Dihet qartë se “politika globale e Fuqive të Mëdha nuk e kishte përgjysmuar Shqipërinë, siç mund të dëgjohet ndonjëherë, por e reduktoi në një Shqipëri viabël në favor të interesave e drejtpeshimit të forcave në Evropë”. Me problemin kombëtar u detyrua të merrej ky shtet viabël i krijuar, apo Shqipëria e kufijve politikë. Në mbështetje të vëllezërve të tyre u ngritën dhe protestuan edhe deputetët e Parlamentit shqiptar, i cili në atë kohë quhej Këshill Kombëtar. Nuk ishte rastësi që ditën e hapjes së të parit Parlament shqiptar në Tiranë, më 27 mars 1920, deputetët shprehën hidhërim sepse dy pjesë të Shqipërisë, Kosova dhe Çamëria nuk i kishin përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar.
Senati, apo Këshilli Kombëtar siç u vetëquajt, u hap në Tiranë më 27 mars 1920. Deputetët (senatorët) e tij, për shkak të rrethanave, u zgjodhën nga Kongresi i Lushnjës.
Parlamentit iu desh që ta përqendronte vëmendjen më shumë në probleme të ndërtimit shtetëror, të çlirimit të krahinave të pushtuara dhe të dëbimit të okupatorëve të huaj, në vitin 1921 këto probleme ishin zbutur. Kjo i krijoi parakusht Parlamentit të vitit 1921 dhe 78 deputetëve të tij të përqendroheshin më shumë te problemi kombëtar. Kështu, më 21 prill të vitit 1921 nisi punën në Tiranë Këshilli Kombëtar, apo Parlamenti i parë i zgjedhur i shtetit të ri shqiptar.
Deputetët, pavarësisht nga përkatësia partiake ose nga bindjet politike, kur diskutohej problemi kombëtar bashkoheshin, kishin mirëkuptim dhe konsensus të plotë. Në zgjedhjet e qershorit të vitit 1921 Gjergj Fishta zgjidhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë.
Gjergj Fishta
Kur deputetët e zgjedhur u nisën nga Shkodra për në Tiranë për hapjen e Parlamentit, qytetarët e Shkodrës kishte dalë në rrugë që t’i përcillte me muzikë. Gjatë përshëndetjes nuk do të mungonin as zotimet e Gjergj Fishtës para masës të tubuar se do të mbronin me dinjitet dëshirat e tyre. Kjo përcjellje nuk ishte e rastësishme, sepse Gjergj Fishta dhe të tjerët, me kontributin e tyre, ishin bërë simbol i qytetit ku ata po shërbenin. Përcjellja nga të gjitha shtresat intelektuale dhe religjioze ishte fryt i mundit të tyre për Shkodrën dhe shqiptarët. Ndonëse Fishta ishte i zgjedhur deputet i Shkodrës, ai me diskutimet dhe kontributin e tij dëshmonte se merrej me probleme gjithëkombëtare. Fillimisht, Fishta në Parlament zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit.
Qeveria shqiptare u përpoq gjatë vitit 1921 për t'i normalizuar marrëdhëniet me shtetet fqinje. Për jetësimin e kësaj dëshire ajo dërgoi një delegacion në Beograd për t'i propozuar Qeverisë të Beogradit arritjen e një marrëveshjeje. Kjo marrëveshje parashikonte njohjen nga Beogradi të kufijve të vitit 1913 dhe tërheqjen e trupave të Mbretërisë SKS nga tokat shqiptare të pushtuara si dhe një sërë çështjesh tjera. Sikurse vërehet, përmbajtja e telegramit vë në dukje disa probleme të çështjes shqiptare, ndër të cilat tërheqin vëmendjen tri prej tyre:
1) Parlamenti vinte në dukje se gjenocidi serb mbi shqiptarët kishte filluar para 8 vjetësh, domethënë që nga momenti kur Konferenca e Ambasadorëve në Londër i shkëputi gjysmën e trojeve shqiptare dhe i la nën sundimin e Serbisë.
2) Nga kjo rezulton që politika antishqiptare që ndiqte Serbia ishte konstante e pandryshuar e që në esencë vetëm forcohej duke u bazuar në platformën politike kundër shqiptarëve. Duke pasur parasysh këtë politikë sistematike telegrami synonte tërthorazi që të vinte në vështrim edhe përgjegjësinë që kishin Fuqitë e Mëdha mbi ndarjen e trojeve shqiptare.
3) Parlamenti përpiqej që Fuqitë e Mëdha ta ndienin përgjegjësinë për t'i tërhequr vërejtjen Qeverisë së Beogradit për ta ndaluar me çdo kusht dhunën ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre. Telegrami i nisur nuk priste vetëm angazhimin e botës së qytetëruar dhe demokratike, por edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të deputetëve të Parlamentit serbo-kroato-slloven.
Nga problemet e rëndësishme në Parlamentin shqiptar qe edhe ai i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe rreziku që sillte politika serbe për shtetin shqiptar. U theksua se nuk mund të diskutohej për "marrëdhënie të mira fqinjësore apo për lidhje jetike e trashëgimtare", siç cilësoheshin këto nga Parlamenti i Beogradit, sepse Serbia i trajtonte në mënyrë mizore shtetasit e saj shqiptarë.
Në mbledhjen e radhës, në Parlament, lexohet një telegram i Lidhjes të Kombeve nga Gjeneva, ku e informojnë Parlamentin se e kanë marrë telegramin e tyre dhe shqetësimet e tyre për dhunën serbe mbi minoritetin shqiptar në Kosovë. Në telegram premtohej se me këto shqetësime do të informoheshin anëtarët e Këshillit të Kombeve dhe se do të ndërmerreshin masat e duhura. Në fund të telegramit figuron emri i sekretarit të Lidhjes të Kombeve, z. Eric Drumond. Në Parlament kishte dhe mendime që nuk duhej të bëheshin veprime që do ta sillnin Shqipërinë në rrezik, sepse Kosova atëherë nuk mund të kishte fare shpresë. Ky parlament, i mbledhur më 21 prill 1921, nga Prefektura e Shkodrës pati në përbërjen e tij këta deputetë: Gjergj Fishta, Halid Roji, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Maliq Bushati, Don Ndre Mjeda, Ndoc Pistuli, Kolë Thaqi, Riza Dani, Shuk Gurakuqi, Xhemal Bushati dhe Patuk Saraçi. Këshilli Kombëtar, në prill të vitit 1921, diskutoi mbi dhunën që po i bëheshin shqiptarëve të Kosovës. Pati shumë diskutime në mbrojtje të të drejtave të vëllezërve të tyre të ngelur jashtë Shqipërisë politike.
Diskutimin e vet, deputeti Gjergj Fishta e filloi me mendimin se historia e popullit shqiptar është shkruar me gjak. Në vijim Fishta u shpreh: "Lajmi i zi që mijëra shqiptarë janë mbytur nga anmiku, sado qe do të ma therrte zemrën për dhimbjet, nuk do të na çudiste fort, po t'ishte kenë se kanë ra në luftë me pushkë në dorë e ballë për ballë t'anmikut. Por këta mijëra shqiptarë të masakruar të Kosovës nuk ishin djalmëria kosovare me armë në dorë që luftuan për liri e për nam të Shqipnisë, por janë pleq të mbetun, gra të mjera e foshnja të njoma". Deputeti Gjergj Fishta, duke përshkruar mizoritë, thekson se “nipave dhe stërnipave ka me ju dridh këmisha në trup kur t’i lexojnë këto mizori dhe se Parlamenti shqiptar jo vetëm që ka pasur të gjitha të drejtat për tu ankuar te Parlamenti i Beogradit por e ka pasur edhe detyrë”. Në vijim theksonte se “këta burra gra e fëmi nuk u grinë pse benë ndonjë faj, por vetëm se e deshmuan shqiptarësinë e tyre dhe duke e ditur se ekziston një Shqipëri e pa varur ju lutën ma të bukurit të qiellit për lulëzimin e shtetit të vëllezerve të vet. Ky është faji që vriten shqiptarët”.
Nga ana tjetër, pushtetet e mëdha në Konferencë të Paqes premtuan se do të siguroheshin të drejtat kombëtare e kulturore të të gjitha minoriteteve. (Fishta këtu flet me kompetencë sepse ishte vetë pjesëmarrës i Konferencës të Paqes, L. Culaj.). E dyta ishte shpresa që Shqipëria e lirë do të kujdesej për fatin e saj. Pra Shqipëria e lirë e ka për detyrë të përkujdeset për fatin e këtyre bijve të vet të mjeruar. Fjalimi i Gjergj Fishtës u përshëndet me duartrokitje të gjata nga deputetët tjerë në sallë. Përfundimisht, zoti Fishta deklaron se bashkohet me shpirt dhe me zemër me oratorët e tjerë në favor të angazhimit për mbrojtjen e vëllezërve të Kosovës, të cilët edhe në prag të varrit dëshmohen se janë shqiptarë.
Edhe propozimi i bërë nga Hasan Prishtina për dërgimin e një delegacioni ose komisioni parlamentar në Romë, Paris, Londër e po qe nevoja edhe Uashington, u mbështet kryesisht nga deputetët e Drinit, si: R. Mitrovica, L. Gurakuqi, M. Kruja, N. Mjeda, Gj. Fishta, H. Mushqeta, H. Kadriu, R. Daci etj., shumica e të cilëve ishin përfaqësues të Partisë Përparimtare. Ata këmbëngulën në dërgimin e një komisioni parlamentar, duke e konsideruar si veprim efikas dhe se heshtja dhe mosveprimi si parlament mund të sillte dëme për vendin. Me këtë rast pretendohej që veprimi i Parlamentit të ishte i pavarur nga masat që do t’i ndërmerrte Qeveria shqiptare.
Në fillim të vitit 1922 Fishta nisët për në Mbretërinë e Bashkuar dhe prej andej në SHBA. Takoj senatorë katolikë të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge, i partisë Republikane, duke berë kështu të mundur hapjën e dyerve për njohjën diplomatike të Shqipërisë së pavarur.
Fishta dhe deputetët shqiptarë, shumica e të cilëve ishin shkolluar në vendet e Evropës Perëndimore dhe disa nga ata ishin intelektualë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ishin të vetëdijshëm për përgjegjësinë historike para atdheut, andaj në çdo seancë këmbëngulën që shqyrtimi i çdo problemi të bëhej nga këndvështrimi i interesave të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.