Kush ka sy, le të më shikojë.
Kush ka vesh, le të më dëgjojë.
Kush ka zemër, të më ndiejë.
Kush ka shpirt, të më besojë.
Kush ka mend, të më analizojë.
Flas nga Trojvogjli, nga Dibra ime shamikuqe,
Ngjyer me gjak nëpër beteja,
Shamia që vello iu bë nuses,
Shamia e vëllait të vrarë,
Për Atdhe, për ty, babë e nënë,
Për ty motër e vëlla,
Për tym, nuse e re,
Që u shkrive në lotë
E të premtova do të dal zot.
Të lashë me foshnjen në gji
Me të vetmin amanet,
Të ma rritësh për Shqipëri!
Unë flas shqip
Gjuhën që më ka falë Zoti.
Edhe kur isha në zgrip
Thashë, jam gjak Kastrioti.
Dallgët e gjakut
Përzier me dallgët e lotëve,
Ku flitet shqip,
Themi njëzëri:
Jemi gjaku i Kastriotëve…
Flas nga Trojvogjli,
Flas nga Fushë Kosova,
Flas nga trojet e mia,
Nga Shkupi, Janina, Ulqini, pa droje
Me krenari.
Nuk kërkoju mëshirë,
Por vetëm të drejtë.
Nëpër padrejtësi,
Nëpër luftëra
Na kaloi kjo jetë.
Nuk ngjesha gjerdanë,
Nuk mora allti,
Penën sot kam armë
Armë këtë poezi.
Unë jam e ndjeshme
Ndaj krismave, shpërthimeve.
E di ç’është plaga,
E di ç’është vlaga,
Në tokë kur hidhet fara.
E di ç’janë lulet,
Kur acari i beftë i përcëllon.
E di ç’është dashuria
E të dashurin ta vrasin
Ndërsa ai pot ë puth në buzë…
Kur foshnjen ta vrasin,
Kur e vë në gji.
Kur plakun ta djegin
Në prush e në flakë…
Ndaj kappa penën
E jo pushkën të bëj gjak…
Flas nga Trojvogjli
I Gjon Dibranit
Që i pati bashkë trojet e vatanit.
Flas nga kulla e Gjergj Kastriotit
Që një jetë luftoi
Në emër të Zotit.
Flas nga Epiri, Iliria, Dardania, Çamëria,
O njerëz kudo në botë,
A po i shikoni plagët e mia?!
Sa të vjetra majsiur
Sa të reja, trënmdafil i çelur,
Buzë humnerave thepisur
E lëndinave me këmbë shkelur
Më shtypën
E gjakun ma bënë uiski,
Shampanjë e xhini,
Por unë qëndrova si Uiliksi…
E thashë Trojvogjli është i imi
E thashë Kosova është e imja
E thashë e imja është Çamëria
E imja Shqipëria…
Nuk kam frikë,
Borxh kurkujt nuk i kam
Për plagët që më krijuan
Mua borxh më kanë.
Nuk kam frikë
Se për vendin tim po flas
Jetën time një ditë do t’ia fal Atdheut
Se njeriu do të vdes një ditë.
Me Atdhe të robëruar
Nuk më duhet jeta
Nuk më duhen sytë
Flas nga Trojvogjli
Nga toka stërgjyshore
Mua s’ma doli Anadolli
As serbi me taborre
Jam në vendin tim
Në gëzim e hidhërim
Në dimër e behar
Ku tufa staneve blegërinë
Plot bereqet i mbush hambarë…
E s’më shkon mendja
Të zhvat mallin e tjetrit
Të bëhem sarhosh
Për të bukurat zana
Ne amanet na kanë lënë të vjetrit
Martohu me atë që të jep baba e nëna…
U flas nga Trojvogjli
Se jam shqiptare
Dhimbja e vëllait të vrarë
Zemrën ma mori nga krahërori
Se shqiptar është dhe një kosovar.
Një nënë kërkon ndihmë,
Duke hequr shaminë nga koka,
Duke mallkuar vrasësit
E mua s’më mbanë më toka…
Kur dëgjoj ulërima fëmijësh
Djegur në flakën e shtëpisë
Kur djemtë i lidhin me tela
Dhe I qëllojnë pa mëshirë
Ata kthejnë kokën të shohin
Mos u vjen nga Trojvogjli
Në ndihmë motër e mirë.
A kam vëlla?
Kujeve të motrave
Ofshamave të nuseve
Kur ato flasin gjuhën tuaj
Kur ato ishin gjaku juaj
Kur ato jetojnë në tokën e vet…
O njerëz!
Në shpirt
Kjo tragjedi, a u vret?!
Flas nga Trojvogjli
Dhe nuk kërkoj mëshirë
Por vetëm të drejtë.
Sarhohëshët e Ballkanit
Na lakmuan zanat tona
Na lakmuan pasuritë tona
Na lakmuan bukuritë tona
Dhe u turrën si cuba
Me epshin e pafre!
Na vranë
Na dhunuan
Mbi kokë na u nxinë retë
Na u nxinë sytë
E shpirti shpërtheu…
-Heu ti cub rebel!
Prapakthehu!
Se këtui ka zot atdheu
Këtu është vendi im
Këtu është gjaku im
Këtu është gjuha ime
Këtu është varri yt!
O cub i pashpresë,
O cub kobzi!
Çnjerëzor, përbindësh
Edhe sot në shekullin e ri
Koburet mban në brez…
Sillet nëpër Evropë
Shqipes me i hap gropë!
Kur e shoh ashtu të krekosur
Me ushtri në tokën time varrosur
Rishtas duke hapur puse lakmie
Nuk bëhem sehirxhie
E kësaj kasaphane
Anë për ane lëshoj kushtrimin
O njerëz!
Janë vëllezërit e mi
Flasin gjuhën e një nëne…
Flas nga Trojvogjli
Nuk kërkoj mëshirë
Por vetëm të drejtë
Nga botë e qytetëruar
Nga miqtë e vërtetë!...