Sylë Mujaj (1958), u lind në fshatin Dukaivë, Rugovë, komuna e Pejës në Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Pejë. Studimet e larta, në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Dega inxhinier i agronomisë. Sa ishte student, në vitin 1981 është arrestuar dhe dënohet me 10 vjet burg.
Pëveç burgut hetues në Prishtinë të tjerat i ka vuajtur në burgun famëkeq të Nishit në Sërbi. Me ndihmën e Amnesty Internacional dhe Komitetit të Helsinkit në vitin 1990, lirohet nga burgu. Dhe po atë vit ka emigruar në Zvicër duke u vendosur në Lugano, kantoni Ticino.
Sylë Mujaj, është ndërë të rrallët të burgosur politik që dhembjen, vuajtjen, dhunën fizike, si dhe atë psikike, arriti t’i shndërroj në art letrar dhe në art figurativ. Tashmë ai është bërë njëri nga emrat e respektuar, punimet e tija gjigante, sidomos ato në mozaik i kanë dhënë kuptim artistik emrit dhe krijimeve të tija të cilat për kah madhësia shprehin me shumë indikacion atë lirinë e munguar sa kishte vuajtur burgun dikur. Poezinë e tij e kam trajtuar vite më parë, portreti e tanishëm do ta përkufizojë, kryesisht në kornizat e krijimtarisë artistike.
Sylë Mujaj, kur ishte në burgun e Nishit në Sërbi, ishte “I mbyllur në mes të betonit dhe hekurit”, dhe natyrisht përreth i rrethuar me rrethoja të hekurta. Këtë mënyrë jetese, ai e mbijetoi falë afinitetit poetik dhe prirjes artistike që kishte për të vizatuar. Duke vizatuar dhembjen ai i jipte shpresë shpirtit dhe lirikave. Pra poezia dhe arti figurativ e kanë shpëtuar Sylë Mujajn, dhe vetëm ato e kanë përshkruar saktësisht e artistikisht botën e brendshme të krijuesit e cila kurohej nëpërmesë krijimtarisë letrare dhe artit figurativ duke shperthyer si “Lulja në beton”, përsëritet ky element figurativ i burgut i kthyer në art.
Piktori Sylë Mujaj, ka ekspozuar punimet e tij në disa ekspozita individuale të cilat i ka hapur në Zvicër e në Itali, prandaj nga viti 1996-1997, pikturat dhe vizatimet e tij janë ekspozuar në:
EKSPOZITAT NGA SYLË MUJAJ
1992 – “Simpozium Ndërkombëtar” në Lugano.
1992 – “Psikologjia e burgjeve jugosllave”, ekspozita në Basel .
1993 – “Pas hekurave”, Art-Atelier në Roveredo.
1994 – Ekspozitë Etnografike në “Université Populaire Albanaise”, Geneve.
1995 – “Njohje”, Zürich.
1996 – “Psikologjia e burgjeve në burgjet jugosllave”, ekspozita në Bolzano.
1997 – “Ekspozitë Etnografike, Pyrography dhe Kostumografi”, Zürich.
1998 – Autor i librit “Njerëz Numër”.
PO ASHTU EDHE KËTO EKSPOZITA:
2001, në Milano (I), Në ekspozitën “Bardh e Zi” për Kosovën në Qendrën Zvicerane të Milanos.
2007 – Iragna/Ticino, Organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Zvicerane.
2007 – Pejë, gusht 2007. Ekspozitë individuale.
2024 – Paradiso /Ticino. Ekspozitë individuale.
Etj. etj.
1994 – 2024, Sylë Mujaj, ishte organizator, koordinator i Sipoziumeve, ekspozitave dhe manifestimeve të shumta. Pjesëmarrës në TV emisione dokumentare. Fitues i disa mirënjohejve dhe shpërblimeve nga Organizata, Institucione dhe shoqëri të ndryshme.
Mozaiku i biografisë së Sylë Mujajt, përpos vizatimit dhe poezisë, përplotësohet me shkrime të tjera nga fusha e publicistikës, analiza dhe studime të tjera. Në fushën e artit pamor, Sylë Mujaj ka shkëlqyer më shumë, sepse me vizatime ka portretizuar fytyrat e të tjerëve, personalitete të njohura nga kultura, historiografia dhe lufta e UÇK-së, dhe bashkë me krijimet tjera artistike nga fusha e etnografisë e arkeologjisë, është kompletuar personaliteti i tij intelektual. Ky angazhim shumëdimensional e i gjithanshëm e kanë bërë protagonistin e këtij portreti, shumë të pranueshëm, parë nga këndvështrime të ndryshme.
Edhe ekspozita individuale në Shtëpinë e Arteve, Via Carzo 1, 6900 Paradiso në Zvicër, e cila është e hapur nga 15 – 29 shtator 2024, është në funksion të afirmimit artistik të autorit, po më shumë të artit që krijon Sylë Mujaj, të cilin e urojë me pasë sukses!…
St. Gallen, 15 shtator 2024.