995)

7. Gabim stinësh (poezi, 1996)

8.Në cep koha (poezi, 1997)

9. Vrasësi i gjumit (roman, 1999)

10.Heraldika (poezi, 2000)

11. Lumturia e dhembjes (eseistikë,

2002)

12. Freskia e pluhurit (poezi, 2002)

13.Piramida e ironisë (eseistikë, 2004)

14.Plagë në pikturë (poezi, 2005)

15.Fjala e gjakut (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe

Koshares – (2006)

16. Shpërputhje kohe (ese, shkrime kritiko-letrare,vështrime jete,

(2006)

17.Kaq shumë vetmi (poezi të zgjedhura-2007)

18.Dashuro një minutë (poezi dashurie-2007)

19.Homazhe tek mendja (eseje-2008)

20. E bukura e rrugëtimit (këndvështrime letrare-2008)

21. Fjalë e pathënë (poezi - 2009)

22. Zejtarët e Pejës (monografi-Botimi i Dytë - 2010)

23. Kërkoj dhembjen time (poezi - 2011)

24.Mallkimi i heshtjes (Shkrime refleksive- 2011)

25.Teatri i Pejës (monografi-2012)

26.Vargje të këputura (poezi-2012)

27.Përtej shkrimit (Shkrime të plasura, baladë shkrimesh, kujtime,

mendime, vlerësime dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për

mua) (2013)

28. Gjethet e hirta të zemërimit (poezi 2014)

29.Në lumë bie shi (poezi-2015)

30.Konflikti me vetveten (Ese & shkrime të tjera-2016)

31. Gërshetimi krijues dhe urat letrare - (Analiza dhe këndvështrime

letrare-2016)

32.Kthim në shtëpinë që nuk ekziston (Poezi të përkthyera në

gjuhën greke-2016 - Επιστροφη στο σπιτι που δεν υπαρχει

(Ποιήματα)

33. Varrtarët kush do t’i varrosë (poezi-

2017)

34. Zejtarët e Pejës, roli dhe kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik

dhe kulturor(Monografi)-Botimi i Tretë(2017)

35.Peizazh i jetës sime (poezi - 2018)

36.Njeriu “pa” vendlindje (Thjeshtë, dhembja dhe lumturia e jetës

bashkë), libër autobiografik(2019)

37. Ofelia nuk kthehet më... -Poemë, baladë apo gjerdan ironie- (Poezi– 2019)

38. Lotët e Poseidonit-Ose, një copë hartë për tokën time-

(poezi,2021)

39. Peja, dhembja dhe krenaria ime... - poemë të cilën kurrë nuk

e përfundova-(poezi-2023)

40.Lumturia që (s)ekziston-reportazhe dhe shkrime që përplasin

mendjen-(2023)

Në valët e Radio-Prishtinës i janë emetuar radio-dramat:

41. Valsi i kuq (1976) (Kjo dramë është

përgatitur dhe shfaqur edhe në

Teatrin Popullor të Pejës-premiera

është shfaqur me 20.03.1976)

42. Vdekja e bardhë (1985)

43. Misteria (1987)

44.-Obelisku pa adresë (2005)

Kjo monodramë është përgatitur dhe shfaqur nga Trupa teatrore e Teatrit të Klinës më 27 prill 2007 në kuadër të Ditës së të pagjeturve dhe të 40-vjetorit të punës së aktorit, Ismet Krasniqi.

Ndërsa, në prill të vitit 2013, është përgatitur dhe shfaqur në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës, kurse është shfaqur edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës dhe më gjerë.

Më 17 janar 2014, Teatri i qytetit të Pejës, dramën “Obelisku pa adresë” e ka shfaqur edhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002, disa herë ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu, ka qenë anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe për një kohë të shkurtër edhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG-së) në Pejë.

Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, që u organizua më 24 nëntor 2011-30 nëntor 2011, u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar i vitit”. Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë me 26 gusht 2012, u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë.

Në Takimet e Para Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë, më 08 shtator 2009, u nderua me Çmimin e Parë për poezinë më të mirë të lexuar në këtë manifestim letrar kombëtar.

Është fitues i Çmimit “Din Mehmeti”, në Mitingun e 50-të të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi, “Gjethet e hirta të zemërimit”, si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve (09 maj 2014).

Është i prezantuar në Antologjinë e autorëve të cilët u kanë kushtuar vargje nënave dhe femrave të botuar në Londër, pastaj në Antologjinë Ars Poetika, Botues MEDAUR.

Shkrimtari dhe publicisti Sejdi BERISHA, është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin e botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në vitin 2018.

Po ashtu është përshirë edhe në Leksikonin Enciklopedik të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve New York, Tiranë, Prishtinë, Shkup-viti 2020. Është i prezantuar në Antologjinë e Bibliotekës së Prizrenit, “Nga gjerdani kombëtar”, e cila është botuar me rastin e 70-vjetorit të kësaj biblioteke, e cila është më e vjetra në Kosovë, e në të cilën antologji janë prezantuar shtatëdhjetë krijues të përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

Në 70-vjetorin e Bibliotekës së Prizrenit, poezia e tij e botuar në Antologjinë e këtij asociacioni, është shpallur poezia më e mirë e botuar në këtë vepër.

Ky krijues me krijimet e veta është i përfshirë edhe në antologjinë “Antologji e Poezisë Moderne Shqipe” 2014 dhe në librin “Krijuesit e zgjedhur kombëtarë” etj.

Është fitues i Çmimit “Vendi i Parë” për poezinë më të mirë të lexuar në Takimet e VI-ta Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë (09 shtator 2014).

Në Takimet Letrare Kombëtare “Ora e Tahir Deskut”, që u mbajt në shtator të viti 2016, libri i tij me poezi “Në lumë bie shi” u shpall libri më i mirë i botuar ndërmjet dy takimeve. Ndërsa, Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI”-ALBANIA, shkrimtarin dhe publicistin Sejdi BERISHA, e shpalli “Poet i vitit 2016” (Për Kosovë).

Ndërsa, Gazeta e Alpeve “Tropoja” e ka nderuar me “Çmimi i Karrierës”, për kontributet e tij plot arritje e vlera me botimet publicistike e letrare në Gazetën e Alpeve “Tropoja” dhe në masmedie të Kosovës, Diasporës e Kombit Shqiptar (Vendimi nr. 121, 26 prill 2019).

Është një prej hartuesve të Antologjisë të Poetëve të Malësisë së Gjakovës (2014).

Ndërsa, në Takimet ndërkombëtare “Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti me vlera të larta shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike, u nderua me bustin e DEA-Hyjnesha në Fron e Butrintit (Sarandë, 27 shtator 2014). Kurse, në Festivalin Ndërkombëtar të Monologut “Art pa kufij” që u mbajt në Sarandë (08-10 maj 2015), monologu nga monodrama “Obelisku pa adresë”, të cilin e interpretoi aktori, Ismet Krasniqi Lala, u nderua me Çmimin e Parë të festivalit.

Ndërsa, me 13 janar 2020, u pranua anëtar i Shoqatës Letrare-Artistike “PRINC MUZAKA”–Fier-Tiranë, Shqipëri-Kosovë.

Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.

Vlerësime nga krijuesit e tjerë:

Agim DESKU-poet:

“...I tërë mozaiku për Sejdi Berishën do të përmblidhej në tri fjalë:

Njeri i madh, kulturë e pashuar dhe shpirt engjëllor”!

(02 shkurt 2013)

Qëndresa SADRIJA, poete:

“...E prekem këtë letër, e prekem dhe u gjendem para një lumi të bukur fjalësh, para asaj qerres së jetës që ti e bën varg të praruar, dhe kënga jote, Sejdi, nuk është vetëm një zë i brendshëm, por që dëgjohet deri tek ne, të gjithë ne...”!

Jona MERJO- krijuese, Shqipëri:

Shkrimtari që sakrifikon çdo sekondë në dobi të kulturës...

Fatmir TERZIU-shkrimtar dhe publicist, Londër:

“...Sejdi Berisha, poeti, hulumtuesi dhe studiuesi dhe i vlerave shqiptare në Pejën historike dhe më gjerë, mbetet një nga figurat qendrore të krijimtarisë sot.

Ai i kthen dhimbjet në frymëzim e plagët në mençuri kohe...

Vepra e tij s’do koment.

Urime me gjithë zemër...”.

Prend BUZHALA, kritik letrar:

Opusi solid krijues letrar i Sejdi Berishës, i përbërë nga dhjetëra tituj veprash të botuara e të ribotuara, shtrohet në tituj poezie, proze, letërsie dokumentare, kritikash letrare, eseistikë e në lëmin e monografive. I përfshirë në disa antologji, i përkthyer edhe në gjuhë tjera, i laureuar me disa çmime letrare prestigjioze, Sejdi Berisha, tashmë i ka dhënë një kontribut të çmuar letërsisë së sotme shqipe.

Tahir BEZHANI, poet:

Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi Berisha, gjatë punës krijuese letrare por edhe asaj në gazetari, ka dhënë dhe jep kontribut të çmueshëm e të veçantë dhe të paharrueshëm që meritojnë jo vetëm theksimin e tyre, por edhe vlerësimin, studimin dhe të punës nëpër kohëra por edhe në ato vitet më të vështira vështira…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat