Krijuesi i shumë veprave letrare në të gjitha gjinitë e letërsisë, i mirënjohuri z. Shpendi Topallaj, këto ditë solli librin, manual, i cili trajton tema të ndryshme të jetës sonë politike në të kaluarën dhe të tashmen, ngjarje që po na lidhen rreth e rreth qafës, si lak me nyjë të pazgjidhshëm për jetën tonë në këto hapësira, pambarim...
Pos aspektit historik të kaluarës sonë të mundimshme, ndarjen e vendit tonë me pa të drejtë, kalimin nëpër diktatura të monizmit, peripecitë e të cilit i përjetuam më rëndë se kushdo tjetër në Evropë, z. Shpendi Topallaj, trajton bukur e me fakte edhe shkaqet, apo arsyet të cilat “pollën” shumë kontradikta edhe brenda përbrenda vetvetes sonë, duke e paguar shtrenjtë, me ngecje prapa botës, në çdo aspekt të vendit tonë, në dyja anët e “kufirit” administrativ, Shqipëri-Kosovë.
Duke lexuar librin “Kosova është Shqipëri” të autorit Shpendi Topallaj, lexuesi i mirëfilltë me lehtësi kupton e nënkupton rrugëtimin e Shqipërisë e Kosovës pas luftës së fundit në Kosovë, dhe, menjëherë ndeshesh me veprime shumë të pamatura të kreut politik në të dyja vendet tona, si një.
Nuk po ndërmendem që të nxjerr thënie e fakte nga libri i autorit që dëshmojnë gabime të kushtueshme gjatë viteve që lamë pas, por brenga shtohet se në situatën aktuale politike, nuk vërehen shenja përafruese me qëllim të bazuar, ku kishin me na drejtuar në bashkimin kombëtarë, me arsye e argumente te pathyeshme karshi një Evrope që tani më, ia dimë hilet e saj historike.....
Sikur që nga paslufta në Kosovë, krerët e politikës nga dy vendet tona të kishin qenë me të vëmendshëm në përcaktimet politike, besoj se ndryshe do e kishim sot situatën si popull vëlla nga gjaku e historia në këtë hapësirë gjeografike të pastër etnike. Por, lakmia për pushtete, për pasuri, xhelozia ndaj njëri tjetrit, megalomanitë individuale, hakmarrjet e shumë gjera të pamira, siç i dimë të gjithë, mbetem akoma duke na përkundë në djepin tonë të huajt, sikur të ishim ardhacak viteve të fundit nga kushedi prej ku?....
Për një libër të tillë, thënë çdo gjë me modesti, është aq përmbajtsorë, sa që nuk nevojitet koment i stërzgjatur. E rëndësishme është se libri “Kosova është Shqipëri”, botuar në janar të këtij viti nga z. Shpendi Topallaj, është manual që do t’i hynte në punë çdo qytetari, (politikanëve posë po),për të mësuar e ditur shumë gjëra që, (ndoshta), deri me tani nuk i kemi ditur.
Këtë libër pata rastin e para pak ditësh, ta kem dhuratë nga autori me rastin e një takimi përurues në Gjakovë, për të cilin e falënderoj nga zemra!