Lev Tolstoi, kushtrimi i zëshëm i shpirtit rus, shkrimtari që erdhi si një i krishter i devotshëm dhe iku si "murg"

Kultura

Lev Tolstoi, kushtrimi i zëshëm i shpirtit rus, shkrimtari që erdhi si një i krishter i devotshëm dhe iku si "murg"

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 00:01
Lev Tolstoi

Kujtesa dhe kremtimi i përjetësisë së atyre që erdhën me një mision të lartë mëkimi të hyjnisë së shpirtit përmes krijimit, mbetet gjithëçfarë një brez lips të dëshmojë mirënjohjen, se sa ai e ka rrokur atë dimension etern, se sa ajo shprehje arti, së cilës gjenitë i blatuan botës ka lënë gjurmë. Lev Tolstoi është një nga ato pena, një nga ato forca mëtimi, që shkruan një vepër që mbeti testament në letërsinë botërore. Kjo kreshtë e lartë e mendimit dhe kumtimit estetik cek qiejt e çdo epoke dhe manifeston forcën e çdo qëndrese që i ofrohet besimit tek e bukura dhe mendimi.

\Lev Tolstoi u lind më 9 shtator të vitit 1828 dhe vdiq më 20 nëntor, 1910. Ai do të njihet në historinë e letërsisë dhe mendimit si;  shkrimtar, novelist, eseist, dramaturg dhe filozof rus. Veprat e tij monumentale mbeten, “Lufta dhe paqja” dhe  “Ana Karenina”.

Letërsia ruse dhe kumti krijues i tempullit të rrëfimtarisë botërore, janë të mishëruara në shpirtin e Lev Tolstoit, në zërin dhe zemrën e një kurmi të temperuar në kudhrën e hekave dhe dhimbjeve si një ngulmim, i cili merr forcë duke mposhtur peshën e rëndë që jo vetëm nuk e nënshtron, por e bën më të fortë, i jep më vitalitet dhe shpërfaq në të mundshmen e tij ato kapacitete që zgjohen për të sprovuar se deri në çfarë caqesh mund të zotërojë pasioni. Memoria e kërshërisë letrare është e lidhur më të që në zanafillën e andës për të bukurën dhe ka vërshuar në gjakun e kallur duke e përtërirë të hyjshmen si prej hirit. Pjesa më solemne e këtij jetësimi është depërtimi që ka promovuar në kremten estetike të gjithëkohjes tekstshkruese, krijimtaria e Lev Tolstoit.

Galeria e krijimtarisë së tij është larushitëse dhe rrapëlluese në të gjithmonshmen e kaplimit pas të epërme vlera. Nën barrën e kësaj mrekullie që gjenialiteti i Tolstoit ka ndërtuar, mbëmendja jonë ngaset përnga një mirënjohje e përunjur për këtë shenjtor të përkorë të letrave.

\Tash e përgjithnjë një vullnesë mirënjohjeje na thërret në ndërmendje, Lev Tolstoin, njëren prej penave më të vetvetishme të shpirtit rus, kremten më të hyjshme estetike të atij botkuptimi dhe asaj gjëneze nga më të andshmet që i’u servir nevojës së gjeneratave për mekim shëlbyes.

Një pjesë vitale, e dengur dhe e dehur nga hapësira e një lirie që formësohej mbi qiellin e tij, qiell i cili thyhet sapo ai kërkoi ta mbushte me fluturim, erdhi në jetë më 9 gusht 1828. Jeta dhe vepra e shkrimtarit të madh, përkundësit të “Ana Karenina”, “Lufta dhe Paqja”, dhe një galerie të pamatë romanesh e qëmtesash letrare, nuk copëzohen nga gjithçka që e gjurmoi deri sot e përgjithmonë, lavdia dhe misteri, filozofia dhe kumti i një shpirti të madh dhe një zemrë që kungonte lirinë. Një zot në zotërimin e tij mental dhe fizik. Një shenjtor që u përndoq nga ferri, nga demonët e asaj realeje, me të cilën u kacafyt deri në dekikun e mbram. Luftoi, u përlesh, u kacafyt, nuk u nënshtrua kurrnjiherë. Në kryeradhën e përballjes vendosi një qëndres kumtuese. Deri në çastin e fundmë, i tillë, kryenaltë dhe i vendosur, cingëritëse dhe kushtrues ishte zëri dhe pena e tij, jo dhe aq prej yshtjes së një ateisti, se sa njeriu mishi dhe ndjenjash, mendimi dhe qëmtimi, zemërate dhe shtërngimi.

Kungimi shpirtëror i papajtueshmërisë me ç’ka ai e pa si heretike, u hodh si balsam mbi plagën e lirisë që sëmbonte, duke marrë krahët e zemrës së tij gjëmuese dhe duke u formëzuar: “Bota bëri çka dëshiroi, i lejoi kishës ta shpjegojë rëndësinë dhe synimin e jetës. Bota vendosi jetën krejtësisht të kundërt me mësimet e Krishtit, kurse kisha studioi veprat e shkruara me të cilat e la popullin të jetojë në kundërshti me ligjin e Krishtit, të jetojë sipas vullnetit të tij. Rezultati ishte se bota filloi të jetojë jetën më të keqe se në jetën pagane, kurse kisha jo vetëm që këtë e arsyetonte, por edhe e miratonte duke folur se kjo është në pajtim me mësimin e Krishtit …”.

Ikja, ashti si behja, përnjimend edhe si vepra dhe gjithçka tjetër e korpusit human dhe letrar të Lev Tolstoit, shkrepën si vetëtim në kaltërsinë e pare dhe panoramimin që ai i mëtoi botës me kahjen e ndryshtë të vështrimit. Erdhi si një i krishter i devotshëm, dhe iku si një “murg” heretik. Lev  Nikollajeviç Tolstoj, dha kontribut të madh letërsisë dhe historisë ruse. Pikëpamjet e tij filozofike, shqyrtimet në të cilat ai ka prezantuar idetë mbi Zotin, shpirtin, dijen, dashurinë dhe shumë pikëvështrime të tjera, mbetën të pavdekshme, siç mbetet krejtçka që ai e gatoi me pasion dhe përkushtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat