Gjergj Fishta në Konferencat Ballkanike

Kultura

Gjergj Fishta në Konferencat Ballkanike

Nga: Lush Culaj Më: 21 shtator 2024 Në ora: 09:31
Gjergj Fishta

Qeveria shqiptare ndiqte me interes zhvillimet diplo­ma­­tike në Evropën Juglindore. Qeveritë e këtyre vendeve filluan të vendosnin kontakte për t’i ngritur në nivel të ri marrë­dhëniet në mes tyre. Në rrethanat e krijuara, ish-krye­ministri grek, A. Papanastasiu, hodhi idenë e një konference ku do të diskutohej për mundësinë e një konfederate ball­kanike. Në për­pjekje për të parandaluar avancimin fashist në Ballkan u bënë tri konferenca ballkanike.

Planifikohej të hartohej programi i Konferencës në mënyrë që të evidentoheshin problemet që i ndanin ballka­nasit, në mënyrë që të hartoheshin zgjidhjet më të mira të mundshme pa krijuar probleme të reja.

Modeli i këtij bashkimi ballkanik pretendonte se do të ndërtohej në kuadrin e frymës së Lidhjes së Kombeve. Mo­toja do të ishte “Ballkani popujve të Ballkanit”. Pala shqip­tare u deklarua: “Jemi dakord që Ballkani u përket ballka­nasve por me të drejta të barabarta dhe pa dhunë të një shteti ndaj një shteti tjetër ”. Konferencat ballkanike u organi­zuan në kushtet e acarimit të marrëdhënieve shqiptaro-ita­liane, kur Mbreti Zogu nuk kishte pranuar të zgjaste afatin e Paktit të Parë të Tiranës.

Qeveria shqiptare, në aspektin e brendshëm, po pu­nonte për krijimin e një komisioni me specialistë për t’u përfaqësuar në konferencë. Këshilli i Ministrave, në praninë e kryeministrit Pandeli Evangjeli, të Rauf Ficos, ministër i Punëve të Jashtme dhe kabinetit qeveritar, morën vendimin që do të merrnin pjesë në Konferencën e Parë Ballkanike dhe do të dërgojnë në këtë konferencë një komision të përbërë nga Mehmet Konica, Mid’hat Frashëri e Patër Gjergj Fish­ta. E kush mund ta kryente më mirë se Gjergj Fishta mi­sionin e Qeverisë shqiptare në këto konferenca, njeriu, kle­riku i cili gëzonte respektin e të gjithëve në Shqipëri, qoftë si klerik, qoftë si diplomat. Nga data 5 deri 12 tetor 1930 në Athinë zhvilloi puni­met Konferenca e Parë Ballkanike, ku mo­rën pjesë: Shqipëria, Turqia, Bullgaria, Jugosllavia dhe Rumania. Delegacioni shqiptar u deklarua se krahas punës për përgatitjen e paktit dhe Konfederatës, të zgjidhej me për­parësi problemi i pakicave nacionale, pa të cilin as që mund të bëhej qoftë edhe një hap para në bash­këje­tesën ballkanike. Kjo kërkesë ishte e padiskutueshme. Diplo­macia shqip­tare, në këtë mënyrë, synonte në radhë të parë mbrojtjen e Shqipërisë nga sulmi i mundshëm jashtëball­kanik, gjegjë­sisht i Italisë.

Qeveria e Beogradit mbro­­nte tezën se Konferenca nuk duhej të diskutonte pro­blemet e pakicave kombëtare. Me­gjith­atë problemi i minoriteteve, edhe pse nuk iu shkonte për shtati politikave jugosllave apo greke, arriti të diskutohej në Konferencë, e madje të siguronte mbështetjen e Bullgarisë e Rumanisë. Shqipëria u përfaqësua denjësisht në të gjashta komisionet e krijuara në seancën e parë të Konferencës. Kon­tributi i Gjergj Fishtës ishte jashtëzakonisht i madh. Argu­mentet e paraqitura nga diplomatët shqiptarë u vlerësuan nga të gjithë pje­sëmarrësit.

Më 19 tetor 1931, në Stamboll, u hap Konferenca e Dytë Ballkanike. Në Konferencë, Shqipëria u përfaqësua nga Mehmet Konica, Gjergj Fishta e të tjerë. Konferencën e përshëndeti presidenti i Turqisë, Mustafa Qemal Ataturku. Mbreti Zogu, para se të nisej delegacioni shqiptar, porositi Mehmet Konicën dhe Gjergj Fishtën, si udhëheqës, se do të ishte mirë që gjeja e parë dhe themelore që duhej të kërkonin të jetë diskutimi i problemit të shqiptarëve që jeto­nin në trojet e veta në Jugosllavi e Greqi. Pas konsulti­meve pa­ra­prake, në mesin e të cilave, ndër më kryesoret ishte ai i Gjergj Fishtës, në Konferencë, fillimisht fjalën e mori Meh­met Konica. Ai pranoi përsëri në parim aderimin e Shqipë­ri­së në një pakt të ngritur mbi barazinë dhe drejtësinë ndërmjet popujve ballkanikë, por deklaroi që të zgjidhej sa më parë çështja e pakicave kombëtare. Përfaqësuesi i Qeve­risë të Beogradit, Jo­niç, deklaroi se që të arrihej bashkë­punimi ball­kanik nevojitej që me prioritet të zgjidheshin problemet eko­nomike, e pastaj të kalohej gradualisht në ato politike.

Përfaqësuesit shqiptarë në këtë konferencë prioritet kishin diskutimin e problemit të shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi e Greqi. Pas darke ishte mbledhur një këshill, që, veç ministrave (ambasadorëve), përbëhej nga tre persona për çdo delegacion (tanët ishin Mehmet Konica, At Gjergj Fishta e Fazli Frashëri). Në këtë këshill, delega­cio­ni shqiptar deklaroi se plaga qëndron në çështjen e pakicave, prandaj më parë se çdo gjë tjetër, duhej të gjente zgjidhje kjo punë. Delegacioni shqiptar insistoi që për çështjen e pakicave të diskutohej në hollësi.

Mbi bazën e një raporti të ardhur në Ministrinë e Pu­nëve të Jashtme në Tiranë (25 qershor 1931) u ngrit dhe funksionoi programi i komisionit përfaqësues në Konfe­ren­cën e Dytë Ballkanike. Programi u hartua mbi baza kom­bëtare.

Konica e njoftoi Qeverinë shqiptare se me disa reduk­ti­me është pranuar edhe plani i punës për Konferencën e Dytë Ballkanike, sigurisht, me shumë polemika nga ana e përfa­qësuesve jugosllavë për çështjen e minoriteteve.

Me shumë interes është interpretimi dhe vlerësimi që i bëri kësaj konference Patër Gjergj Fishta, pjesëtar i dele­ga­cionit shqiptar. Ai nuk ishte shumë optimist për përfundimet e saj. Madje, në gjykimet e tij, duke iu referuar historisë së afërme të marrëdhënieve ballkanike të para njëzet vjetëve, nuk mungojnë dhe notat ogurzeza: “por mundët edhe me marue në vaj.. Dje të thuesh luftat ballkanike a nuk u grin e u coptuen ndërmjet veti katër Shtete të Ballkanit veçse u gjetën bashkë të lidhun me besë për pakë kohë kundra Turkut ?...” Me të drejtë Fishta konkludonte që shtetet e Evropës Jug­li­n­dore nuk shkonin në këto konferenca në kushte të ba­rabarta. Vendimet e Konferencës së Londrës, të Parisit dhe të Lozanës për shqiptarët dhe bullgarët kishin lënë mbrapa mjaft probleme të pazgjidhura, si problemi i vëllezërve të tyre të mbetur jashtë kufijve.

Meritë e delegacionit shqiptar ishte që e mbajti të mbër­thyer akoma në agjendën e Konferencës Ballkanike çë­shtjen e pakicave.

Konferenca e Tretë i zhvilloi punimet nga 22 deri 28 te­tor 1932 në Bukuresht. Delegacioni jugosllav nuk pranoi që në projekt Paktin Ballkanik të futej neni që parashikonte mbroj­tjen e pakicave kombëtare, por edhe delegacioni shqip­tar nuk bëri lëshim. Delegacioni shqiptar u shpreh se është dek­laruar që në Konferencën e Parë Ballkanike dhe qëndron ako­ma në mendimin se zgjidhja e të drejtave të pakicave ko­m­bë­tare ka qenë dhe mbetet kushti kryesor i bashkimit ball­kanik.

Qëndrimi i gjithë delegacionit shqiptar, përfshirë edhe Gjergj Fishtën, ishte i prerë. Ata mbronin me këmbëngulje të drejtat njerëzore, në radhë të parë të vëllezërve të tyre jashtë Shqipërisë politike. Përveç delegacionit shqiptar, punimet e Konfe­rencës i braktisi dhe ai bullgar. Konferenca vendosi që procesi i përfundimit të Paktit Ballkanik të vazhdonte, ndërsa ai për krijimin e Konfederatës, siç parashikoi delegacioni shqiptar, dështoi. Edhe Konferenca e katërt, e mbajtur në Se­la­nik, nga 5-11 nëntor 1933, i zhvilloi punimet në të një­jtën mënyrë dhe natyrisht se me një qasje të tillë ishte e predis­po­zuar të dë­shtonte. Më 9 shkurt 1934, në sallën e Akademisë së Athinës, Greqia, Turqia, Rumania dhe Jugo­sllavia nën­shkru­­an Paktin Ballkanik. Shqipëria dhe Bullgaria nuk u ftuan.

Përfundimisht, delegacioni shqiptar vinte në dukje se me të tilla kushte delegacioni shqiptar nuk mund të kishte vend në gjirin e Konferencës Ballkanike. Në konferencat ballkanike, pozicioni i Shqipërisë mund të kuptohet më saktë po të shihet në përqasjet me zhvillimet diplomatike dhe po­litike të asaj kohe në Gadishull, nën kën­d­vë­shtrimin e raportit midis çështjes ballkanike përballë Italisë si dhe pozitës së Shqipë­risë në kontekstin e marrë­dhë­nieve të atëhershme shqi­p­taro-italiane. Në këtë periudhë kohore, përpjekja e mbre­­tit Zogu dhe veprimtaria dinamike e diplo­macisë shqip­tare për të shpëtuar vendin nga tutela e Italisë fashiste ishte inten­sifikuar. Dalloheshin sidomos përpjekjet e shkathëta të diplo­matëve si Mehmet Konica, Rauf Fico dhe Gjergj Fishta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat